Ndërlidhjet

SHBA: Kosova ka bashkëpunuar kundër terrorizmit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Raporti i Departamentit të Shtetit për terrorizmin trajton dhe gjendjen në Kosovë.


Në vitin 2009 nuk ka pasur akte të drejtpërdrejta terrorizmi në Kosovë, megjithëse ekstremistë islamikë ishin të përfshirë në komplote terroriste brenda vendit dhe në plan ndërkombëtar.

Ekstremistët kanë vazhduar të mbajnë lidhje me krimin e organizuar. Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i kanë mbikëqyrur gjatë gjithë vitit aktivitete që dyshohet të jenë terroriste.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe EULEX-i dyshojnë se disa nga shumë organizatat islamike joqeveritare që veprojnë në Kosovë, ishin të përfshira në aktivitete të dyshimta terroriste, në veçanti në pastrimin e parave për veprime terroriste në Lindjen e Mesme.

Qeveria është përpjekur t’i parandalojë ekstremistët që të përdorin OJQ-të për të fituar terren në Kosovë.

Policia e Kosovës dhe Njësia Kundër Terrorizmit e EULEX-it janë përgjegjëset kryesore në luftën kundër terrorizmit.

Të dyja këto struktura vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh, stërvitjesh dhe ekspertize.

Ato janë të fokusuara në parandalimin e sulmeve terroriste dhe aftësimin e pajisjen e oficerëve.

Kufijtë e pakontrolluar mirë, ku lehtësisht mund të hyjnë individë të përfshirë në trafikimin e njerëzve, armëve dhe narkotikëve, kanë dëmtuar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit.

Zyrtarët doganorë dhe kufitarë, të paguar keq, dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion dhe marrje ryshfeti.

Megjithatë, Ministria e Brendshme ka bërë disa përparime modeste në përmirësimin e kontrollit të kufijve.

Pasaportat e Kosovës kanë një numër garancish sigurie. Zyra e Prokurorit Special të Kosovës, e krijuar në vitin 2006, ka kryer të gjitha hetimet që lidhen me terrorizmin.

Kjo Zyrë raporton se ka një rast me akuza për terrorizëm në fazën e gjykimit dhe po ndjek 10 raste të tjera.

Raporti sjell rastin e Florim Ejupit, të cilin një panel i Gjykatës Supreme prej tre gjyqtarësh ndërkombëtarë dhe dy vendorë e liroi nga të gjitha akuzat për shkak të mungesës së provave.

Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Më 23 shtator, Qeveria e Kosovës u dorëzoi Shteteve të Bashkuara Betim Kaziun, qytetar amerikan. Më 24 shtator, një gjykatë në Nju Jork ka akuzuar Kaziun për përfshirje në konspiracion për të vrarë në një vend të huaj, si dhe për furnizim me materiale mbështetëse për terroristët.

Kaziu ka udhëtuar në Pakistan, ku është stërvitur për aktivitete të dhunshme, si dhe është përpjekur t’i bashkohet al-Shabab - it, një organizatë terroriste që vepron në Somali.

Përveç kësaj, Kaziu u përpoq të udhëtonte në Afganistan, Irak dhe Ballkan, për të luftuar kundër forcave të armatosura amerikane.

Kaziu udhëtoi për në Kosovë, ku u arrestua nga forcat kosovare të rendit e ligjit në muajin gusht.

Më 27 korrik, agjentët e FBI-së, Zyrës Federale për Hetime, arrestuan Hysen Sherifin së bashku me gjashtë persona të tjerë që përgatiteshin për akte terrorizmi.

Sherifi, 24-vjeçar, nga Kosova, ishte rezident në Karolinën e Veriut në SHBA. Sherifi akuzohet për një mori veprash penale që kanë lidhje me konspiracionin.

Si pjesë e këtyre planeve, Sherifi udhëtoi në Kosovë në korrik të vitit 2008, për t’u përfshirë në aktivitete ekstremiste.

Ai u kthye në prill për të krijuar mbështetje për muxhahedinët. Sherifi dhe të tjerët janë arrestuar përpara se të kryenin ndonjë akt terrorist.(i.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG