RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rossin, NATO-ja po i redukton trupat e misionit të vet në Kosovë. Në anën tjetër, pamë incidentet e fundit në Mitrovicë. A ia lejon, në fakt, gjendja aktuale e sigurisë NATO-s, që t’i reduktojë trupat në Kosovë?
LARRY ROSSIN
Vitin e kaluar dhe si parim i përgjithshëm, e edhe sipas pikëpamjes sime, Aleanca Veriatlantike, pra shtetet anëtare, vendosi që situata e përgjithshme e sigurisë dhe stabiliteti në Kosovë dhe rajon mundësonte reduktimin e madhësisë së KFOR-it me një fleksibilitet më të lartë - në gjendje për të kryer obligimet edhe me një prani të kufizuar.
Ata vendosën një sistem për ta bërë këtë hap pas hapi, por gjithashtu vendosën një mbikëqyrje dhe kontroll politik për të siguruar se, me evoluimin e këtij procesi, hap pas hapi, shtetet anëtare të ishin në gjendje të bënin një vlerësim mbi sigurinë, si edhe lidhur me kontekstin politik për të vendosur për përshtatshmërinë e hapit të ardhshëm.
Këto të gjitha janë çështje që po merren parasysh nga shtetet anëtare. Për momentin, kemi arritur të ashtuquajturën “porta e parë”. Nuk ka ende ndonjë propozim për të lëvizur te “porta e dytë”. Pra, jemi aty ku jemi dhe nuk do të ketë ndryshime të mëtejme derisa të vijë koha e një propozimi të bërë nga admirali Stravridis dhe derisa Aleanca Veriatlantike vendos se janë përmbushur kushtet.
Në përgjithësi e vlerësojmë si të mirë situatën e sigurisë. Ka pasur gjithmonë incidente në veri të Kosovës, por kjo do të merret parasysh në kohën e përshtatshme kur do të bëhet ndonjë propozim, e jo tani.
RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër ka të bëjë me kompetencat e kontrollit të kufijve. KFOR-i ia ka transferuar këto kompetenca Policisë së Kosovës për kufirin me Shqipërinë. Por, çfarë për kufirin me Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë? A janë forcat vendore të sigurisë të gatshme për t’i kontrolluar ato?
LARRY ROSSIN
Mendoj, ashtu siç thoni ju - me të drejtë, ka pasur një transferim detyrash nga KFOR-i te Policia e Kosovës për kufirin me Shqipërinë, marrë parasysh vlerësimin e situatës së sigurisë në këtë drejtim dhe aftësinë e policisë. Nuk ka pasur ndonjë propozim për t’i transferuar kufijtë e tjerë dhe këtu mendoj se komandanti i KFOR-it dhe autoritetet ushtarake do ta vëzhgojnë situatën aktuale dhe mundësitë për të siguruar se këtu, si në çdo zonë, KFOR-i të vazhdojë të mbajë një ambient të qetë e të sigurt me mandatin që mbulon tërë territorin e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi ka propozuar shfuqizimin e Marrëveshjes së Kumanovës. A e lejon situata e sigurisë në Kosovë që të realizohet një propozim i tillë?
LARRY ROSSIN
Fillimisht nuk do të doja ta vlerësoja propozimin, të cilin e kanë bërë autoritetet serbe. Nuk e kemi bërë një gjë të tillë publikisht dhe s’do të doja ta bëja tani.
Parimisht, secili ndryshim rreth mënyrës së zbatimit të Marrëveshjes së Kumanovës, do të ishte subjekt i vëmendjes së gjerë të shteteve tona dhe i diskutimeve në kanale të zakonshme me autoritetet serbe e ndoshta edhe me autoritetet kosovare që kanë të bëjnë me çështje të tilla, për ta kuptuar plotësisht situatën, e për t’i shikuar mundësitë. Por, këto janë vendime që do të merren dhe është e vështirë të përgjigjesh në një pyetje hipotetike.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra që thonë se Serbia mund të paraqesë një kërcënim për Kosovën në aspektin e sigurisë. Cili është vlerësimi i NATO-s për këtë çështje?
LARRY ROSSIN
Vlerësimi i NATO-s është se nuk ka kërcënim të sigurisë përreth vijës kufitare në mes të Kosovës e Serbisë - këtë e ka thënë edhe gjenerali Bentler në vlerësimin e tij. Në të njëjtën kohë, admirali Fitcxherald dhe të tjerë kanë vënë re ekzistimin e strukturave paralele që e mjegullojnë çështjen rreth gjendjes së sigurisë në veri.
Por, nuk mund të spekuloj se a përbën kjo një kërcënim të sigurisë, ose se a do të mundej për një shkallë të ndikohej siguria. Mendoj se aktorë të ndryshëm kanë pikëpamje të ndryshme në këtë çështje. E tëra që mund të them unë është se NATO-ja dhe KFOR-i, në bazë të obligimeve tona, janë në gjendje të merren me çfarëdo lloj eventualiteti lidhur me sigurinë.
RADIO EVROPA E LIRË
Problemet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, a paraqesin edhe një më shumë për planet e NATO-s në Kosovë?
LARRY ROSSIN
Nuk do të thosha që është domosdo kështu. Gjenerali Bentler e ka thënë se KFOR-i vazhdon të zhvillojë një dialog me forcat ushtarake serbe për të siguruar që, në rast të paraqitjes së vështirësive apo çështjeve të vogla, ato të zgjidhen si duhet.
Ky ka qenë rasti për tash 11 vjet. Konteksti i gjerë politik që ndërlidhet me Kosovën dhe Serbinë po i komplikon jo vetëm aktivitetet e KFOR-it, por pothuaj të gjitha gjërat. Mirëpo, këto janë të menaxhuara mirë kur bëhet fjalë për rolin e KFOR-it në Kosovë.