Ndërlidhjet

Tekstet kundërthënëse


Dikasteri i Arsimit në Maqedoni ka bërë të ditur se derisa të hartohen librat e rinj, nxënësit do të mësojnë nga librat ekzistues, pos librit të lëndës së Shoqërisë për klasat e pesta, i cili është tërhequr plotësisht.

“Viti shkollor, si çdo vit fillon më një shtator. Do të mësohet nga librat, me të cilat është mësuar edhe viteve të kaluara, para 3 ose 5 vjetësh”.

“Ndërsa, ekipet formohen për të vlerësuar nëse tekstet, të cilat kanë qenë në përdorim gjatë gjithë këtyre viteve, përmbajnë ose jo gabime në brendësinë e tyre, padrejtësi dhe gjëra të gabuara dhe në bazë të tyre të sillen vendime. Pra, me kërkesën time do të shqyrtohen edhe librat e shkollës së mesme”
, ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Nikolla Todorov.

Ndërkohë, nxënësit e vitit të dytë të shkollave të mesme do të vazhdojnë që në lëndën e gjeografisë të mësojnë të pavërteta ndaj shqiptarëve.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë u ka bërë thirrje profesorëve shqiptarë të gjeografisë ta bojkotojnë tërësisht këtë libër.

“Arsimtarët të mos e përfillin këtë tekst dhe atë jo vetëm arsimtarët e Gjeografisë, por të gjithë arsimtarët që shohin padrejtësi nëpër tekste. Drejtorët e shkollave të mesme të mos i shpërndajnë fare këto libra derisa nuk tërhiqen plotësisht nga përdorimi”, është shprehur kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.

Nga ana tjetër, përmbajtja e librit të Gjeografisë, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Avzi Mustafa, kryetar i Unionit të Intelektualëve Shqiptarë, ka thënë se është e patolerueshme që edhe kjo gjeneratë, e teta me radhë, fëmijët t`i edukojë me të pavërteta për kulturën dhe historinë shqiptare, e cila më pas rritet në mllef mes etniteteve.

“Kjo që ndodh në arsimin është një zinxhir i pasojave institucionale që ekziston në sistemin tonë arsimor dhe kjo ndikon në moszhvillimin e tolerancës dhe mirëkuptimit të shtetit demokratik, siç është Maqedonia si shtet multietnik”,
ka theksuar Avzi Mustafa, kryetar i Unionit të Intelektualëve Shqiptarë.

Sipas Mustafës, është koha e fundit që zyra për arsim t`i inkuadrojë edhe shqiptarët në hartimin e teksteve shkollore dhe jo debatet të fokusohen vetëm në media.

Mustafa ka nënvizuar se moszgjidhja institucionale paraqet rrezik të shkaktojë ndasi të thella mes entiteteve dhe shoqërisë.

Ndryshe, libri i Gjeografisë për vitet e dyta të shkollave të mesme, i mëson nxënësit se vendosja e shqiptarëve në Maqedoni ka filluar para 220 vjetësh nga Shqipëria dhe Kosova, dhe se kjo dyndje që ende vazhdon, është e rrezikshme për Maqedoninë.

Gjithashtu, në këtë libër thuhet se ka fise shqiptare që kanë prejardhje maqedonase, turke apo edhe rome.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG