Ndërlidhjet

SHBA: Debat për zbulimin e informacioneve dhe gazetarinë


Xhulian Asangj, themeluaes i faqes WikiLeaks.
Xhulian Asangj, themeluaes i faqes WikiLeaks.
Derisa Pentagoni po zhvillon hetime për dëmet potenciale lidhur me zbulimin e më se 90 mijë dokumenteve sekrete të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për luftën në Afganistan, në SHBA është nxitur debati për rolin e burimeve gazetarske në zbulimet e tilla, në periudhën e të dhënave digjitale.

Zyrtarët në Uashington thonë se janë të shqetësuar për rrezikun që zbulimi i dokuemeteve mund të paraqesë për sigurinë kombëtare dhe njerëzit në Afganistan ose Pakistan, që kanë punuar kundër talibanëve apo al-Kaidës.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip Krouli, tha:

“Departamenti i Shtetit i bashkohet Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Mbrojtjes në dënimin e zubulimit të dokumenteve sekrete nga WikiLeaks”.

“Fakti se këto dokumente në të shumtën e rasteve janë të vjetra disa vjet, nuk e ndryshon shqetësimin tonë se ky aksion rrezikon sigurinë tonë kombëtare”,
tha Krouli.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se ka hapur hetime penale, me qëllim të gjetjes së burimit të këtyre informacioneve.

Xhulian Asangj, themeluaes i faqes WikiLeaks, i tha Radios Evropa e Lirë se ka vendosur t’u dërgojë dokumentet gazetave Nju Jork Tajms, Gardian dhe Der Shpigel, pasi këto janë “organizatat e shtypit më me ndikim” në Shtetet e Bashkuara, në Britani dhe në Gjermani.

Ai shpjegoi se motivim i tij ishte reformimi i sistemit, ku abuzimet janë të mbuluara nga zyrtarët, të cilët i regjistrojnë si të fshehta dokumentet, në mënyrë që informacionet e ndjeshme politike të mos bëhen publike.

“Vizioni prapa kësaj është vërtet antik. Me qëllim që ta bëni çfarëdo vendimi të ndjeshëm, ju duhet të dini se çka po ndodh. Me qëllim që ta bëni çfarëdo vendimi të drejtë, ju duhet të kuptoni se abuzimet ose planet për abuzim po ndodhin”.

“Si teknologë, ne mund të shohim se reformat e mëdha arrijnë shpejt kur publiku dhe vendimmarrësit e shohin se çka po ndodh me të vërtetë”,
tha Asangj.

Lidhur me këtë rast janë bërë krahasime me atë të ashtuquajturin “Letra të Pentagonit”, në vitin 1971, kur ish-analisti ushtarak amerikan, Daniel Ellsberg, derisa ishte i punësuar në RAND Corporation, i pulikoi 7 mijë faqe të një studimi sekret të Pentagonit për konfliktin në Vietnam.

Këto informacione ai i kishte dërguar në Nju Jork Tajms dhe në gazetat e tjera.

Administrata e atëhershme e presidentit Riçard Nikson ishte përpjekur për ta bllokuar publikimin e “Letrave të Pentagonit”, por kishte pësuar disfatë në Gjykatën Supreme, e cila vendosi në favor të Nju Jork Tajmsit dhe Uashington Postit, sipas amendamentit të parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për publikimin e materialeve.

Analisti Tom Glaiser, nga Fondacioni i Ri Amerikan, i tha Radios Evropa e Lirë se rasti i raporteve të Luftës në Afganistan është i ngjashëm me rastin e “Letrave të Pentagonit” në epokën e Internetit.

“Gjithnjë ka ekzistuar një balancim i ndjeshëm ndërmjet sigurisë kombëtare dhe interesit publik. Në rastin e ‘Letrave të Pentagonit’ ishte në favor të së drejtës së gazetave dhe gazetarëve, t’i publikojnë të gjitha të dhënat e ndjeshme”.

“Fakt është se ne po hyjmë në një botë me shumë të dhëna të tmerrshme digjitale përreth nesh dhe ekziston mundësi e madhe se ato mund të dalin në publik shumë shpejt. Bota do të ndryshojë. Ne duhet të mësohemi me gazetarinë në një botë të të dhënave digjitale”,
tha Glaiser.

Eksperti Stiven Aftergud, nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë, tha se është ende e domosdoshme që gazetaria t’i verifikojë informatat që i merr nga grupet si WikiLeaks.

“Shërbimi që ata ishin duke kryer deri tash, ishte ai i burimit të dokumenteve. Por, dokumentet nuk janë gazetari. Dokumentet mund të kequdhëheqin aq lehtë, sa edhe burimet e tjera”.

“Funksioni i gazetarëve ende duhet të kryhet sa me më shumë kujdes dhe përgjegjësi. Kjo nënkupton konfirimin të saktësisë së përmbajtjes së çfarëdo dokumenti të veçantë”,
tha Aftergud. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG