Ndërlidhjet

Paga e pamjaftueshme


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Paga mesatare në Kosovë, e cila arriti në 272 euro, gjatë muajit të tretë të këtij viti, duke shënuar një rritje për rreth 15 për qind, krahasuar me një vit më parë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, mbetet e pamjaftueshme për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Ata thonë së kjo shifër duhet të dyfishohet, në mënyrë që të ketë përmirësim të gjendjes ekonomike të familjeve kosovare.


Të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës, tregojnë se pagë mesatare prej 272 eurosh marrin 75 mijë e 886 të punësuar, ndërsa këtë vit numri i të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është shtuar për 1200 veta.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se kjo pagë mesatare në Kosovë, është paga më e ulët në gjithë Evropën dhe nuk u përshtatet synimeve evropiane të Kosovës.

“Ndoshta duhet të mendohet për Ligjin mbi pagat minimale. Një pjesë e madhe e vendeve evropiane e kanë një ligj për pagën minimale, nëpërmjet të cilit përcaktohet niveli i pagës bazike, ku asnjë ndërmarrje nuk guxon të ofrojë pagë”
, shprehet Abdixhiku.

Në Kosovë, paga më e lartë mesatare është regjistruar në sektorin e shërbimeve të përgjithshme, ku në muajin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave të fundit, paga mesatare është regjistruar të jetë 345 euro.

Ndërsa, paga më e ulët mesatare është regjistruar në sektorin e strehimit. Dyqindenjëzetedy euro është regjistruar paga mesatare e këtij sektori, e që, sipas të dhënave të Entit, nuk ka pasur ndonjë ngritje të theksuar në dy vjetët e fundit.

Kosova, e cila momentalisht po realizon një rritje ekonomike diku rreth 6 për qind, sipas ekspertit të ekonomisë, Lumir Abdixhiku, është shumë prapa standardeve të nevojshme për përmirësimin e standardit të jetës së qytetarëve.

“Kemi një rritje të bruto produktit vendor në katër vitet e fundit deri në 800 milionë euro, ndërsa, në anën tjetër kemi rritje të varfërisë dhe papunësisë dhe kjo tregon për një pabarazi të shpërndarjes së vlerës së shtuar në Kosovë”, thekson Abdixhiku.

Më kritik për pagën mesatare të qytetarëve të Kosovës shprehet profesori i ekonomisë, Musa Limani. Gjendjen aktuale ekonomike dhe sociale të kosovarëve ai e konsideron jashtëzakonisht të rëndë.

“Duke pasur parasysh nivelin e çmimeve, unë do të thosha pa laps, se një pagë prej 200 eurosh parqet pagën minimale”.

“Në Kosovë nuk ka asnjë analizë në këtë drejtim dhe caktohen pagat sipas dëshirës, sipas sektorëve, ose rritja e pagave në Kosovë bëhet me presion, p.sh punëtorët e shëndetësisë protestuan për rritje pagash, po ashtu edhe policët, kjo nuk është e drejtë”,
shprehet Limani.

Ndër të tjera, Limani thotë se Qeveria e Kosovës, duhet të kërkojë nga ministritë përkatës që paga të caktohet në bazë të nivelit të çmimeve, sepse në Kosovë, siç thotë ai, proporcioni në mes nivelit të çmimeve dhe pagave është shumë i lartë.

“Nuk mund të ecim përpara me paga afrikane, e me çmime evropiane. Çmimet janë evropiane, pagat afrikane, çka do të thotë, se çdo herë bie standardi jetësor, ose çdo herë kemi rritjen e problemeve sociale të varfërisë, e të gjitha këto janë rezultate të moszhvillimit ekonomik
”, vlerëson Limani.

Sidoqoftë, duke iu referuar statistikave të vitit 2008, sipas Entit të Statistikave, vihet re një tendencë rritjeje, edhe pse në nivel modest.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG