Prishtina zyrtare paralajmëron Serbinë që, pas prezantimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të bëhet gati për goditje dhe befasi të tjera.
Autoritetet kosovare planifikojnë që në koordimin me shtetet mike të Kosovës t’i kundërpërgjigjen iniciativës së Serbisë për paraqitjen e një rezolute kundër shtetësisë së Kosovës gjatë punimeve të sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se diplomacia kosovare do të ndërmarrë veprimet e saj adekuate po qe se, siç tha ai, Beogradi vazhdon të hedhë pengesa diplomatike në rrugën e afrimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“Serbia do të befasohet ende. Serbia do të merr goditje të tjera. Goditjet për Serbinë vijnë si rezultat i veprimeve të vetë Serbisë. Nëse diplomacia serbe do të vazhdojë të hedhë pengesa diplomatike në rrugën e afrimit, në rrugën e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, atëherë edhe ne do të bëjmë veprime të tjera”, tha Hyseni.
Këto deklarata ministri Hyseni i bëri pas kthimit të tij nga turneu diplomatik në Hagë, ku u shpall mendimi këshillëdhënës i GJND-së, dhe nga Nju-Jorku, ku mori pjesë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
Në këtë seancë, ministri Hyesni kishte kërkuar zhvleftësimin e rezolutës 12 44 dhe miratimin e një rezolute të re, me të cilën i jepet fund dokumentit ende në fuqi të Kombeve të Bashkuara - veprim ky që u kritikua nga analistët vendorë.
Mirëpo, kërkesa e Kosovës për miratimin e një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, sipas Hysenit, ka qenë hap i domosdoshëm.
“Është absolutisht e domosdoshme dhe është një veprim krejtësisht i natyrshëm dhe krejtësisht normal. Për më tepër mund t’ju them që kjo kërkesë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë te gati pothuaj të gjithë përkrahësit e Kosovës në Nju-Jork”, theksoi Hyseni.
Megjithatë, ai nuk deshi të japë detaje për mënyrën se si do të veprojë Kosova gjatë sesionit të 64-të, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Ne jemi duke punuar ngushtë me partnerët e Kosovës në OKB, me partnerët e Kosovës në Këshill të Sigurimit - me tre partnerët kyç të Kosovës që kanë të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Jemi duke bashkëpunuar dhe duke bashkërenduar të gjitha veprimet”, u shpreh Hyseni.
Hyseni bëri të ditur se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar takime me përfaqësues të dhjetëra shteteve, nga të cilët, siç tha ai, ka marrë premtime se shumë shpejt do të merret vendimi për njohjen e shtetësisë së vendit.
Muaji shtator, sipas shefit të diplomacisë kosovare, mund të jetë i frytshëm për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën.
Ministri Hyseni shprehu bindjen se përqendrimi i diplomacisë kosovare në Nju-Jork është rruga më e mirë për të lobuar për njohjen e pavarësisë së vendit.
Opozita kosovare, ndërkaq, e cilësoi të pamjaftueshme këtë gjë, duke theksuar nevojën për shtrirjen e lobimit edhe në Bruksel, te pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që hezitojnë ta njohin Kosovën.
...Kjo flet për atë që institucionet e vendit nuk kanë strategji përkitazi me çështjet e lobimit...
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, tha se institucionet kosovare nuk kanë strategji të mirëfilltë lobimi.
“Kemi pritur që pikërisht diplomacia kosovare të jetë më vepruese, në veçanti në këto pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe në vendet e tjera. Kjo flet për atë që institucionet e vendit nuk kanë strategji përkitazi me çështjet e lobimit”, tha Makolli.