Ndërlidhjet

Thirrje për presion për zhvarrimet në Rashkë


Rashkë
Rashkë

Pas më shumë se tri javësh që kur u mbajt takimi i fundit në mes të delegacionit serb dhe atij shqiptar për persona të pagjetur, ende nuk ka ndonjë informatë më të hollësishme lidhur me varrezën masive në Rashkë.



Autoritetet në Kosovë ende janë në pritje të ndonjë sinjali nga shteti serb, i cili do t’ia hapte rrugën nisjes së ekshumimit të trupave në varrezën masive në Rashkë të Serbisë.

Takimi i fundit në mes të delegacionit serb dhe atij kosovar për persona të pagjetur, i cili ishte zhvilluar në fund të muajit maj, kishte përfunduar me kërkesën e palës serbe që, siç thuhej, institucioneve përgjegjëse në Serbi t’u jepet më shumë kohë për të saktësuar lokacionin e varrezës masive.

Anëtari i delegacionit të Kosovës, njëherësh drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se pala kosovare është e zhgënjyer nga dinamika e punës së autoriteteve serbe lidhur me varrezën masive në Rashkë. Megjithatë, ai shfaq shpresën që në ditët e ardhshme të arrijë ndonjë lajm nga Beogradi, lidhur me këtë çështje.

“Ndoshta do të kemi një informatë në ditët në vijim, sepse pritet që të jepet një lajm. Ka mbetur në mjegull, sepse lajmi pompoz ka dalë mu në Ditën e Evropës, e mos të bie tani që ata, faktikisht e kanë lajmëruar këtë varrezë për ndonjë përfitim tjetër politik. Si është e mundur të bëhet lajmërimi i një varreze, e pastaj të thuhet se nuk dihet vendi i saktë i lokacionit”, thotë ai.

Rashkë: Lokacioni i dyshuar për varrezë masive
Lajmi për ekzistimin e një varreze masive në Rashkë ishte bërë i ditur në fillim të muajit maj nga Prokuroria e Serbisë për krime lufte, zyrtarë të së cilës kishin shprehur bindjen se në varrezë gjenden diku 250 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë inkurajoi, ditë më parë, autoritetet serbe që të vazhdojnë punën në, siç thuhet, zbardhjen e së vërtetës lidhur me Rashkën.

Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë thonë se inkurajimi nuk është i mjaftueshëm për familjarët, të cilët presin informata për të afërmit e tyre, të zhdukur gjatë luftës.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, thotë se nevojitet një presion i shtuar politik i bashkësisë ndërkombëtare ndaj shtetit serb.

“Është një dallim i madh ndërmjet përdorimit të termit inkurajim dhe bërjes së presonit. Duket se EULEX-i, as nuk është në gjendje, as nuk ka gatishmëri e as vullnet politik, që t’i bëjë trysni Beogradit, sepse vendimet merren në Bruksel e Uashington. Andaj, Serbia po sillet si po sillet”,
thotë Shala, për të shtuar se zhvillimet politike në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që kanë të bëjnë me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe bisedimet që priten pas vendimit të këtij institucioni, kanë bllokuar gatishmërinë edhe të bashkësisë ndërkombëtare për të sjellë dritë në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë.

Sidoqoftë, puna e ekipeve të ekspertëve kosovarë dhe evropianë të mjekësisë ligjore thuhet se po vazhdon. Kohë më parë, ishte paralajmëruar hapja, brenda këtij viti, e 10 lokacioneve në territorin e Kosovës, të cilat dyshohet të jenë varreza masive.

Gërxhaliu bën të ditur se, përveç varrezës masive në Rashkë, e cila është caktuar tashmë prioritet për palën kosovare, është duke u punuar edhe në përgatitjet për hapjen e një lokacioni në Hade.

“Është duke u punuar në aspektin e përgatitjes së hapjes së Hades. Ky është një pikë-lokacion, në të cilin insiston edhe pala serbe, por meqenëse bëhet fjalë për një thellësi prej 30 metrash, atëherë duhet të bëhet një hapje e një krateri tejet të madh deri në një thellësi relativisht të gjatë, që të mund të punojmë në atë vend”, thotë Gërxhaliu.

Në Kosovë, që nga paslufta, mbesin të zhdukur më se 1860 persona.

Lexoni edhe këto:
Prishtina kërkon prani gjatë zhvarrimit
Beogradi kërkon kohë për Rashkën

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG