Ndërlidhjet

Ulpiana, thesar i antikitetit


Arkeologët gjatë gërmimeve në qytetin Ulpiana
Arkeologët gjatë gërmimeve në qytetin Ulpiana

zbulimet e fundit arkeologjike në Kosovë në qytetin antik të Ulpianës, së fundi janë gjetur dy skelete njerëzish, një femër e një mashkull.

Luan Gashi, arkeolog-antropolog thotë se do të hulumtojnë edhe më tej në mënyrë që të dihet gjenetika e këtyre skeleteve që të dihet se cilës popullatë i takojnë.

“Zbulimet e fundit janë dy skelete dhe me siguri janë diçka mes vete, janë një mashkull një femër. Mashkulli është i mbytur me shpatë, derisa femra e ka një plagë në mollëz. Kësi raste, me të mbytur, nuk kemi pasur deri tash”,
thotë Luan Gashi, arkeolog-antropolog.

Intensifikimin më të madh këto gërmime njohën gjatë vitit 2009, gjë që rezultoi edhe me incizimin e një pjese të mirë të hapësirës së këtij lokaliteti me metoda moderne, që do të ndihmojnë shumë në gërmimet e ardhshme.

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, thotë se rëndësia e lokalitetit është shumë e madhe dhe tregon një qytetërim që ka pasur rregulla, kode, ligje dhe është një qytet mjaft i rëndësishëm i këtij regjioni të Ballkanit që ka një shtrirje prej 120 hektarësh.

“Duke ju falënderuar punëve intensive prej vitit 2009 dhe me një buxhet vjetor prej 100 mijë eurosh, rezultatet janë të mira. Në marrëveshje me arkeologët gjermanë përmes Ministrisë së Kulturës, kemi arritur të bëjmë hulumtime arke-metalurgjike në bashkëveprim me muzeun e Kosovës , institutin arkeologjik si dhe instituti arkeologjik të Frankfurtit me një aparaturë shumë të kushtueshme që ne nuk e kemi”.

“Gjithashtu kemi bërë hulumtime arke-botanike, do të thotë tri shkenca të ndryshme, për të cilat ne nuk kemi ekspert të tillë. I kemi shfrytëzuar përvojat e huaja dhe rezultatet janë të kënaqshme”
, shpjegon drejtori Rexha.

Feliks Tajkner, profesor i Arkeologjisë, i cili përfaqëson Institutin Arkeologjik të Frankfurtit, thotë se për të, është një rast shumë i veçantë hulumtimi në qytetin e Ulpianës.

“Jam këtu për hulumtime arkeologjike. Për mua është me rëndësi që së bashku me studentë të Arkeologjisë nga Gjermania, ta hulumtojmë Ulpianën dhe është një rast shumë i veçantë, gjendet në zemër të Kosovës dhe ka gjurmë të xehetarisë dhe punimeve minerare të periudhave antike”
, shprehet Feliks Tajkner.

Ndërkaq, arkeologu Milot Berisha tregon se janë gjetur edhe sende me vlerë dhe bizhuteri:

“Nga gjetjet, më të rëndësishme janë ato të luajtshme dhe të paluajtshme, me motive gjeometrike dhe janë polikromi 4 deri 5 ngjyrësh. Gjetjet e lëvizshme janë monedhat, ku kemi zbuluar shumë lloje, pastaj një enë, një shishe vaji që është përdorur për raste mortore, pastaj varëse të qafës nga ari”.


Haxhi Mehmetaj, udhëheqës i gjurmimeve arkeologjike shpreh mendimin se në të ardhmen qyteti i Ulpianës do të shndërrohet në një muze dhe, sipas tij, gjetjet gjatë hulumtimit në këtë vend i takojnë shekullit të parë dhe atij të dytë.

“Unë do të potencoja horizontin e varrimit me djegie, e cila jo që nuk është shfaqur në Kosovë, por nuk janë hasur as në Dardani në përgjithësi. Varrezat me djegie që janë vendosur në gropa në formë katërkëndëshi, e që janë të zbukuruara me stoli nga më të ndryshmet”,
potencon Haxhi Mehmetaj.

Ndërkaq, Kemajl Luci, arkeolog, vlerëson se është duke u bërë një punë mjaft efektive, pasi që ky qytet në vitet ‘50 është hulumtuar dhe ka vazhduar deri vitet ‘80, por, siç thotë ai, për shkaqe të ndryshme, gati 20 vjet është lënë në harresë ky vend dhe nuk është hulumtuar asgjë.

“Rëndësia e Ulpianës është shumë e madhe. Këtu janë gjetur edhe shenja të banimit të shekullit XIII para Krishtit dhe mund të flitet për një vazhdimësi të kulturës në këtë vend”.

“Pra, nëse i kemi shenjat e para në shekullin XIII para Krishtit, e dimë se Ulpiana është formuar në shekullin I. Besoj se hulumtimet që do të pasojnë, do të arrijnë në ndonjë vendbanim edhe më të lashtë se Ulpiana”,
pohon arkeologu Kemajl Luci.

Nga hulumtimet e kryera në qytetin antik të Ulpianës, përveç arkeologëve vendorë, kanë qenë të përfshirë edhe arkeologë nga Spanja, Çekia, Sllovakia, Zvicra, Britania e Polonia.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG