Ndërlidhjet

Si të shpaguhet borxhi ndërkombëtar?



Kosova duhet dhe ka mundësi që t’i shpaguajë borxhet e vjetra të trashëguara nga koha e ish-Jugosllavisë, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, edhe Pakoja e Ahtisarit detyron që Kosova të paguajë borxhin e bartur nga Serbia.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se kthimi i borxhit nuk paraqet ndonjë problem për autoritetet kompetente.

Bektashi shpreh shpresën se një pjesë të borxhit do ta shlyejnë institucionet ndërkombëtare financiare, ndërsa pjesa e mbetur do të paguhet nga buxheti i Kosovës, respektivisht nga mjetet e fondit të privatizimit.

“Mjetet, të cilat gjenden në bonot e thesarit të shteteve perëndimore. Unë shpresoi se periudha e shlyerjes se këtij borxhi do të jetë më afatgjate, ndërsa kreditë e reja që do t’i marrë Kosova për vepra infrastrukturave, do të kenë periudhë më afatgjatë të shlyerjes”,
thotë Bektashi.

Ndryshe, autoritetet kompetente në Prishtinë, tashmë kanë pranuar se do të marrin përsipër pjesën e vet të borxhit ndërkombëtar deri në vitin 1990 dhe pas vitit 1999, kur ka përfunduar lufta në Kosovë.

Për këtë çështje, edhe Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar ka ratifikuar Marrëveshjen për anëtarësim të Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe përvetësimin e kredisë, e cila ka të bëjë me borxhet e vjetra që i takojnë Kosovës, nga koha e ish-Jugosllavisë.

Eksperti, tjetër i ekonomisë, Berim Ramosaj, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pritjes për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mundësitë për shpagim të borxhit janë më të lehta.

“Mendoj se të gjitha këto institucione ndërkombëtare qëndrojnë pas Kosovës, pa marrë parasysh aftësitë buxhetore që ka. Dhe, unë jam shumë i bindur se ne do t’i shpaguajmë borxhet, sepse nuk është shumë aq e madhe, qoftë nëse mbështetemi në aftësitë tona, qoftë nëse mbështetemi në komunikimin tonë që kemi për çdo ditë e më të mirë me institucionet financiare ndërkombëtare”
, shprehet Ramosaj.

Në anën tjetër, autoritetet kompetente ende nuk kanë dalë me ndonjë shifër zyrtare se sa është ky borxh, edhe pse Mejdi Bektashi pohon se borxhi i huazuar nga institucionet ndërkombëtare nuk arrin shumën 1 miliard euro.

Më tutje, Bektashi tregon procedurat e duhura për kthimin e këtij borxhi

“Unë, sa e di, të gjitha ato borxhe janë marrë në periudha 20-vjeçare. Por, për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë, luftërave në rajon, ato borxhe janë ngrirë dhe derisa nuk është definuar statusi i Kosovës dhe borxhet e mbetura të ish-Jugosllavisë, ato një pjesë të madhe i ka paguar trashëguesja e ish-Jugosllavisë, në këtë rast Serbia”.

“Dhe, tash të gjitha ato çështje, me siguri do të trajtohen në një mënyrë më profesionale, më të saktë në një konferencë të suksesionit”,
shpjegon Bektashi.

Sidoqoftë, për shpagimin e borxhit, në bazë të ligjit ekzistues, Qeveria e Kosovës nga buxheti për vitin 2009 dhe 2010, ka ndarë një shumë prej 55 milionë eurosh, shumë kjo që do të vazhdojë të ndahet edhe në vitet e ardhshme.
XS
SM
MD
LG