Ndërlidhjet

Dell: Të gjithë rrezikohemi nga terrorizmi


Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell

“Të gjithë jemi të rrezikuar nga terrorizmi ndërkombëtar”, ka thënë ambasadori amerikan, Kristofer Dell, një ditë pas arrestimit të një kosovari, të kërkuar nga SHBA-të, nën akuzat për terrorizëm. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ndërkaq, ka siguruar se Kosova nuk do të jetë vend i celulave të terrorizmit.


Kosova nuk është imune ndaj terrorizmit ndërkombëtar. Këtë qëndrim e kanë shprehur sot në Prishtinë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell.

“Besoj se të gjithë ne, në një masë, jemi të rrezikuar nga terrorizmi ndërkombëtar. Edhe sipas definicionit, terrorizmi ndërkombëtar nuk i respekton kufijtë apo njerëzit, nuk i respekton jetët e pafajshme”.

“Ne kemi parë se ka kapacitete që të përpiqet të sulmojë kudo dhe kurdo në cilindo vend. E di se autoritetet në Kosovë ndajnë shqetësimin tonë dhe janë të përkushtuara që të ndërtojnë kapacitetet e tyre që të zbulojnë, pengojnë dhe ta mundin çdo përpjekje për terrorizëm këtu”
, ka thënë ambasadori Dell.

Kjo deklaratë ka ardhur një ditë pasi Njësia Anti-Terrorizëm e Policisë së Kosovës, kishte arrestuar një shqiptar të Kosovës në rajonin e Mitrovicës, pas kërkesës për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara.

Mbi të pandehurin rëndojnë akuzat e prokurorit publik për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut, për sigurim të përkrahjes ose resurseve materiale për terroristë, përkrahje për terrorizëm dhe planifikim të vrasjes, rrëmbimit, gjymtimit, ose lëndimit të personave apo dëmtimit të pronës në ndonjë shtet të huaj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka siguruar se Kosova nuk do të jetë vend i celulave terroriste.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës
“Askush nuk është imun ndaj një terrorizmi të mundshëm. Megjithatë, mendoj se Kosova nuk do të jetë vend i celulave terroriste. Ne kemi kapacitete të mjaftueshme ta luftojmë këtë fenomen me forcat tona dhe në bashkëpunim me ndihmën e miqve tanë dhe mund të them një mesazh - që Kosova nuk do të jetë vend i celulave terroriste. Do t’i luftojmë me të gjitha forcat”,
ka deklaruar Rexhepi.

Ministri Rexhepi ka konfirmuar se arrestimi i 29-vjeçarit nga Mitrovica është bërë në bashkëpunim me zyrtarët e FBI-së. Urdhër-arresti dhe bastisja e shtëpisë janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.

“Kjo është një formë e bashkëpunimit shumë të mirë. Ne bashkëpunojmë jo vetëm me FBI-në, por me të gjithë ata që punojnë në këtë drejtim, në preventivin e terrorizmit”
, është shprehur Rexhepi.

Në një raport të vitit 2007 të Ministrisë së Punëve të Brendshme tërhiqej vërejtja nga rreziku i terrorizmit për shkak të pranisë së sekteve radikale islamike në Kosovë, të njohura ndryshe si vehabistë.

Ambasadori Dell dhe ministri Rexhepi kanë bërë thirrje për ngritje të nivelit të sundimit të ligjit në Kosovë, ndërkohë, që SHBA-të, për këtë qëllim i kanë dhuruar të premten Policisë së Kosovës, pajisje në vlerë prej rreth 400 mijë dollarësh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG