Ndërlidhjet

Provokimet nga veriu


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Çdo paralajmërim për pavarësi apo shkëputje të pjesës veriore nga Kosova, për autoritetet në Prishtinë cilësohet si provokim dhe kërcënim. Ndonëse autorët apo subjektet politike të një deklarate të publikuar të martën që fliste për pavarësinë e veriut nuk kanë dalë para opinionit, ajo nga Prishtina zyrtare është marrë me seriozitet dhe janë paralajmëruar reagime varësisht gjendjes në këtë pjesë të Kosovës.


Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës janë duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Disa paralajmërime të bëra nga politikanë anonimë serbë në veri se kjo pjesë mund të shpallë pavarësinë nga Kosova, nga autoritetet në Prishtinë është cilësuar si provokim dhe kërcënim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të reagojë konform sjelljeve të subjekteve serbe në veri që kanë paralajmëruar hapa aventuresk, siç i ka cilësuar ai, paralajmërimet për pavarësinë e veriut.
Bajram Rexhepi


“Ky është kërcënim dhe provokim dhe kanë pritur që ne do të reagojmë në mënyrë të pamatur, mirëpo ne e kemi përcjellë nga afër situatën dhe po ashtu edhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar, kemi qenë të gatshëm të veprojmë nëse ndodh një gjë e tillë”,
ka thënë ministri Rexhepi.

Rexhepi ka shtuar se mosmbështetja publike e ideve të tilla nga Serbia paraqet një mençuri politike që të mos deklarohet pro - aventurave eventuale në veri.

Sidoqoftë, Rexhepi ka theksuar se po përcillet situata dhe reagimet do të jenë konform sjelljeve në pjesën veriore.

“Konform asaj se si do të sillen ata, edhe ne do të marrim masa”
, ka theksuar Rexhepi.

Autori i deklaratës për pavarësinë e veriut, mbetet një enigmë edhe për faktorin politik serb në veri.

Kjo letër, pjesë të së cilës janë publikuar në disa media serbe të Kosovës, mban titullin “Deklarata për pavarësinë e Lidhjes së Komunave të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë (KAKM)” dhe ka gjithsej tetë pika.

Në të, gjithnjë sipas njoftimeve të botuara në mediat vendore serbe, thuhet se teksti i këtij dokumenti ka të bëjë ekskluzivisht me “pavarësinë e territorit dhe komunave që janë në përbërje të KAKM-së nga krijesa, të cilën krijuesit e saj e kanë quajtur Republikë të Kosovës”.

Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Marko Jakshiq, ka thënë se nuk e di se kush është Lidhja e Komunave, e cila qëndron pas deklaratës së djeshme, kur si organe serbe atje ekzistojnë Bashkësia e Komunave Serbe të Kosovës dhe Këshilli Nacional Serb.

Jakshiq thotë se lajmi është përhapur nëpërmjet hoteleve e kafiterive, duke hedhur dyshime te Ministria Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Marko Jakshiq

“Eventualisht, ndoshta pas kësaj deklarate qëndron dikush nga Ministria për Kosovën”, është shprehur Jakshiq, duke e hedhur poshtë mundësinë që pas deklaratës qëndrojnë strukturat serbe në veri, që për autoritetet e Prishtinës njihen si paralele.

Një deklaratë e tillë, ka nënvizuar ai, përveç se përçan edhe faktorin politik serb, ka mund të lansohet për të testuar opinionin rreth ideve për ndarjen e veriut.

“Personalisht mendoj se dikush me qëllim e ka lansuar atë, para së gjithash që të shohë se çka mendojnë politikanët serbë rreth kësaj ideje, e në radhë të parë se si do të reagojë komuniteti serb në Kosovë”, ka potencuar Jakshiq.

Prononcimeve të Marko Jakshiqit se pas kësaj deklarate mund të qëndrojë Ministria Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u është përgjigjur sekretari në këtë ministri, Oliver Ivanoviq.

Ai ka thënë se nuk e di autorin e deklaratës dhe nuk e sheh atë si serioze.
Oliver Ivanoviq


“Mendoj se po i kushtohet një vëmendje e tepruar një nisme të tillë jo shumë të rëndësishme”,
është shprehur Ivanoviq, duke e krahasuar atë me disa deklarata të mëhershme për mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Deklaratat e tilla, sipas tij, zakonisht bien poshtë pasi që nuk sigurojnë mbështetjen e nevojshme.


Pas njoftimeve nga veriu, edhe pse të pakonfirmuara, për mundësinë e ndërmarrjes së hapave që do të çonin kah pavarësia e kësaj pjese nga Kosova, dje në Prishtinë presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë thirrur në një takim edhe përfaqësuesit e vendeve të Quintit, por në fund nuk është dhënë ndonjë qëndrim zyrtar.

Disa media, ndërkaq e kanë cilësuar këtë deklaratë si një shaka të “1 Prillit” në mes të gushtit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG