Ndërlidhjet

Në pritje të sqarimeve rreth varrezës në Rashkë


Rashkë, vendi ku është identifikuar varreza masive
Rashkë, vendi ku është identifikuar varreza masive

Autoritetet kosovare janë në pritje të takimit me palën serbe në lidhje me varrezën masive në Rashkë, ku dyshohet të jenë trupat e mbi 250 shqiptarëve të vrarë në luftë. EULEX-i është takuar me zyrtarë të Prokurorisë për krime lufte në Serbi.


Pas urdhërimit të hetimeve për varrezën masive në Rashkë të Serbisë, ku dyshohet se janë varrosur më shumë se 250 shqiptarë të vrarë në luftë, autoritetet kosovare janë në pritje të informacioneve, apo të një takimi të mundshëm me palën serbe.

Prokurorët për krime të luftës në Serbi, i kanë filluar procedurat ligjore për zhvarrosjen e trupave të pajetë, ndërsa hetimet në terren do të pasohen nga ekshumimet, autopsitë dhe identifikimi i viktimave.

EULEX-i ka konfirmuar takimet me zyrtarë të Prokurorisë serbe.

“Hetuesit e EULEX-it kanë qenë në Beograd, për të kërkuar informacione tjera që lidhen me varrezën e mundshme masive në Rashkë të Serbisë. Takimi është mbajtur me prokurorin për krime lufte. Takimi ka qenë i mirë dhe nga të dy anët ekziston një vendosmëri për të ecur përpara në lidhje me këtë çështje, sa më shpejt që të jetë e mundur”.


“Zyra për persona të pagjetur në EULEX ofron bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e plotë për të ndihmuar në cilindo zhvarrim. Institucionet e Kosovës dhe familjarët e të zhdukurve janë informuar në lidhje me këto zhvillime”,
ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes.

Javën e kaluar kreu i delegacionit kosovar për të pagjeturit konfirmoi se një takim me palën serbe do të mbahej në fillim të kësaj jave. Por, siç ka njoftuar zëvendëskryeministri Ramë Manaj, takimi duket të jetë shtyrë në fund të javës.

“Mund të ndodhë nga fundi i javës dhe është me rëndësi, është me interes që të mbahet ky takim, në të cilin do të diskutohen për së afërmi zhvillimet e mëtutjeshme rreth varrezës masive dhe rreth eksplorimit të saj”
, ka deklaruar Manaj.

Zyrtarët kosovarë kanë kërkuar që të jenë të pranishëm gjatë zhvarrimit të trupave të shqiptarëve. Prokuroria serbe ka thënë se ekshumimi do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e EULEX-it, por nuk është përmendur në mënyrë specifike prania e palës kosovare.

Kryetari Komisionit Qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, kërkon me ngulm praninë e palës kosovare gjatë zhvarrimit.

“Duhet të bashkëpunojnë edhe me ne, sepse ka të bëjë me trupat që janë nga Kosova; ne duhet të jemi në rrjedha të zhvillimeve dhe përcjelljes së aktiviteteve që çojnë te zbulimi dhe gërmimi i asaj varreze”,
ka thënë Gjetaj.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka qenë dhe vazhdon të jetë ndërmjetësues në bisedimet për të pagjeturit mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ky mekanizëm ia ka dërguar Beogradit kërkesën e kosovarëve për një takim të shpejtë. Zëdhënësi Idriz Gashi është shprehur optimist për mbajtjen e takimit, por nuk ka saktësuar datën.

“Nuk mund ta jap datën, jemi në komunikim me palën serbe, por nuk e dimë saktësisht”
, është shprehur Gashi.

Në varrezën masive në Rashkë dyshohet të jenë 250 deri në 350 trupa të shqiptarëve të vrarë në konfliktin e vitit 1998-1999. Trupat e vrarë dyshohet se janë dërguar në Serbi nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj është i bindur se autoritetet serbe kanë qenë në dijeni për këto krime.

“Është e qartë se këto janë viktima të luftës së vitit ‘99, që i ka shkaktuar në Kosovë policia, ushtria dhe paramilitarët serbë dhe përveçse janë shkaktuar krimet, është krim dyfish më i madh se për 11 vite është fshehur ky krim para familjarëve, qytetarëve dhe Kosovës”
, ka thënë Manaj.

EULEX-i ka pohuar se krimet e luftës do t’i trajtojë me prioritet të lartë. Megjithatë, zyrtarë të këtij misioni kanë thënë se ende nuk kanë informacione se si mund të kenë përfunduar trupat e shqiptarëve në varrezën masive në Rashkë.

“Hetimet po vazhdojnë, por është shumë herët të thuhet se kush dhe si i ka kryer krimet atje
”, ka deklaruar Herodes.

Deri tani, varri masiv më i madh në Serbi është zbuluar në vitin 2001, në rrethinat e Beogradit. Aty gjendeshin kufomat e 800 shqiptarëve të Kosovës. Aktualisht, në listën e të zhdukurve figurojnë edhe 1862 persona.
XS
SM
MD
LG