Ndërlidhjet

Hooper: Beogradi dëshiron marrëveshje për ndarje


James Hooper
James Hooper

"Kur të hapet kjo çështje, kufiri i Kosovës me Shqipërinë e Maqedoninë bëhet një çështje që duhet vënë në tavolinë dhe kësisoj hapet kutia e radikalizimit politik”, thotë James Hooper, ish-diplomat amerikan.








RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hooper, mundësia e bisedimeve teknike midis Prishtinës dhe Beogradit është shfaqur sërish. Duke marrë parasysh qëndrimet ekstremisht të kundërta midis të dyja palëve në shumë çështje, sa mund të shpresohet për ndonjë rezultat nga këto bisedime?

JAMES HOOPER
Është një pyetje e mirë dhe me vend, sepse tani dihet se ekziston një element i ri në këtë situatë. Për herë të parë në një periudhë të gjatë kohore, Serbia dëshiron marrëveshje. Ata duan një marrëveshje që do ta ndante Kosovën.

Në të kaluarën, kjo çështje ka qenë e ngrirë, thjesht për faktin se gjatë bisedimeve në procesin Ahtisari dhe para tyre, Beogradi thoshte vazhdimisht jo, jo dhe jo. Tani, kur, sipas të gjitha gjasëve, Beogradi dëshiron një marrëveshje mbi veriun, për ta ndarë atë, komuniteti ndërkombëtar po tregon interesim.

Besoj se është e ndershme të potencohet gatishmëria e disa qendrave evropiane për ta hulumtuar këtë mundësi. Mbase, disa qendra dhe qeveri evropiane e shohin këtë gjë si një element atraktiv.

Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, me vendosmëri, kundërshtojnë ndarjen e Kosovës. Edhe unë vendosmërisht jam kundër këtij opsioni. Qeveria e Kosovës vendosmërisht kundërshton ndarjen e Kosovës. Dhe, njëkohësisht, përveç faktit se Beogradi dëshiron të arrijë marrëveshje mbi këtë element të ri, duhet nënvizuar se edhe në kuadër të Kosovës gjithashtu është një emelent paralelisht i ri mbi këtë çështje.

Unë i kam kaluar ditët e fundit në Kosovë dhe jam takuar me shumë njerëz, përfshirë këtu edhe serbët e Kosovës, dhe kam zbuluar se edhe ata, vendosmërisht, madje edhe më fuqishëm se shqiptarët e Kosovës – nëse kjo është e mundshme – kundërshtojnë ndarjen. Në këtë vend, nuk është askush më i zemëruar me politikat e Beogradit karshi Kosovës, seç janë serbët e Kosovës.

Ata kanë vuajtur nga kjo, nuk e shohin si hap përpara dhe madje e konsiderojnë ndarjen si katastrofale. Në fakt, ata janë në një vijë me Qeverinë e Kosovës, me shumicën shqiptare dhe me Shtetet e Bashkuara, në frontin që kundërshton këtë mundësi. Mendoj se ky është një element i ri dhe i rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ideja e ndarjes po qarkullon tani në kuadër të teorive për përshtatje kufijsh apo status të posaçëm autonom për veriun. Cilat janë saktësisht rreziqet, jo vetëm për Kosovën, por për rajonin në përgjithësi?

JAMES HOOPER
Mendoj se disa në Evropë mund të jenë joshur në këtë drejtim, por jo në Shtetet e Bashkuara. Disa qarqe në Evropë e shikojnë këtë opsion, pra si element tërheqës për bisedime, sepse mendojnë se një gjë e tillë do t’i zgjidhte problemet e tyre me Beogradin.

Në fakt, me këtë problem nuk përfundon. Për fat të keq, hap shumë probleme të tjera. Ngrit të gjitha çështjet e kufijve dhe këtu s’bëhet fjalë vetëm për një kufi. Kosova ka kufij rreth e përqark, hap çështjen e kufijve të tjerë dhe kjo tashmë është ngritur si çështje në Uashington dhe disa qeveri evropiane, të cilat janë kundër ndarjes.

Kur të hapet kjo çështje, kufiri i Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë bëhet një çështje që duhet vënë në tavolinë dhe kësisoj hapet kutia e radikalizimit politik, e të gjitha zhvillimeve fatkeqe, që do të ishin shumë, shumë negative. Në këtë mënyrë, hapet dera për zgjidhje të dhunshme të asaj që sot, në shumë mënyra, mund të shihet si situatë stabile.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet mbi çështjet praktike do të mbahen, siç është pohuar, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të ketë dhënë mendimin e saj mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë. Çfarë mund të pritet në fakt nga një mendim i këtillë?

JAMES HOOPER
Natyrisht, nuk jam i sigurt se ç’do të thotë GJND-ja, nuk kam njohuri nga brenda, jam thjesht një vëzhgues, por besoj se mendimi do të jetë mbase i “balancuar”. Kjo nënkupton se brenda këtij opinioni, do të ketë disa gjëra për Kosovën dhe disa të tjera, me të cilat mbase Serbia do të mund të kënaqet.

Por, mendoj se në masë më të madhe do të kënaqë Kosovën, të paktën kështu shpresoj. Megjithatë, pavarësisht nga situata, fakti se Serbia ka pasur sukses që çështjen e statusit ta çojë deri te Gjykata, ka mundësuar bllokimin e përparimit të mëtejmë në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Tani, ka ardhur koha për të lëvizur dhe Serbia këtë e di. Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të përgatitur strategjinë që tani dhe menjëherë pas publikimit të mendimit, duhet t'i dërgojë emisarët në mbarë botën dhe të kërkojnë nga qeveritë njohjen e Kosovës. Çështja kryesore është të rritet numri i njohjeve në 100, deri në kohën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mban sesionin, në shtator.

Mendoj se Serbia dëshiron të arrijë marrëveshje që tani për veriun dhe të përfitojë disa koncesione, kur ende duket se ka pozicion të fortë, sepse së shpejti do të ketë pozicion të dobët dhe nuk do të ketë më marrëveshje mbi këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, më 2 qershor, Bashkimi Evropian mban samitin e radhës në Bosnjë. Me disa aranzhime kompromisi, Kosova dhe Serbia pritet të marrin pjesë. Meqë bllokut evropian ende i mungon qasja e unifikuar karshi Kosovës, si e shihni ju këtë përpjekje të fundit, posaçërisht të Spanjës, si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian?

JAMES HOOPER
Është një çështje paksa e ndërlikuar. Në Bashkimin Evropian, i cili natyrisht është i preokupuar me problemet e veta financiare dhe politike mbi të ardhmen e tij, ekziston një ndjenjë në rritje e pranimit se duhet të jetë në gjendje të merret me më shumë se një problem në të njëjtën kohë.

Çështja e Bosnjës dhe Republikës Serbe dhe çështja e Kosovës dhe veriut të saj po ngrihen nga njerëzit në Beograd dhe veçanërisht nga zoti Dodik në Bosnjë, prandaj evropianët janë nervozë se në ç’drejtim mund të shkojë e gjithë kjo.

Mendoj se do të ishte një hap i madh përpara nëse liderët e këtyre dy vendeve fqinje mund të jenë në të njëjtën konferencë, por në të njëjtën kohë mendoj se duhet pasur shumë kujdes, sepse përpjekjet për zhvlerësimin e pavarësisë së Kosovës apo stabilitetit dhe kufijve të Bosnjës, ende nuk kanë marrë fund.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju gjendeni aktualisht në Kosovë, në kuadër të një projekti për pakicat kombëtare të institutit “Public International Law and Policy Group”. Cilat janë gjetjet tuaja deri më tash?

JAMES HOOPER
Do të flasim për këtë të hënën, në një takim me gazetarët. Jemi ende duke zhvilluar takime dhe duke udhëtuar në gjithë vendin, sepse duam të jemi sa më të saktë. Nuk kam qenë këtu tash e dy vjet dhe nuk dua të them se jam ekspert, por ajo çfarë kam gjetur, është se ka shumë përparime, madje të jem i sinqert, më shumë se që kam pritur, në çështjen e komuniteteve.

Kosova ka një nga kushtetutat më të mira në Evropë, në kuptimin e çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetet e pakicat dhe ligjet janë po aq të mira, në mos edhe më të mira, se në vendet evropiane. Por, ka probleme thelbësore në zbatimin e tyre dhe këtu ka më shumë nevojë për përparime.

E dimë se ka probleme financiare dhe kufizime buxhetore në Qeverinë e Kosovë, jemi të vetëdijshëm për këtë, por ka shumë gjëra që mund të bëhen. Është përgjegjësi e Qeverisë të zotojë më shumë fonde në çështjet që u takojnë pakicave. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar gjithashtu të ofrojë më shumë fonde të këtilla.

Në këtë kuadër, ka mënyra të shumta për shumicën shqiptare t'i zgjerojë kufijtë e patriotizmit, duke ndihmuar pakicat që të ndërtojnë ndjenjën e të qenët kosovarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG