Mënyra e vetme për të krijuar një situatë stabile në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas ekspertëve të ekonomisë, është zhvillimi ekonomik në atë pjesë të vendit dhe investimet kapitale që do të duhej të bëheshin.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 500 mijë eurosh për projekte kapitale në komunën e Mitrovicës, nga ekspertë të çështjeve ekonomike është vlerësuar si një hap i mirë.
Eksperti Mejdi Bektashi, thotë se përmirësimi i kushteve të jetesës, si dhe përmirësimi i infrastrukturës në veri të Mitrovicës do të kenë efekt shumë më të madh se çdo mënyrë tjetër e angazhimit për integrimin e asaj pjese.
“Veriu i Kosovës mund të integrohet më së miri përmes investimeve kapitale, sepse njerëzve gjithnjë e më pak po iu intereson politika, por po iu interesojnë kushtet ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës”.
“Hapi është i qëlluar dhe do të ndikohet në bashkësinë ndërkombëtare që edhe ata të jenë më të hapur në investimet kapitale në veri të Kosovës”, shprehet Bektashi.
Profesor Bektashi thekson se shuma prej 500 mijë eurosh nuk është e mjaftueshme për të investuar në ndonjë projekt kapital dhe se për integrim më të shpejtë të asaj pjese të Kosovës duhet të bëhen investime më të mëdha.
Ai shpreh shpresën se kjo është faza fillestare dhe më vonë do të ketë donacione edhe nga vendet tjera perëndimore për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar.
“Kjo jep një vetëbesim te qytetarët shqiptarë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës që disa të kthehen në ato territore, por njëkohësisht është një provokim për Qeverinë e Serbisë, e cila ndan shuma më të mëdha nga buxheti i Serbisë për t’i financuar disa projekte në pjesën veriore”, thekson Bektashi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar se ndarja e këtyre mjeteve për veriun e Mitrovicës është bërë në kuadër të angazhimeve shtesë që kanë si Qeveri e Kosovës, për projektet në pjesën veriore të vendit.
Ai ka thëne se për projektet kapitale është menduar që të propozohet ndarja e një shume prej 500 mijë eurosh, duke marrë parasysh edhe hapjen e Zyrës për Regjistrim Civil në veri të Mitrovicës.
Investimet ekonomike në këtë pjesë të Kosovës edhe eksperti i çështjeve ekonomike nga Instituti “Riinvest”, Alban Zogaj, i konsideron si mundësi të mirë për integrimin e kësaj pjese me pjesën tjetër të Kosovës.
“Konsideroj se hapi i fundit i Qeverisë është shumë i rëndësishme në procesin e integrimit të veriut dhe integrimit të qytetarëve të veriut në jetën në Kosovë. Me anë të investimeve ekonomike mund të krijohet një rezultat shumë i madh, e që nuk është parë në këtë drejtim”, vlerëson Zogaj.
Zogaj thotë se derisa problemi kryesor i shoqërisë kosovare është problemi social dhe se nuk ka më probleme të mëdha politike, është e kuptueshme që këto investime do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale.
“Një prej probleme më të mëdha të shoqërisë kosovare është papunësia, varfëria. Me zbutjen e këtyre problemeve, mendoj se do të krijohet një rrugë shumë e mirë e integrimit të veriut në shoqërinë kosovare dhe jetën shoqërore kosovare”, shprehet Zogaj.
Sidoqoftë, deri më tani janë diskutuar mënyra të ndryshme për daljen nga situata e krijuar në veri të Mitrovicës. Gjithashtu është përpiluar edhe strategjia për veriun.
Ndërkaq, së fundi, situata në veri të Kosovës u diskutua në mbledhjen e Këshilli,t të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.