Ndërlidhjet

(S')Ka kushte për bisedime


Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë shprehën bindjen se janë krijuar kushtet e nevojshme për fillimin e bisedimeve direkte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, tha se palët duhet ta caktojnë vetë agjendën e bisedimeve, të cilat do të ndihmohen nga Bashkësia Ndërkombëtare - veçanërisht nga Bashkimi Evropian. Përfaqësues të institucioneve kosovare, ndërkaq, thanë se Prishtina është e gatshme që me shtetin serb të bisedojë vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane, të cilat, siç thuhet, kanë përgjegjësi për hapësirën e vet territoriale.


Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier, tha se janë pjekur kushtet për nisjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Zanier theksoi se rrethanat aktuale, pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, janë të rëndësishme dhe se tani ekzistojnë të gjitha kushtet për një dialog më të drejtpërdrejt ndërmjet të dy palëve.

Pavarësisht kundërshtimit të Prishtinës zyrtarë që me Serbinë të bisedojë për veriun e Kosovës, diplomati italian theksoi rëndësinë për gjetjen e zgjidhjeve për veriun.
Lamberto Zanier

“Mendoj se është e rëndësishme për qëndrueshmërinë afatgjate të Kosovës në të ardhmen, që të gjejë rrugë për të avancuar më tej pajtimin në mes të komuniteteve. Veriu është veçanërisht një çështje sfiduese, andaj kërkohet më shumë vëmendje dhe më shumë punë për këtë rajon”, u shpreh Zanier pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ky i fundit tha se Kosova do të jetë e gatshme që me Serbinë të bisedojë vetëm si dy shtete të barabarta për çështje që prekin interesin e qytetarëve të të dyja vendeve.


Krasniqi theksoi se bisedimet politike me palën serbe kanë përfunduar më 17 Shkurt të 2008-s, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo, i pyetur se a do të ulej pala kosovare për të biseduar me përfaqësuesit e Beogradit në mungesë të njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, Krasniqi u shpreh:

Jakup Krasniqi

“Asnjë vendim s’e kemi marrë, megjithatë ne do të bisedojmë me Serbinë si dy vende të pavarura që secili e ka përgjegjësinë për hapësirën e vet territoriale”.


Kërkesa për zhvillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë për të ashtuquajturat çështje teknike ishte bërë kohë më parë nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, dhe nga shefja e diplomacisë evropiane Ketrin Eshton.



Zanier shprehu gatishmërinë e Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar dialogun ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare, por tha se rolin udhëheqës ndihmues në këto bisedime duhet ta ketë Brukseli zyrtar.

“Mendoj se ka ardhur koha që evropianët ta luajnë një rol më të madh. Andaj, mendoj se në radhë të parë do të jenë evropianët. Natyrisht se duhet të koordinohemi me evropianët, duhet të sigurohemi që Bashkësia Ndërkombëtare është, nëse mund ta quaj kështu, ‘në të njëjtën faqe’ me këtë dhe që të mos kemi agjenda të ndryshme”
, theksoi Zanier.

Agjenda e bisedimeve dhe temat, të cilat do të shqyrtoheshin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Zanierit, duhet të caktohen nga delegacionet e vendeve përkatëse. Roli i Bashkësisë Ndërkombëtare në këtë drejtim, sipas tij, do të jetë vetëm ndihmues.

Do të ishte gabim të vihen parakushte për atë që do të duhej të ishte në agjendë, sepse kjo do të mund ta dëmtonte dialogun nga jashtë. Mendoj se palët duhet të ulen me një fletë të bardhë për të vendosur pastaj se cilat çështje, nga këndvështrimet e tyre, janë të rëndësishme për t’u zgjedhur”.

“Roli i Bashkësisë Ndërkombëtare do të duhej të ishte ndihmesa për arritjen e një marrëveshjeje për ato çështje, por askush nuk do ta detyrojë askë të diskutojë çështje, për të cilat nuk ka gatishmëri të diskutohen”,
tha Zanier.

Përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, kanë shprehur bindjen se procesi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mund t’ua hapë rrugën bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar, në rast se Serbia heq dorë nga draft-rezoluta, të cilën e ka dërguar tashmë në OKB.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG