Ndërlidhjet

Kush do ta mbikëqyrë hapësirën ajrore?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Derisa zyrtarët kosovarë thonë se hapësira ajrore do të mbikëqyret nga autoritetet e vendit, pas marrjes së menaxhimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, prej 12 gushtit 2010, nga konsorciumi fitues “Limak-Aeroport de Lyon”, ekspertët shprehin shqetësim lidhur me këtë çështje.

Këta të fundit thonë se nëse kontrata nuk është transparente, atëherë mund të dyshohet se për 20 vjet, sa do të jetë nën mbikëqyrje të aeroportit, kompania do ta menaxhojë edhe hapësirën ajrore.

Isa Mulaj shpreh shqetësimin se autoritetet përgjegjëse ende nuk i kanë bërë publike detajet e marrëveshjes me operatorin privat.

Shqetësimet e tij kanë burimin nga rasti i koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, në Shqipëri.

Ai thotë se shteti shqiptar tani është zhveshur nga kompetencat në këtë drejtim, pasi, sipas tij, çdo fluturim nga Shqipëria duhet të kërkojë leje nga koncesionuesi gjerman gjatë 20 vjetëve të ardhshëm.

Nëse kjo praktikë ndodh edhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Mulaj vlerëson se do të ngulfaten mundësitë e aktivizimit të aeroporteve ekzistuese, siç është ai i Gjakovës dhe Prizrenit.
...ANP-ja është i vetmi aeroport ndërkombëtar në Kosovë, prandaj edhe koncesionuesi mund t’i diktojë kushtet edhe për 20 vjetët e ardhshëm...


“Nëse Qeveria e Kosovës ka nënshkruar diçka të ngjashme me konsorciumin, atëherë do të kemi situatë të njëtë sikur në Shqipëri”.

“Problem tjetër është se ANP-ja është i vetmi aeroport ndërkombëtar në Kosovë, prandaj edhe koncesionuesi mund t’i diktojë kushtet edhe për 20 vjetët e ardhshëm”
, shprehet Mulaj.

Por, Lorik Fejzullahu, udhëheqës i Partneritetit Publik dhe Privat në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, tregon detajet e marrëveshjes.
Hapësira ajrore është çështje strategjike shtetërore, atëherë kjo hapësirë do të kontrollohet dhe menaxhohet nga Agjencia për Shërbimet e Navigimit Ajror, agjenci kjo që është në formim e sipër.

Ai thotë se hapësira ajrore e Kosovës nuk do të kontrollohet nga kompania fituese.

“Hapësira ajrore është çështje strategjike shtetërore, atëherë kjo hapësirë do të kontrollohet dhe menaxhohet nga Agjencia për Shërbimet e Navigimit Ajror, agjenci kjo që është në formim e sipër”.

“Deri më tash ky shërbim ka qenë Departament brenda ANP-së, si shoqëri aksionare, dhe tashmë do të nxirret nga aty dhe nuk do të jetë pjesë e këtij transaksioni apo konsorciumi dhe e gjithë hapësira ajrore do të kontrollohet nga kjo agjenci”, shpjegon Fejzullahu.

Tutje Fejzullahu shton se autoritete shtetërore nuk kanë nevojë për ndonjë autorizim nga koncesionuesi me qëllim të hapjes së ndonjë aeroporti tjetër në Kosovë.

Ndërkaq, Kushtrim Musa, nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës se Kosovës, thotë se Kosova ka sovranitetin e plotë të hapësirës ajrore mbi territorin e saj; ka autoritete ekskluzive për organizimin dhe rregullimin e aktiviteteve të aviacionit civil në hapësirën ajrore të saj.

Duke mohuar se hapësira ajrore mund të kontrollohet nga operatori privat i Aeroportit Ndërkombëtare të Prishtinës, Musa shpjegon se përdorimi i hapësirës ajrore të Kosovës është i lirë për të gjithë avionët civilë të regjistruar në Kosovë, me kushtin, siç thotë ai, që ky përdorim të bëhet në përputhje me rregullat dhe kufizimet e aplikueshme të përcaktuara me ligj.
Avionëve të huaj civilë, iu lejohet shfrytëzimi i hapësirës ajrore të Kosovës vetëm në masën e lejuar...


“Avionëve të huaj civilë, iu lejohet shfrytëzimi i hapësirës ajrore të Kosovës vetëm në masën e lejuar ose të autorizuar nga marrëveshjet ndërkombëtare të detyruara për Kosovën dhe vendimet e lëshuara nga autoriteti i Avacionit Civil dhe Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit”,
thekson Musa.


Ndryshe, hapësira ajrore e Kosovës mbikëqyret nga dy autoritete. Kosovarët mund të kontrollojnë hapësirën ajrore deri në 10 kilometra, ndërsa mbi këtë lartësi përgjegjësia i kalon NATO-s.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG