Ndërlidhjet

Vendosmëria për zbatimin e strategjisë


Mitrovicë
Mitrovicë

Me gjithë kritikat drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare rreth zbatimit të strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës në jetën institucionale të vendit, në këto institucione thuhet se po vazhdojnë të ndërmerren hapa të rëndësishëm në krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut dhe në krijimin e tri komunave të tjera me shumicë serbe në veri.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Kai Mueller-Berner, tha se kjo zyrë vazhdon të punojë në baza ditore, në bashkëpunim me qeverinë dhe bashkësinë lokale, në ofrimin e shërbimeve më të mira në veri të Kosovës.

“Hapa të rëndësishëm janë marrë tashmë në këtë drejtim, me angazhimin e plotë të zyrtarëve të zyrës sonë në Mitrovicë. Mund t’ju jap dy shembuj: është emëruar një ekip përgatitor për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut dhe ai po punon në detyrën e tij me përfshirjen ditore të ICO-së dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.

“Së dyti, është hapur Zyra për Regjistrim Civil, e cila u mundëson njerëzve pajisjen me dokumentacionin kosovar dhe u shërben qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike në veri të Mitrovicës”,
tha ai.

Zyra për Regjistrim Civil
Mirëpo, veprimet e ndërmarra deri më tani për integrimin e veriut cilësohen të zbehta nga opozita në Kosovë dhe analistët për çështje politike.

Opsionet e shumta të hedhura në tryezën e ideve për zgjidhjen e problemit të veriut të Mitrovicës thuhet se vijnë për shkak të “qasjes së gabuar për integrimin e veriut”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli, tha se mënyrat për integrimin e veriut në jetën institucionale në Kosovë duhet të mbesin në kuadër të kornizave të Kushtetutës së Kosovës dhe të Pakos së Ahtisarit.

“Qeveria e Kosovës, pas mendimit të GJND-së, duhet ta shfrytëzojë këtë moment të shumëpritur që t’i zbatojë objektivat e veta, që kanë të bëjnë me respektimin e Kushtetutës dhe të ligjshmërisë në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Çdo qasje tjetër do të jetë me pasoja, jo vetëm për perspektivën e Kosovës, por edhe për perspektivën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në trojet tjera etnike”,
u shpreh Zeneli.

Ndarja e veriut apo krijimi i një autonomie speciale për pjesën veriore janë përmendur shpeshherë në javët dhe muajt e shkuar, por janë hedhur poshtë nga autoritetet në vend.

Analisti Behlul Beqaj tha se duhet të gjenden formula, të cilat nuk shkelin autoritetin e Kosovës, por të cilat u lënë mundësi serbëve të veriut të kenë kontakte me Beogradin zyrtar.

“Formula do të ishte shumë e thjeshtë, sepse jemi ithtarë të të drejtave të pakicës dhe relativizmit sa më të madh të çështjes së kufirit. Brenda këtyre kornizave besoj se mund të gjendet ndonjë zgjidhje, e cila do t’i integronte serbët në kuadër të institucioneve ligjore të Kosovës, por, në anën tjetër, do të kishte një komunikim të hapur me shtetin serb”, tha Beqaj.

Qeveria e Kosovës ndau së fundi një buxhet shtesë prej 500 mijë eurosh për mjetet tjera financiare që planifikohen të investohen në veri të vendit. Krahas kësaj është emëruar koordinatori për zbatimin e strategjisë.

Por, procesi në tërësi që përfshin edhe mbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës në veri dhe krijimin e komunave të reja me shumicë serbe thuhet se po pengohet nga ndikimi i Beogradit mbi strukturat paralele dhe mungesa e sundimit të ligjit në atë pjesë të vendit.

Lexoni edhe këto:
Beteja me strukturat paralele
Integrimi përmes investimeve

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG