Në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, apo me të parë të dobësuar. Këta persona ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, por infrastruktura rrugore është një ndër problemet që i mundon dhe ua kufizon lëvizjen e lirë me shkop, vlerësojnë përfaqësues të Shoqatës së të verbërve dhe me të parë të dobësuar në Kosovë.
Për jetën e tij të përditshme, telashet dhe sfidat rrëfen Asllan Canolli, i verbër. Canolli thotë se të verbrit në Kosovë janë shumë të anashkaluar në shumë aspekte jetësore.
“Në jetën e përditshme jemi me shoqërues, por kur jemi vetëm, në disa nyje ekzistojnë semaforët akustikë. Por, në Prishtinë punojnë vetëm 5 semaforë, të tjerët nuk punojnë dhe është problem, sepse ka ngarkesë në komunikacion dhe është mjaft i dendur”.
“Vështirësi tjetër janë edhe rrugët kur rregullohen, sepse na sjellin probleme gropat dhe ne, si të verbër, hasim në vështirësi”, thotë Canolli.
Sipas përfaqësuesve të Shoqatës për persona të verbër në Kosovë, që nga viti 2005 në Prishtinë janë instaluar shtatë semaforë akustikë, pesë prej të cilëve, sipas kreut të kësaj shoqate, Mexhit Foniqi, tashmë janë jashtë funksionit.
Kjo gjë, siç thotë Foniqi, është një nga problemet që ua pamundëson të verbërve të dalin në rrugë pa ndonjë shoqërues.
“Kemi marrë premtime që do të rregullohen shumë nyje semaforësh, por rrugët te ne janë ende kaotike, hapin kanale të ndryshme dhe mossinjalizimet në vende të punës në rrugë janë shumë problematike”.
“Te ne, i verbëri e merr shumë vështirë guximin të dalë me shkop, sepse nuk ndihet i sigurt”, bën të ditur Foniqi.
Premtimet e shumta të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e gjendjes së të verbërve, sipas Foniqit, nuk janë realizuar, sidomos kur bëhet fjalë për infrastrukturën rrugore.
“Institucionet deklarativisht na përkrahin mjaft, por kur vjen puna për punë konkrete, aty ngecin dhe arsyetohen për mungesë mjetesh”, thotë Foniqi, duke shtuar se problemet e personave të verbër në Kosovë shkojnë përtej suazave të lirisë së lëvizjes.
“Problemet e të verbërve janë pozita e tyre, çështja financiare, integrimi në shoqëri, që të verbrit hasin përgjithësisht në jetë”, thekson Foniqi.
Zyrtarë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës thonë se, sa i përket infrastrukturës rrugore për të verbrit dhe personat me të parë të dobësuar, përveç semaforëve akustikë, nuk ekziston ndonjë projekt i veçantë që do t’ua lehtësonte atyre lëvizjen me shkop.
Përfaqësuesi i këtij institucioni, Habib Qorri, shpreh shqetësimin lidhur me semaforët akustikë.
“Semaforë me zë akustik, janë 5 dhe varësisht prej punëve që janë duke u zhvilluar, herë pas here kanë ndërprerje. Tash edhe një do të dalë prej funksionit”, shprehet Habib Qorri.
Sipas zotit Qorri, këtë vit është në plan të realizohen edhe 5 nyje të reja të semaforëve. Një projekt tjetër, me të cilin synohet të lehtësohet lëvizja e të verbërve në qytet, siç thotë ai, janë punimet e ardhshme që pritet të bëhen në trotuaret e kryeqytetit.