Ndërlidhjet

Hetime mbi varrezat në Maqedoni


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Maqedonia dhe Kosova do të formojnë grupe pune për hetimin e informacioneve mbi ekzistimin në Maqedoni të dy varrezave me shqiptarë - viktima të luftës në Kosovë. Kjo bëhet e ditur nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë dhe Ambasada e Kosovës në Shkup. Sipas të dhënave të ndryshme, supozohet që njëri varr ndodhet në Bllacë dhe tjetri në varrezat Butel të Shkupit.



Maqedonia është e gatshme të bashkëpunojë seriozisht me institucionet e Kosovës lidhur me dyshimet për ekzistimim në Maqedoni të dy varreve me shqiptarë të Kosovës, të cilët thuhet të jenë vrarë nga forcat serbe në periudhën e viteve 1998-‘99.

Duke iu referuar njoftimeve të Ministrisë kosovare të Drejtësisë, mediat kanë njoftuar se Departamenti i mjekësisë ligjore në Prishtinë ka pranuar të dhëna për ekzistimin në këto varre të trupave të së paku 17 shqiptarëve, që, në rrethana të paqarta, janë varrosur brenda territorit të Maqedonisë.

Njëri varr dyshohet të jetë pranë lumit Lepencë, në afërsi të Bllacës, dhe tjetri në brendi të varrezave Butel të Shkupit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thonë se ministrja Gordana Jankullovska është në dispozicion të çdarëdo ndihme që mund të kërkohet nga Kosova.

Qeveria e Maqedonisë
“Në parim, ministrja e Brendshme është e gatshme të bashëkpunojë, nëse kjo kërkohet prej saj”,
tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me këtë rast.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Jashtme bëhet e ditur se organet kompetente janë duke i shqyrtuar seriozisht këto informacione dhe se kanë pranuar një kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, e cila, muajin e kaluar, i është dërguar Ministrisë së Drejtëisë së Maqedonisë, përmes Ambasadës maqedonase në Prishtinë.

“Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim. Kërkesa është këtu dhe ajo po shqyrtohet seriozisht nga institucionet. Nga Ministria e Drejtësisë duhet të formohen grupe, të cilat do të punonin së bashku me institucionet e Kosovës për verifikimin e këtyre njohurive, të cilat vërtet janë serioze. Duhet të kërkohen lokacionet, të bëhet autopsia nga ekipet e mjekësisë ligjore, që të verifikohet nëse ka ose jo diçka të tillë”,
deklaroi Petar Çulev, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Kjo konfirmohet edhe nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shkup, Skënder Durmishi.

“Është e vërtetë se lidhur me këtë rast, ka pasur hipoteza dhe vazhdon të ketë supozime, madje edhe spekulime lidhur me numrin, kohën dhe vendin e varrosjes së tyre. Prandaj, kemi vlerësuar se është me rëndësi që të veprojmë në mënyrën e duhur dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Tash për tash dominon ideja që të formohet një grup i përbashkët i punës, i cili do të ketë në radhët e veta përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë, që t’i mbledhin të gjitha dëshmitë dhe të dhënat ekzistuese, për të bërë vlerësimin dhe ndriçimin e plotë të këtij rasti”,
deklaroi Skënder Durmishi.

Edhe nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë kërkojnë që të kihet kujdes me këto raste, e në veçanti me terminologjinë që përdoret - varre masive.

“Apelojmë që të kihet kujdes kur përmdet ‘varre masive’, derisa nuk hetohet rasti, pasi bëhet fjalë për familje, emocione apo për fate njerëzish. Andaj, termi ‘varre masive’ ndoshta duhet të evitohet”, deklaroi Petar Çulev, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG