Ndërlidhjet

Turqia sekulare apo islamike?


Përkrahësit e sistemit sekular të Kemal Ataturkut (Foto nga arkivi)
Përkrahësit e sistemit sekular të Kemal Ataturkut (Foto nga arkivi)
Sipas qeverisë turke, referendumi i së dielës ka të bëjë me krijimin e një demokracie moderne dhe tejkalimit të trashëgimisë diktatoriale ushtarake dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.

Partitë opozitare e shohin ndryshe referendumin. Sipas tyre, referendumi është përpjekje e partisë në pushtet, e cila ka rrënjë islamike, për të mbetur në fuqi dhe për të larguar sa më shumë vendin nga sekularizmi.

Shumica e turqve janë të pavendosur për votën e tyre. Një pjesë e madhe e pranojnë se vendimi i tyre lidhet me qëndrimin që kanë ndaj kryeministrit Rexhep Taip Erdogan.

Hajdar Ali Jilldiz, zyrtar i partisë së kryeministrit është njëherësh edhe koordinator i fushatës zgjedhore në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese.

“Ndryshimet kushtetuese janë një projekt që duan të sigurojnë se Turqia i përmbushë standardet e Bashkimit Evropian në mënyrë më demokratike. Këtu theksojmë demokracinë parlamentare si dhe pavarësinë dhe transparencën e sistemit juridik”
, thotë Jilldiz për Radion Evropa e Lirë.

Përkrahësit proislamikë

Vetë Erdogan ka theksuar se janë të pabaza akuzat që i lidhin ndryshimet kushtetuese me interesat e tij personale apo të partisë së tij.

Në zemër të reformës, që do të votohet në referendumin e 12 shtatorit, është dhe reforma e sistemit juridik, që është parë për një kohë të gjatë si një nga shtyllat e sistemit sekular në Turqi, të ndërtuar nga Mustafa Qemal Ataturku mbi hirin e Perandorisë Osmane në vitin 1923.

Mbështetja që ka marrë kampi, që është në favor të ndryshimeve kushtetuese, nga Fondacioni për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihma Humanitare e bën situatën dhe më shqetësuese për mbrojtësit e sekularizmit.

Organizata në fjalë njihet edhe si organizatore e anijes me ndihma humanitare që synonte të thyente bllokadën e Izraelit ndaj Rripit të Gazës në muajin maj.

Nga ndërhyrja izraelite në anije humbën jetën nëntë turq. Salih Bilici, një nga zëdhënësit e Fondacionit, pranon se ndryshimet kushtetuese garantojnë më shumë të drejta për besimtarët praktikantë. Këtu përfshihet dhe e drejta e studenteve për të vendosur shami koke në universitetet publike.

“Ndryshimet kushtetuese do të sjellin më shumë liri si për sekularistët dhe për konservatorët. Ju i dini problemet, me të cilat përballen konservatorët në shoqërinë tonë
”, thotë Bilici.

Ky qëndrim kundërshtohet ashpër nga Asociacioni i Mendimit Kemalist, një grup sekular i përkushtuar për ruajtjen e traditës së Ataturkut.

“Ndryshimet kushtetuese janë hartuar për t’i shkatërruar ato që solli revolucioni Ataturk në këtë vend. Drejtësia do të merret peng, kurse liritë e të drejtat nuk do të kenë fare rëndësi. Qeveria do të ketë kontroll mbi drejtësinë, e për pasojë do të kemi një sistem autoritar”.

“Evropa ka kaluar përmes kësaj rruge dhe quhej fashizëm apo nacional-socializëm. A ju kujtohet si e ndryshoi Hitleri Kushtetutën në vitin 1933? Ai i bëri ndryshimet me ndihmën e publikut dhe e mori miratimin e tij. Por, në fund erdhi nazizmi”,
thekson Devrim Jilldirim nga Asociacioni i Mendimit Kemalist.

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta dyshimet mbeten nga të gjitha palët në skenën e ndarë politike të Turqisë. (i.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG