Ndërlidhjet

Ahengjet “e rrezikshme”


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përdorimi i armëve të zjarrit në ahengjet familjare në Kosovë, në disa raste po përfundon tragjikisht.

Një fat të tillë në fund të kësaj jave ka përjetuar dyvjeçari nga Mitrovica, i cili është plagosur nga të shtëna armësh në një aheng në të njëjtin qytet.

Arbër Beka, zyrtar në Policinë e Kosovës, thotë se tashmë policia ka marrë aksion për ndalimin e të shtënave dhe arrestimin e personave, të cilët ilegalisht mbajnë armë zjarri.

“Gjatë vikendit në Mitrovicë është plagosur një fëmijë dyvjeçar nga një plumb qorr, derisa ishte duke ecur me prindërit e tij. E shtëna ka ardhur nga një aheng familjar”,
bën të ditur Beka.

Por, rastet e plagosjeve nuk janë të rralla. Ditët e fundit edhe një fëmijë 13- vjeçar, si dhe një femër, janë plagosur derisa ishin duke pritur në stacionin e autobusëve. Beka shpjegon:

“Si pasojë e përdorimit të armëve në ahengje, ditët e fundit nga shkrepja në aheng është plagosur edhe një fëmijë 13-vjeçar”.

“Po ashtu, është goditur edhe një femër nga gëzhoja e plumbit, me ç’rast është lënduar rëndë. Duke u nisur nga këto aksidente, policia ka marrë angazhime shtesë nëpër dasma dhe do të trajtohet secila informatë ku përdoret arma e zjarrit në ahengje”.


Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), disa herë ka organizuar fushata kundër shkrepjeve me armë zjarri në ahengje familjare duke e quajtur kampanjën “Festo me zemër jo me armë” .

Hana Obërtinca, zyrtare në UNDP, thotë se si rezultat i vetëdijesimit të qytetarëve përmes fletushkave, ka rënie të aksidenteve nga të shtënat me armë në ahengje.

“Projekti i UNDP-së për kontrollin e armëve, ka organizuar fushatën mediale “Festo me zemër dhe jo me armë”. Kemi shpërndarë fletushka, që u janë dedikuar të gjitha veturave nga policia kufitare dhe nga statistikat që janë marrë nga Policia e Kosovës ka pasur rreth 40 për qind rënie të aksidenteve nga të shtënat me armë në dasma”,
shpjegon Obërtinca.

Ndërkaq Sherife Vllahiu, qytetare nga Podujeva, thotë se të shtënat në dasma praktikohen nga dasmorët, por janë të rrezikshme.

“Nga ana e Podujevës po gjuajnë me armë. Tash është bërë shprehi madje edhe fëmijët të gjuajnë me armë në dasma, por mendoj që nuk është e drejtë e fëmijëve të shkrepin me armë, sepse është shumë e rrezikshme”,
shprehet kjo qytetare.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve policorë, do të vazhdojnë angazhimet shtesë për konfiskimin e armëve pa leje, si dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve.

XS
SM
MD
LG