Përmirësimi i raporteve me Serbinë dhe integrimi i plotë i minoriteteve mbesin sfidat kryesore për Kosovën në rrugën drejt integrimit në mekanizmat evropianë dhe ndërkombëtarë, vlerësuan përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
Ata e quajtën të domosdoshëm bashkëpunimin me shtetin serb për krijimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe për luftimin e dukurive që vazhdojnë ta kërcënojnë sigurinë e shteteve rajonale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se Kosova nuk kërcënohet nga ndonjë sulm ushtarak i jashtëm, mirëpo problemet rreth sigurisë mbesin ato të brendshme.
“Lufta kundër korrupsionit, terrorizmit, kundër drogave dhe trafikimit me qenie njerëzore janë kërcënuesit kryesorë. Kontrolli kufitar i territorit të Kosovës - pikë kjo ende e ndjeshme për Kosovën, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, janë premisë për Kosovën e sigurt dhe kontribut për sigurinë rajonale dhe më gjerë”, tha Rexhepi gjatë forumit me temën “Ndarja e përgjegjësisë për sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në Prishtinë.
Serbia, sipas Rexhepit, është i vetmi vend në rajon, i cili nuk bashkëpunon me Kosovën për zgjidhjen e këtyre problemeve.
“Bashkëpunimi fqinjësor në luftë kundër këtyre sfidave është element krucial i ofrimit të stabilitetit dhe sigurisë rajonale. Shembuj të mirë të bashkëpunimit fqinjësor janë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, e në të ardhmen presim edhe me Serbinë”, u shpreh Rexhepi.
Ndërkaq, ekspertët për çështje të sigurisë në vend thanë se qasja aktuale e Serbisë ndaj Kosovës është destabilizuese, sidomos në pjesën veriore të vendit.
Eksperti Ramadan Qehaja, theksoi se Beogradi zyrtar po e mban nën kontroll pjesën veriore të Mitrovicës përmes strukturave paralele dhe shërbimit sekret serb.
Bashkëpunimi i autoriteteve serbe me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, siç u shpreh ai, është i pamjaftueshëm për t'i zgjidhur problemet e vendit në aspektin e sigurisë.
...çdo bashkëpunim me ndërmjetësues nëpërmjet dikujt tjetër, nuk është bashkëpunim dhe nuk mund të ketë sukses sikur ai të jetë i atypëratyshëm, i ndërsjellë, me mirëkuptim dhe të tjera.
“Është njëfarë bashkëpunimi ndërmjet EULEX-it, por çdo bashkëpunim me ndërmjetësues nëpërmjet dikujt tjetër, nuk është bashkëpunim dhe nuk mund të ketë sukses sikur ai të jetë i atypëratyshëm, i ndërsjellë, me mirëkuptim dhe të tjera”, tha Qehaja.
Bashkëpunimi rajonal përmendet si një ndër kushtet kryesore për shtetet që synojnë të integrohen në Bashkimin Evropian. Në vlerësimet e deritashme të Brukselit për përmbushjen e kushteve për integrim në BE, Kosova dhe Serbia janë kritikuar për mungesë të një bashkëpunimi të tillë.