Ndërlidhjet

Deda: Brenda vitit nisin bisedimet Prishtinë-Beograd


Ilir Deda
Ilir Deda

“Bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ketë, pa marrë parasysh rezolutën e Serbisë, ndryshimin apo mosndryshimin e kësaj rezolute. Kosova duhet ta caktojë një pikë të vetën që të ulet me Serbinë në ato bisedime. Çështja më e rëndësishme është që të rritet numri i njohjeve, që të arrijmë numrin 100, e pastaj të ulemi e të bisedojmë”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Ilir Deda.



RADIO EVROPA E LIRË
Ditë më parë Hondurasi u bë shteti i 70, që njohu pavarësinë e Kosovës. Prishtina zyrtare ka paralajmëruar se në vjeshtën e këtij viti do të rritet numri i njohjeve për Kosovën. A mund të pritet një gjë e tillë?

ILIR DEDA

Mirë është që ndodhi njohja nga Hondurasi. Ky ndoshta do të jetë një ndër shtetet që i paraprinë njohjes nga shtetet e Karikomit, ku bëjnë pjesë rreth 15 shtete.

Kjo është shumë mirë për Kosovën, sepse neve na duhet që deri në dhjetor të kemi njohjen prej 100 shteteve, e cila pastaj në arenën ndërkombëtare do ta bënte fakt shtetësinë e Kosovës dhe do ta fuqizonte nivelin e Kosovës në bisedimet e ardhshme me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto bisedime janë kërkuar nga faktori ndërkombëtar dhe janë theksuar sidomos në kohën kur Serbia paraqiti një draft-rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. U tha që ndryshimi i kësaj rezolute do të mund t’u hapte rrugën bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sa reale janë gjasat që pas procesit në Asamble të ketë bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

ILIR DEDA

Bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ketë, pa marrë parasysh rezolutën e Serbisë, ndryshimin apo mosndryshimin e kësaj rezolute. Bisedimet Prishtinë - Beograd janë bërë agjendë e bashkësisë ndërkombëtare, e sidomos e Bashkimit Evropian, nga fillimi i vitit 2010. Vetëm se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e favorizoi Kosovën, e ka zënë në habi edhe vetë BE-në, e cila ka pasur një agjendë tjetër për zhvillim të bisedimeve.

Brukseli dëshironte që, në qoftë se mendimi do të ishte neutral, bisedimet të fillonin në gusht, duke marrë parasysh që në rast se mendimi i GJND-së nuk ishte neutral atëherë edhe ngutja për këto bisedime nuk ka kuptim.

Kosova duhet të mendojë për vetveten dhe Kosova duhet ta caktojë një pikë të veten kur ajo do të jetë e gatshme që të ulet me Serbinë në ato bisedime. Mendoj se çështja më e rëndësishme është që të rritet numri i njohjeve, ta mbërrijmë numrin 100 pastaj të ulemi të bisedojmë me Serbinë pa marrë parasysh kur do të ndodhë kjo.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë gjasat që brenda këtij viti të nisin këto bisedime?

ILIR DEDA

Gjasat janë jashtëzakonisht reale duke pasur parasysh që Bashkimit Evropian po i ngutet që të ketë bisedime Prishtinë-Beograd, po unë mendoj që nuk do të jetë kaq lehtë dhe do të jetë shumë më i komplikuar, sidomos draftimi i agjendës për bisedimet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo duke marrë parasysh kundërthëniet e mëdha që ekzistojnë ndërmjet mes dy vendeve dhe atë se çka dëshirojnë të nxjerrin nga bisedimet Serbia dhe Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi nuk po e njeh shtetësinë e Kosovës. A është parakusht njohja e Kosovës nga Serbia për zhvillimin e këtyre bisedimeve?

ILIR DEDA

Jo nuk është parakusht. Ndoshta ajo duhet të jetë përfundimi i bisedimeve; normalizimi duhet të jetë një datë kur Serbia do ta njohë Kosovën. Por, dihet që një nga kushtet tona është që të jemi të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe tavolina e bisedave duhet ta reflektojë këtë barazi, domethënë ne ulemi si shtet i pavarur të bisedojmë me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve fqinjësore.

Nuk do të jetë lehtë, duke e pasur parasysh se Boris Tadiqi në Slloveni bëri të ditur se nuk do të bisedojë me institucionet e Kosovës dhe e kemi BE-në, e cila nuk ka kohezion të brendshëm, nuk ka politikë të përbashkët rreth Kosovës, përveçse dëshiron të shohë një lloj ulje në tryezë çfarëdo që të jetë ajo ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Unë mendoj se është më me rëndësi që Prishtina vetë ta caktojë agjendën e vet, vetë ta caktojë se kur është e gatshme të ulet me Serbinë dhe vetë t'i caktojë se cilat janë këto tema që dëshiron t’i bisedojë me Serbinë.

Në qoftë se ne nuk dalim me këto tema, atëherë bashkësia ndërkombëtare do t’i imponojë ato dhe ne nuk do të mund të zmbrapsemi atëherë, por duhet të ulemi me temat që në mënyrë arbitrare, do t’i vendosë BE-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku mbetet roli i Uashingtonit zyrtar në këtë drejtim. A do të ketë Uashingtoni rol në këto bisedime?

ILIR DEDA

Kosova duhet të kërkojë që edhe Uashingtoni të ketë rol. Është e pakuptimtë të ulemi me Serbinë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos nëse e kemi parasysh se SHBA-të janë përkrahësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian, si i tillë, si trup i përbashkët, nuk ka qëndrim të përbashkët se çka është statusi i Kosovës.

Mendoj se për kosovarët është shumë me rëndësi që të përsëritet formati i përkrahjes ndërkombëtare apo prezencës ndërkombëtare çfarë e kemi pasur gjatë negociatave për statusin, ku roli i Uashingtonit ishte i pashmangshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë shpesh se veriu i Kosovës do të jetë temë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Organizata të ndryshme joqeveritare kanë propozuar zgjidhje të caktuara për veriun: autonomi apo edhe shkëmbim territoresh me Serbinë. Çka, në fakt, do të mund të bisedohet për veriun dhe cilat janë zgjidhjet që mund t’i gjejnë të dy palët?

ILIR DEDA

Realisht, po të kishte një dinjitet shtetëror në gjithë skenën politike të Kosovës, atëherë pika e parë në bisedat me Serbinë do të ishte tërheqja e strukturave paralele të Serbisë nga veriu - kjo është ajo që do të duhej biseduar me Serbinë, e asgjë më shumë.

Ndërsa, para se të ulemi të bisedojmë, parakusht duhet të jetë hapja e gjykatës në veri të Mitrovicës dhe hapja e Portës 1 dhe 31.

Nuk mund të hyjmë me kufij të kontestuar në bisedime për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Ju e patët fjalën për raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Asgjë nuk ka bërë më shumë ky raport sesa që i ka publikuar ato mendime që ekzistojnë te diplomatët e huaj dhe në kryeqytete të ndryshme, këto tema diskutohen se si do të zgjidhet problemi Kosovë-Serbi, që, natyrisht, e pasuron debatin dhe e çon debatin përpara.

Është më se e qartë që bashkësia ndërkombëtare dëshiron që vetë Prishtina dhe Beogradi ta zgjidhin problemin e veriut. Kjo, natyrisht është jo e drejtë, duke marrë parasysh se situata në veri është pasqyrë e dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për vendosjen e rendit dhe ligjit aty dhe është vërtet qesharake se NATO-ja dhe EULEX-i nuk kanë mundësi ta vendosin rendin dhe ligjin në një territor me popullatë prej rreth 45 mijë banorësh.

Kjo është qesharake dhe nuk mund të besoj tash në një dialog, i cili nuk do të na stabilizojë, nëse bisedojmë me Serbinë për veriun, duhet ta zgjidhim këtë çështje.

Duhet që Prishtina të ketë një rol shumë më të fuqishëm dhe të ketë kërkesa të fuqishme paralelisht bashkësisë ndërkombëtare me afate, nëse është e mundur, që të shohim vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.

Nuk është duke u bërë vendosja e rendit dhe ligjit në veri. Këtë duhet ta vendosë EULEX-i së bashku me NATO-n, KFOR-in, por duke i ditur rrethanat në Kosovë, nuk besoj se do të ketë një kushtëzim të tillë nga ana e institucioneve tona.

Unë e shoh si shumë problematike agjendën e veriut në bisedimet Prishtinë-Beograd, e patjetër se kjo pikë do të jetë aty. Beogradi tashmë i ka shtjelluar tri pikat, për të cilat ata dëshirojnë të bisedojnë me Kosovën: e këto janë autonomia për veriun, ekstraterritorialiteti për manastiret e Kishës Ortodokse serbe dhe një autonomi më të thelluar për serbët poshtë lumit Ibër .

Në qoftë se këto janë kërkesat e Beogradit, ne si opinion publik në Kosovë ende e kemi të paqartë se cilat janë kërkesat tona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG