Ndërlidhjet

Kush e mbron Kosovën?


Pjesëtarë të KFOR-it gjatë ushtrimeve të së premtes në kampin e Vrellës
Pjesëtarë të KFOR-it gjatë ushtrimeve të së premtes në kampin e Vrellës

Ish-zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe mekanizmave të sigurisë theksojnë nevojën për ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes për Kosovën. Veprimi i mekanizmave që merren vetëm me sigurinë e brendshme, sipas tyre, nuk është i mjaftueshëm për shtetin. Përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, thonë se me mbështetjen ndërkombëtare po forcohen autoritetet vendore të sigurisë.


Pavarësisht vlerësimeve që flasin për një gjendje të qëndrueshme të sigurisë me, siç thuhet, incidente të izoluara në veri të vendit dhe për mosekzistimin e kërcënimeve nga jashtë, Kosova duhet të nisë debatin për mbrojtjen e të mos përqendrohet vetëm në krijimin e kapaciteteve të brendshme të sigurisë, thonë ekspertë të sigurisë në Kosovë.

Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë 1999-ës, dikur kryeministër i Kosovës, Agim Çeku, thotë se përveç aspektit të sigurisë, institucionet kosovare duhet të nisin të mendojnë për hartimin e planeve të mbrojtjes.
Agim Çeku


“Është shumë e gabueshme dhe ne disi po e tolerojmë se në Kosovë flitet vetëm për sigurinë - nuk flitet për mbrojtjen. Në çdo vend tjetër, në çdo vend normal flitet për mbrojtje dhe siguri. Këto janë dy gjëra që dallojnë shumë”.

“Faktori ndërkombëtar na ka imponuar të bisedojmë vetëm për sigurinë, të kemi vetëm forca të sigurisë, të kemi vetëm polici e assesi të mos bisedojmë, të planifikojmë apo të ndërtojmë kapacitetet për mbrojtjen e Kosovës”
, thotë Çeku.

Policia e Kosovës është mekanizmi kryesor në vend, i cili, bashkë me pjesëtarët e policisë së EULEX-it, është përgjegjës për mbajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë. Mbrojta, ndërkaq, garantohet nga trupat e misionit të NATO-s.

Aktualisht, në Kosovë janë të angazhuar më pak se 10 mijë ushtarë të KFOR-it, formacion ky që nga ushtarakë të lartë në NATO është paralajmëruar të pësojë reduktime të mëtejme në 5000 e më pak ushtarë.


Forca e Sigurisë së Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës, ndonëse në zhvillim e sipër, sipas legjislacionit në fuqi nuk është e përcaktuar të jetë ushtri. Çeku thekson varësinë aktuale të Kosovës nga prania ndërkombëtare, duke shprehur nevojën për ngritjen e kapaciteteve ushtarake.

“Kosova sot është plotësisht e varur në aspektin e mbrojtjes; mbrojtjes së integritetit territorial, tërësisë territoriale, sovranitetit të saj në tërë territorin, nga faktori ndërkombëtar, konkretisht nga KFOR-i apo nga NATO-ja”.

“Siguria apo sektori i sigurisë nuk është fare prioritet i qeverisë. Nuk ka resurse, nuk ka interesim, nuk ka angazhim që të ndërtohen kapacitetet e Kosovës për siguri”,
thekson Çeku, duke kritikuar Strategjinë Kombëtare të Sigurisë së Kosovës, të cilën Qeveria e ka proceduar, kohë më parë, në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, strategjia në fjalë, sipas përfaqësuesve të legjislativit kosovar paraqet një kornizë të qartë për mënyrën dhe format e garantimit të sigurisë në Kosovë.

Kreu i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Rrustem Mustafa, hodhi poshtë vlerësimet që flasin për varësinë e institucioneve të Kosovës nga mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë.
Ne nuk e llogarisim veten të varur nga Bashkësia Ndërkombëtare, por të përkrahur nga Bashkësia Ndërkombëtare ...



“Ne nuk e llogarisim veten të varur nga Bashkësia Ndërkombëtare, por të përkrahur nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe me mbështetjen e tyre po ngremë kapacitetet vendore. Ju e dini se FSK-ja po shkon në rrugë të mbarë e të mirë sikurse policia”
, shprehet Mustafa.

Kohë më parë, autoritetet vendore theksuan nevojën për themelimin e bashkëpunimit me shtetin serb për t’u ballafaquar me problemet aktuale lidhur me sigurinë rajonale.

Serbia, ndërkaq, vazhdon të kërkojë kthimin e një pjese të forcave ushtarake serbe në territorin e Kosovës - gjë që është kundërshtuar nga mekanizmat përgjegjës ndërkombëtar të sigurisë në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG