Kosova është pranë anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, deklaroi në Bruksel ministri i Ekonomisë dhe Finanacave, Ahmet Shala.
“Jemi shumë optimistë se Kosova do të mund të marrë votat e nevojshme që të jetë pjesë e këtij institucioni shumë të rëndësishëm. Rrethanat pas publikimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë përmirësuar dhe shumë vende kanë reaguar pozitivisht dhe shpresojmë që dhe Komisioni Evropian do të na mbështesë për t’u anëtarësuar në BERZH”, tha ministri Shala.
Euro-komisionari për Ekonomi dhe Politika Monetare, Oli Rehn, shprehu mbështetjen e Brukselit për anëtarësimin e Kosovës.
“Anëtarësimi në BERZH mund të jetë një hap shumë i rëndësishëm përpara duke pasur parasysh dhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore në vitin 2009. Komisioni Evropian e mbështet këtë objektiv të Kosovës”, tha euro-komisionari Rehn.
Ky i fundit sqaroi se do të vazhdojë ndihma evropiane, që është element i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës. (i.b)