Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në veri të Kosovës dhe në një komunë në pjesën qendrore të vendit, autoritetet kosovare e ndërkombëtare në Kosovë vazhdojnë të këmbëngulin në strategjinë për shtirjen e autoritetit në veri, si planin më të mirë për të përmirësuar gjendjen në atë pjesë të vendit dhe për t’i liruar banorët lokalë nga, siç thuhet, ndikimi i Beogradit zyrtar.
Interesi i Serbisë për të forcuar më tej veprimin e strukturave paralele në territorin e Kosovës, synohet të pengohet përmes veprimeve të koordinuara me mekanizmat ndërkombëtarë në vend.
Pavarësisht kritikave që flasin për dështimin e strategjisë për veriun, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, inkurajon Qeverinë e vendit dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare në zbatimin e këtij dokumenti, ndërsa hedh poshtë mundësinë e përdorimit të dhunës.
“Ne duhet të mësohemi për erërat e reja që kanë fryrë në Ballkan. Ka kaluar koha kur ushtria dhe policia u përdorën për t’i imponuar me dhunë njerëzit për të dalë ose për të mos dalë në zgjedhje”, thotë ai.
Paralajmërimet për vënien e çështjes së veriut në listën e temave kryesore të bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Prishtinës vijnë nga analistët politikë në vend.
Hulumtuesi për Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, thekson se veriu i Kosovës duhet të jetë një nga temat qendrore të bisedimeve në mes të dy shteteve fqinje - bisedime këto, të cilat pritet të zhvillohen në vjeshtën e këtij viti - pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së vendit.
“Kjo gjë ndërlidhet me shumë faktorë, siç janë: çështja e veriut, funksionalizimi i plotë, pa pasur nevojë të konsultohet me Beogradin, i EULEX-it në veri, implementimi i plotë i mandatit të tij, shuarja e strukturave paralele dhe një jete paralele të serbëve të Kosovës që e bëjnë në Kosovë, por edhe ruajtja e unitetit të rendit kushtetues të Kosovës”, thekson Rashiti.
Emërimi i Ylber Hyses si koordinator për zbatimin e strategjisë për veriun, megjithatë, mbetet veprimi i vetëm që është bërë në drejtim të jetësimit të dokumentit në fjalë.
Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare, ndërkaq, ritheksuan përkushtimin e tyre për t'i realizuar objektivat që parashihen me këtë strategji.
Mirëpo, të pyetur për lidhshmërinë eventuale të hapave të mëtejmë në veri të Mitrovicës dhe çështjes së bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffy, tha se ICO-ja “inkurajon bashkëpunimin rajonal dhe se shpreson që Kosova e Serbia mund të gjejnë dhe të hulumtojnë një gamë të temave në interes të përbashkët”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, e cilëson kohën si element të domosdoshëm në veprimet e ardhshme për veriun.
“Ju e dini që institucionet e Kosovës asnjëherë s’kanë qenë kundër bisedimeve teknike me Beogradin, por bisedimet politike mendoj se kanë përfunduar. Konsiderojmë se duhet një kohë që institucionet e Kosovës ta shtrijnë ndikimin e tyre dhe sundimin e ligjit në atë pjesë të Kosovës”, thotë Krasniqi.
Edhe pse nuk pranohen si legjitime nga mekanizmat kosovarë e ndërkombëtarë, rezultatet preliminare për zgjedhjet lokale serbe e përcaktojnë fituese për veriun e Mitrovicës Partinë Serbe të Progresit të Tomislav Nikoliqit, ndërsa në Novobërdë udhëheq Partia Demokratike.