Ndërlidhjet

Pas GJND-së, loja luhet në veri


Në seancat dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni. Hagë, dhjetor 2009.
Në seancat dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni. Hagë, dhjetor 2009.

“Duhet të ketë kompromis nga të dyja palët, që do të sjellë njohjen e pavarësisë nga Serbia, por në mënyrë që Serbia të jetojë me të”, thonë analistët ndërkombëtarë.


Kosova e Serbia janë përfshirë në të ashtuquajturën luftë deklaratash në kohën që po afron 22 korriku, dita kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të bëjë të ditur opinionin këshillëdhënës rreth pavarësisë së Kosovës.

Me gjithë pritshmërinë në të dyja kryeqytetet, analistët ndajnë të njëjtin mendim se opinioni i Gjykatës nuk do të jetë as pozitiv, e as negativ për palët.

“Nuk mendoj se do të ketë fitues apo humbës të qartë nga procesi i GJND-së. Sipas të gjitha gjasave vendimi do të jetë një interpretim shumë i hollësishëm, që në fund do të thotë se ata nuk janë në gjendje të vendosin”.

“Do të jenë vetë shtetet që do të marrin vendimin për njohjen apo jo të pavarësisë”
, thotë Nikolas Gvosdev, nga “Naval War College” në Shtetet e Bashkuara.

Prishtina ka deklaruar se priten shumë njohje pas publikimit të opinionit të Gjykatës, mendim që nuk e ndajnë një numër analistësh.

Gvosdev për Radion Evropa e Lirë thotë:

“Vendimi i GJND-së nuk do të jetë pikë kthese në kuptimin që do të nxisë vendet e mbetura të BE-së, apo vende të mëdha si India dhe Kina për ta njohur Kosovën, e për të thënë se çështja është e mbyllur”.
...vendimi mund të jetë i rëndësishëm për detaje të caktuara ligjore, por nuk do të sjellë tërheqjen e vendeve që e kanë njohur Kosovën...


“Sa i përket perspektivës serbe, vendimi mund të jetë i rëndësishëm për detaje të caktuara ligjore, por nuk do të sjellë tërheqjen e vendeve që e kanë njohur Kosovën”
.


Mendimin e ekspertit amerikan e ndan dhe Hose Ignacio Torreblanca nga zyra në Madrid e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Nuk pres ndonjë ndryshim në qëndrimin ligjor e zyrtar të Spanjës. Pozicioni i Spanjës ka mbështetje të qëndrueshme si në mesin e ekspertëve ligjorë, ashtu edhe të dy partive kryesore politike”.
...shpallja e njëanshme e pavarësisë është në kundërshtim me rezolutën 12 44 dhe Spanja nuk do të shkojë deri te njohja e Kosovës...


“Të gjitha këto grupime mendojnë se shpallja e njëanshme e pavarësisë është në kundërshtim me rezolutën 12 44 dhe Spanja nuk do të shkojë deri te njohja e Kosovës”,
thotë Torreblanca.


Eksperti britanik Riçard Gouen shpreh mendimin se vendimi i Gjykatës ofron një mundësi që duhet shfrytëzuar.

“Vendimi në vetvete nuk do të jetë pikë kthese, por vendimi ofron një mundësi politike. Kjo mundësi politike është që Serbia dhe Kosova të zhvillojnë negociata serioze lidhur me të ardhmen e Kosovës”
, thotë Gouen.

Bisedimet janë të domosdoshme edhe për ekspertin amerikan, Nikolas Gvosdev:

“Kjo do të tregojë se megjithëse do të kemi vendimin e GJND-së, sërish do të na duhet një proces politik bisedimesh të drejtpërdrejta mes Prishtinës e Beogradit, si e vetmja rrugë për të ecur përpara”.

Republika e Kosovës

Serbia ka paralajmëruar se do ta çojë kërkesën për bisedime për statusin para Asamblesë së Përgjithshme. Gouen, njohës i OKB-së, thotë se një veprim i tillë nuk do ta zgjidhë problemin.

“Asambleja e Përgjithshme është një vend ku flitet, por vendimet serioze nuk diskutohen e nuk merren në këtë forum”
, sqaron eksperti britanik.

Duket se me gjithë kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës, Spanja do të përpiqet ta pengojë Beogradin ta dërgojë çështjen në Asamblenë e Përgjithshme.


“Mendoj se topi është në anën e Serbisë. Ata ndoshta nuk e kanë marrë vendimin ende për hapat e mëtejshëm. Ndoshta Spanja do të luajë rol që ta bindë Serbinë që të mos e ndjekë rrugën ligjore, atë të Kombeve të Bashkuara”,
thotë Torreblanca.

E, natyrisht kur flitet për bisedimet, pyetjet e para kanë të bëjnë me ndërmjetësuesit dhe temën e tyre.

“Mendoj se e vetmja rrugë që mund të negociohet, është përmes BE-së me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Mendoj se NATO-ja mund të ketë një rol, por padyshim është Bashkimi Evropian”,
shprehet Gouen.

Prishtina këmbëngul për bisedime teknike, kurse Beogradi për bisedime për statusin. Analistët mendojnë se veriu do të jetë elementi kyç i bisedimeve.

“Duhet të kemi disa lloj bisedimesh, që në fund na sjellin një lloj pakti mes dy palësh. Në thelb kjo do të thotë se Serbia duhet të pranojë se ekziston Kosova e pavarur, por nga ana tjetër Kosova ndoshta duhet të pranojë se do të ketë ndryshime kufijsh, apo disa ndryshime në marrëveshjen për territorin”.

“Me fjalë të tjera, duhet të ketë kompromis nga të dyja palët që do të sjellë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por në mënyrë të tillë që Serbia të jetojë me të”
, thotë Gvosdev.

Edhe eksperti britanik Gouen mendon se ujdia për veriun mes Prishtinës e Beogradit, do të sjellë dhe zgjidhjen afatgjatë. Të pyetur rreth faktit se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e hedhin poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve, Gouen thekson:

“Tre katër vjet më parë vendimmarrësit në Uashington dhe Bruksel e hidhnin vendosmërisht poshtë idenë e shkëmbimit të territoreve. Ishte një ide plotësisht e papranueshme”.
Me kalimin e viteve ka pasur një lloj pranimi gradual se një ide e tillë (shkëmbimi i territoreve) mund të jetë e mundur
dhe mund të jetë e menaxhueshme...


“Me kalimin e viteve ka pasur një lloj pranimi gradual se mund të jetë e mundur një ide e tillë dhe mund të jetë e menaxhueshme. Padyshim që do të marrë disa vjet dhe do të jetë një proces i gjatë”.

Gouen shton se veriu është praktikisht i ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Megjithatë analistët bien dakord se asnjë proces bisedimesh dhe asnjë zgjidhje nuk mund të vijë nga jashtë. Në fund, do të jenë Kosova dhe Serbia ato që do të vendosin.

“Do të bija dakord me atë se kërkohet vullnet politik nga Kosova dhe Serbia që të vendosin se çfarë duan të bëjnë, pasi lojtarët e jashtëm nuk do të imponojnë ndonjë zgjidhje”
, thotë Gvosdev.

Lexoni edhe këtë: Weller: Pas GJND-së, 30 njohje për Kosovën

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG