Ndërlidhjet

Ndikimi i politikës tek investitorët e huaj


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Gjatë këtij viti është shënuar rritje e investimeve të huaja, megjithatë këto investime nuk janë në nivelin e duhur, thonë përfaqësues të institucioneve kosovare dhe ata të komunitetit të biznesit.

Mustafa Hasani, nga Agjencia për Promovimin e Investimeve, që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se organet kompetente po bëjnë përpjekje maksimale për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Hasani bën të ditur se për këtë çështje janë duke bashkëpunuar me konsulentë të Bankës Botërore.
Ne po presim që në shtator të kemi një ekip të konsulentëve të Bankës Botërore, të cilët do të punojnë një memorandum bashkë me stafin lokal dhe me ekspertët tanë vendorë...


“Ne po presim që në shtator të kemi një ekip të konsulentëve të Bankës Botërore, të cilët do të punojnë një memorandum bashkë me stafin lokal dhe me ekspertët tanë vendorë - një memorandum ky në ofrimin e rekomandimeve se cilat do të jenë ato ndryshime eventuale që mund të jenë pozitive, që do të kenë efekt në përmirësimin dhe krijimin e një ambienti më të mirë biznesor në Kosovë”,
thotë Hasani.


Pavarësisht faktit se në Kosovë është rritur interesimi i investitorëve ndërkombëtar për t’u informuar për mundësitë investimeve, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, pohon se në këtë drejtim Kosova ballafaqohet me një imazh të dëmtuar në Evropën perëndimore dhe në shtetet e zhvilluara.

“Tentativa është që ai imazh i dëmtuar i Kosovës të përmirësohet, sepse në qoftë se udhëtoni sot nëpër Evropë, informatat kryesore për Kosovën do t’i merrni nga kronikat e zeza, nga korrupsioni, kriminaliteti dhe shumë dukuri tjera negative”.

“Por, edhe ato ‘simptome’ pozitive nga këndvështrimi ekonomik minimizohen nga aktivitet politike, qoftë nga ato që kanë ndodhur në Hagë, qoftë ato që priten në Këshillimin e Sigurimit”,
shprehet Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, autoritetet kosovare duhet t’i promovojnë potencialet ekzistuese të Kosovës në mënyrë që kjo të ketë ndikim në ndryshimin e opinionit para investitorëve potencialë.

Në këtë kuadër, shton Gërxhaliu, duhet të shfrytëzohet edhe vendimi pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Është koha kur vendimin e Gjykatës së Hagës, duhet ta shfrytëzojmë si një platformë apo dokument pozitiv, i cili duhet të promovohet...


“Është koha kur vendimin e Gjykatës së Hagës, duhet ta shfrytëzojmë si një platformë apo dokument pozitiv, i cili duhet të promovohet dhe ai të jetë një ndër indikatorët që do të provokojë investitorët që të investojnë. I një rëndësie të veçantë është edhe vendimi i Strasburgut ku është votuar në Asamble për Kosovën”.

“Pra, të gjithë këta janë hapa që duhet ditur të materializohen. Prandaj, një ndër tentativat është që edhe këto procese politike si komponenta të inkorporohen në proceset ekonomike, që të promovojmë vlerat dhe sigurinë në Kosovë për të investuar”
, vlerëson Gërxhaliu.

Duke mos e anashkaluar faktin se proceset pozitive në aspektin politik do të shfrytëzohen për sigurinë e investitorëve të huaj në Kosovë, Mustafa Hasani, megjithatë shprehet se pas vendimit të GJND-së nuk është vërejtur ndonjë rritje e numrit të investitorëve të huaj.

“Është vështirë të vërehet ndonjë rritje pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, ndoshta ka qenë koha që konsiderohet si kohë e pushimeve, prandaj interesimi dhe të dhënat tona janë në një gjendje të njëjtë në krahasim me periudhën e kaluar”,
thekson Hasani.

Ndryshe, sipas ekspertëve të ekonomisë, niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e energjisë elektrike, ka ndikuar që të ulet dukshëm interesimi i investitorëve të huaj, që kapitalin e tyre ta sjellin në Kosovë.
XS
SM
MD
LG