Ndërlidhjet

EULEX: Të luftohet korrupsioni në nivel lokal


Pjesëtarë të misionit EULEX
Pjesëtarë të misionit EULEX

Prokurorët, gjyqtarët dhe policët kosovarë duhet të merren seriozisht edhe me korrupsionin në nivel lokal, thonë zyrtarë të EULEX-it. Sipas tyre, prokurorët evropianë nuk janë në gjendje të merren me rastet për korrupsion në të gjitha nivelet.



Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë kërkon nga autoritetet kosovare që të merren me rastet e korrupsionit edhe në nivelin lokal.

Krahas hetimeve që po zhvillohen ndaj dhjetëra personave të nivelit, siç thuhet, të lartë zyrtarë, theksohet nevoja për shqyrtimin e rasteve për korrupsion edhe nëpër gjykata komunale.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë, Kristina Herodes, thotë se EULEX-i nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me korrupsionin në të gjitha nivelet.

“Kemi më pak se 20 prokurorë që, për momentin, punojnë për EULEX-in. Kjo do të thotë se nuk mund të merremi me të gjitha rastet të korrupsionit në Kosovë. Prokurorët dhe policët kosovarë duhet të merren gjithashtu me këtë problem”,
thotë Herodes.

Zyrtarët e nivelit të lartë, që po hetohen nga EULEX-i, përfshijnë edhe nivelin qeveritar.

Sipas mediave lokale në Kosovë, përveç hetimeve për korrupsion që, ndër të tjera, po zhvillohen ndaj njërit anëtar të kabinetit aktual qevertiar, Fatmir Limaj, prokurorët evropianë thuhet se janë duke u marrë intensivisht edhe me dy raste të tjera të të njëjtit nivel.

Hetimet për korrupsion që i zhvillon EULEX-i, sipas Herodesit, janë raste më të ndjeshme që i përkasin nivelit të Gjykatave të Qarkut.

“Prokurorët e EULEX-it janë të përfshirë në hetimin e 45 rasteve të korrupsionit në nivelin e Gjykatave të Qarkut. Jemi duke hetuar në gjithë Kosovën. Ky numër është mjaft i vogël, por ne jemi duke hetuar vetëm rastet më të ndjeshme”,
thekson Herodes duke e cilësuar si të domosdoshëm shtimin e angazhimeve të Prokurorisë dhe të Policisë së Kosovës në drejtim të luftës kundër korrupsionit edhe në nivel komunal.

Përmasat e korrupsionit në nivelin komunal, sipas qytetarëve në Kosovë, janë të dukshme në shumë sfera. Ryshfeti, keqpërdorimet në dhënien e tenderëve të ndryshëm, janë llojet e korrupsionit, që, sipas tyre, ekzistojnë nëpër komuna.

Selatin Ahmeti nga Prishtina thotë se duhet të ngritët bashkëpunimi në mes të autoriteteve përgjegjëse në këtë drejtim.

“Drejtpërdrejt nuk vërehet, por shihni se si është bërë qyteti, me leje pa leje - si të duash i marrin dhe i japin. Ata që duan ta kryejnë punën e kryejnë, por duhet (ta kryejnë) edhe policia, edhe populli, duhet edhe prokurorët, edhe gjyqtarët - duhet të gjithë”
, thotë Ahmeti.

Deklaratat e fundit të udhëheqësve të Kosovës që flasin për një vendosmëri në luftën kundër korrupsionit, sipas Vesel Topojanit nga Kaçaniku, kanë mbetur vetëm qëllime deklarative.

“Ai pati thënë kështu edhe para një viti. Thonë se ligjet ekzistojnë, mirëpo me ligje nuk jemi duke punuar, as prokuroria, as gjykatat, asnjë aspekt”
, shprehet Topojani.

Autoritetet në Kosovë, ndërkaq, kanë thënë se aktualisht po zhvillohen hetime ndaj 111 zyrtarëve, përfshirë Qeverinë aktuale dhe ato paraprake, si raste të dyshuara për korrupsion.

Një numër i madh i këtyre rasteve, thuhet të jenë kryesisht në kompetencë të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.

Mirëpo, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, heziton të komentojë punën e institucionit që ai udhëheq, kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit në nivel lokal.

Përfaqësues të Policisë së Kosovës, ndërkaq, e cilësojnë si të mirë bashkëpunimin me prokurorët vendas lidhur me hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar, por theksojnë se duhet bërë përmirësime në këtë drejtim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, shpjegon aktivitetet e mekanizmit, të cilin përfaqëson:

“Në kuadër tonin, ne jemi duke u angazhuar në ngritjen e kapaciteteve te zyrtarë në fusha të caktuara, që do të thotë trajnime shtesë për hetuesit që merren drejtpërdrejt me luftimin e korrupsionit në terren”.

“Ne do të angazhohemi që të kemi një bashkëpunim edhe më të mirë edhe me Prokurorinë, mirëpo natyrisht edhe në bashkëpunim me qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG