Ndërlidhjet

Iran: Centrali i parë atomik lindi me ndihmën ruse


Ali Akbar Salehi, shef i Organizatës atomike iraniane të energjisë dhe Sergei Kirijenko, shef i Agjencisë atomike ruse, Rosatom
Ali Akbar Salehi, shef i Organizatës atomike iraniane të energjisë dhe Sergei Kirijenko, shef i Agjencisë atomike ruse, Rosatom
Qëllimi i Iranit për arritjen e statusit të plotë të vendit bërthamor, e ka kaluar një shkallë të rëndësishme, në momentin kur Rusia e filloi mbushjen me karburant në centralin atomik në qytetin port, Bushehr.

Ky central me vlerë prej një miliard dollarësh, nga zyrtarët iranianë, ishte vlerësuar si triumf kundër armiqësive perëndimore për shkak të aspiratave bërthamore të Teheranit.

Centrali, që gjendet 12 kilometra larg qytetit port Bushehr, në Gjirin Persik, ishte ndërtuar nga teknikët rusë dhe do të furnizohet me karburant nga Rusia.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm zyrtarët e lartë atomikë iranianë dhe rusë.

Sergei Kirijenko, shef i Agjencisë atomike ruse, Rosatom, tha në një konferencë për shtyp se ndërtimi i centralit të parë bërthamor iranian, ishte bërë nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB).

Më tutje, ai theksoi:

“Në opinionin tonë, ndërtimi i centralit atomik në Bushehr, është shembull i qartë që tregon se vendi, nëse i përshtatet legjislacionit ekzistues ndërkombëtar dhe realizon bashkëpunim të hapur me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, duhet të ketë mundësi te qasja për përdorim paqësor të atomit”.

Ali Akbar Salehi, shef i Organizatës atomike iraniane të energjisë, tha se, “pavarësisht të gjitha presioneve, sanksioneve dhe vuajtjeve, të imponuara nga vendet perëndimore, ne jemi dëshmitarë të fillimit të simbolit më të madh të aktiviteteve paqësore atomike iraniane”.


Më herët ai i ishte falënderuar Rusisë për ndihmën në ndërtimin e centralit të parë atomik iranian.

“Ata kanë bashkëpunuar me shtetin e Iranit. Ata e kanë siguruar vendin në historinë e Iranit dhe e kanë bërë të njohur emrin e tyre. Ata kanë ndihmuar në fillimin e energjisë atomike në këtë central dhe kjo ka ndodhur në duart e mikut tonë dhe fqinjit, Rusisë”
, tha Salehi.

Inaugurimi shënoi përfundimin e tregimit të gjatë, që kishte filluar në vitin 1974, kur shkencëtarët nga Franca dhe Gjermania, e kishin filluar ndërtimin e dy reaktorëve sipas kërkesës së regjimit të atëhershëm iranian, që mbështetej nga perëndimi.

Në kohën e revolucionit islamik, në vitin 1979, kur u përmbys shahu i fundit, Mohammad Reza Pahlavi, reaktorët ishin kompletuar pjesërisht dhe projekti menjëherë u ndal.

Bushehr

Gjatë luftës Iran – Irak , në vitin 1980 e deri në vitin 1988, terreni i reaktorëve ishte dëmtuar rëndë, ndërsa pajisjet ishin vjedhur.

Në vitet ‘90, plani u rishqyrtua me ndihmën ruse, por kishin lindur probleme, pasi Rusia thoshte se Irani i kishte vonuar pagesat.

Tash Irani thotë se kapaciteti i ri do të jetë i pari në rrjetin e centraleve atomike, që do të prodhojnë 20 mijë megavat të energjisë elektrike, deri në vitin 2020, duke i mundësuar kështu Teheranit që të eksportojë më shumë naftë dhe gaz natyror.

Tashmë Irani është ballafaquar me katër valë të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me sanksione të ndara të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, lidhur me refuzimin e Teheranit, për ta ndalur punën në pasurimin e uraniumit, në së paku dy kapacitete të tjera, në Natanz dhe Fordoë, afër vendit Qom.

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara tha se nuk e sheh kapacitetin si rrezik potencial të zgjerimit, pasi Rusia ishte e përkushtuar për ta marrë prapa karburantin atomik të shfrytëzuar.

Në këtë mënyrë, u zbutën shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se Irani mund të ishte i aftë për riprocesim të materialit në plutonium në shkallë të armatimit, që është një rrugë tjetër e prodhimit të bombës nga uraniumi i pasuruar në shkallë të lartë.

Reaktori, i cili e ka një kapacitet operues prej 1 mijë megavatësh, është subjekt i monitorimit rigoroz të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Ish-ambasadori britanik në Teheran, Richard Dalton, thotë se reaktori në Bushehr, po e merrte një pranim të gjerë ndërkombëtar, pasi është “aktivitet legjitim”.

Më tutje Dalton thekson:

E gjithë kjo po bëhet nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Ekziston edhe faktori se për një kohë të gjatë ai pritej. Ky projekt është 35 vjet i vjetër dhe ishte pranuar nga pothuajse të gjitha vendet si legjitim, në raport me Marrëveshjen për moszgjerim, derisa ai është projekt civil i energjisë”.

“Prandaj, Shtetet e Bashkuara, që veçanërisht e kanë kundërshtuar atë, gjatë disa viteve të fundit, e kanë parë se ky projekt nuk është diçka që ata mund ta ndalin”,
thotë Richard Dalton.

Por, megjithatë javën e kaluar, ish-ambasadori amerikan në OKB, Xhon Bolton, e ka shtruar çështjen e sulmit ushtarak izraelit ndaj reaktorit, që në perspektivë, me gjasë, nuk mund të ndodhë.

Ish-ambasadori britanik, Dalton, shprehet se pikëpamjet e shprehura nga kritikët, si zoti Bolton, janë “ekstreme”, por ka pranuar se projekti Bushehr përmban elemente të shqetësimit potencial. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG