Ndërlidhjet

Evakuime masive në Pakistan


Pakistan
Pakistan
Pakistani të premten ka vendosur për evakuimin edhe të 300 mijë personave nga një prej qyteteve jugore të rajonit Sindh.

Evakuimin e radhës po e shkaktojnë vërshimet në rritje që tashmë kanë kaluar digën parandaluese në lumin Indus.

Evakuimi po ndodh menjëherë pasi edhe talibanët u kërcënuan kundër të huajve, që e ndihmojnë Pakistanin, duke komplikuar edhe më shumë dërgimin e ndihmave te të prekurit nga vërshimet.

Megjithatë, uji duket problemi kryesor meqë largimi i banorëve nga qyteti Thata u urdhërua pasi uji i lumit Indus tejkaloi digën parandaluese 6 metërshe që ishte ndërtuar për të mbrojtur qytetin.

Administratori i këtij qyteti, Manzoor Sheikh, ka deklaruar se 70 për qind e popullatës është larguar për në vende më të sigurta, derisa pjesëtarë të ushtrisë po mundohen që ta rregullojnë digën.

Derisa qëndron para shtëpisë së tij të përmbytur, Shafi Muhammad, një banor i periferisë së qytetit That, deklaroi se atij kurrfarë ndihme nuk i ka arritur:

"Kjo është shtëpia ime. Familja ime kishte 5 shtëpi dhe disa objekte të tjera, por ato tani të gjitha janë të mbuluara nga uji. Të gjithë kemi dalë jashtë vetë, ndërsa tani po presim që të na ofrohen pajisjet e nevojshme nga qeveria. Ne kemi kërkuar edhe nga ushtria që të na ofrojnë në kampe të përkohshme, por nuk na është plotësuar kërkesa".

Të enjten ishte realizuar evakuimi i parë, kur 400 mijë persona u larguan nga tre qytete të tjera përreth lumit Indus. Ndërkaq, një zyrtar i zyrës së OKB-së për Kordinimin e Çështjeve Njerëzore njoftoi se brenda 48 orëve, gati 1 milion pakistanezë janë larguar vetëm në rajonin Sindh. I njëjti zyrtar tha se situata po shkon drejt përkeqësimit.

Rritja e nivelit të ujit pas disa javëve me shi ka ndikuar në jetën e mbi 17 milionë njerëzëve. Nga pasojat e këtyre vërshimeve humbën jetën 1600 persona, ndërsa rreth 8 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihma.

Agjencia Asocciated Press ka cituar zëdhënësin e talibanëve, Azam Tariq, duke thënë se prania e aktivistëve të huaj humanitarë është e “papranueshme”.

Ndonëse asnjë sulm nuk ka ndodhur deri më tash, OKB-ja dhe SHBA-të kanë thënë se po i marrin këto kërcënime seriozisht.

Xhon Holmes, shefi i shtabit humanitar të OKB-së në një konferencë me gazetarë në Nju-Jork, tha se OKB-ja nuk do të tërhiqet për shkak të kërcënimeve.

“Ne i marrim seriozisht këto kërcënime, njëjtë siç kemi bërë edhe përpara duke ndërmarrë masat e nevojshme. Mirëpo, ne nuk do të tërhiqemi nga ajo që ne besojmë se duhet ta bëjmë, e kjo është t’i ndihmojmë popullit të Pakistanit”, tha Holms.

Në Uashington, Departamenti i Shtetit përmes zëdhënësit Filip Krouli, tha se qveria amerikane ka informata për “kërcënime të reja”.

“Pa hyrë në çështje të agjencive sekrete, ne jemi në dijeni se ka informata kërcënuese. Ne po punojmë dhe bisedojmë me qverinë e Pakistanit që të bëjmë çdo gjë që mundemi që ndihma e ofruar nga ne dhe institucionet e Pakistanit të vazhdojnë më tutje”, tha Krouli.

Talibanët kishin sulmuar më parë punonjësit humanitarë në Pakistan. Në një sulm vetvrasës kundër programit të OKB-së për ushqim që u bë tetorin e kaluar në Islamabad, qenë vrarë pesë pjesëtarë të stafit. (a.h.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG