Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë u ka kërkuar autoriteteve kosovare dhe atyre serbe që të përmbahen nga deklaratat, të cilat mund të shkaktojnë shqetësim te banorët e Mitrovicës, kërkesë kjo që vjen pas ngjarjeve të fundit në veri dhe deklaratave të ndryshme lidhur me këto ngjarje.
Përfaqësues të ICO-së i thanë Radios Evropa e Lirë se dialogu në mes të palëve përgjegjëse do të ishte mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve që ndërlidhen me pjesën veriore të Mitrovicës.
Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffy, shprehu bindjen se deklaratat politike që shkaktojnë shqetësim te popullata, nuk janë në favor të krijimit të një ambienti të nevojshëm për, siç tha ai, përparimin demokratik.
“Është përgjegjësi e të gjithëve, e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe të qeverisë, udhëheqësve të komuniteteve, që të krijojnë ambientin e duhur për përparimin demokratik. Ky ambient nuk mbështetet nëse njerëzit thonë gjëra që shkaktojnë shqetësim dhe siklet. Andaj, është një përgjegjësi e përbashkët - askush nuk është i përjashtuar”, u shpreh McGuffy.
Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë shprehin bindjen se Beogradi dëshiron t'i shfrytëzojë reagimet e Prishtinës zyrtare lidhur zhvillimet e fundit në veri, për të forcuar qëndrimin serb se zgjidhja për veriun e Kosovës është shkëmbimi territorial apo ndarja territoriale e Kosovës.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, tha se veriu mund të jetë tema kryesore e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të pasojnë prezantimin e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së vendit.
Për këto bisedime, sipas Shalës, është e nevojshme një përgatitje më e mirë e autoriteteve në Kosovë.
“Tash mendoj se është koha kur pala kosovare do të duhej të ulej, ta përgatiste një strategji të qartë se çfarë dëshiron të arrijë me këto bisedime, t’i artikulojë vijat e kuqe dhe madje ta hartojë edhe një dokument, në bazë të të cilit do të bisedohej me Beogradin”, tha ai, për të shtuar se jashtë agjendës së bisedimeve duhet të mbetet statusi i Kosovës, integriteti territorial i vendit dhe tendenca për krijimin e ndonjë, siç e quajti ai, statusi të avancuar në veri, me të cilin, sipas Shalës, do të instalohej parimi i asimetrisë sa u përket të drejtave të komunitetit serb.
Zgjidhja e problemeve në veri të Kosovës, sipas koordinatorit për zbatimin e strategjisë së Qeverisë dhe të ICO-së për integrimin e veriut, Ylber Hysa, ka mbetur peng i procesit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në një deklaratë dhënë radios, Hysa tha se zhvillimi i bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, pas prezantimit të mendimit të kësaj gjykate, do të shkonte më shumë në favor të palës serbe. Mirëpo, zëdhënësi i ICO-së, McGuffy, tha se Zyra Civile Ndërkombëtare do të mirëpriste dialogun e drejtpërdrejtë ndërmjet palës serbe e asaj kosovare.
“U takon Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në kontakte të drejtpërdrejta. Është e nevojshme një gatishmëri politike për të dyja palët brenda një formati të pranueshëm për të dyja. Zyra Civile Ndërkombëtare gjithmonë ka mirëpritur kontakte të drejtpërdrejta, por u takon udhëheqësve të vendosin dhe të marrin pjesë në këtë”, tha McGuffy.
Ideja e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e njësive speciale policore në veri të Kosovës, pas incidenteve të fundit atje, kishte nxitur reagime të ashpra në Beograd.
Paralajmërimet për realizimin e një ideje të tillë u cilësuan si kërcënim i hapur për luftë nga autoritetet serbe.
Problemet në pjesën veriore të Kosovës thuhet se do të jenë në krye të temave në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të nisin pas përfundimit të procesit në GJND.