Ndërlidhjet

Rupnik: BE të ketë qasje rajonale


Zhak Rupnik
Zhak Rupnik

“Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e zgjidhur çështjen e marrëdhënieve me Kosovën”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Zhak Rupnik, nga Instituti për Studime Politike në Paris.



RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian?

ZHAK RUPNIK
Bashkimi Evropian duhet të ketë qasje rajonale ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. E di se në BE çdo vend kandidat vlerësohet sipas meritave të veta, por duhet pasur parasysh se vendet ballkanike janë ende relativisht të reja.

Për shembull, qëndrueshmëria e Bosnjë e Hercegovinës varet nga kapaciteti i saj për të reformuar Kushtetutën. Mali i Zi është shtet i ri, Kosova po ashtu.

Ndërkohë, ka mjaft çështje të pazgjidhura, si p.sh. situata në Bosnjë, pastaj kontesti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kontesti mes Athinës dhe Shkupit rreth emrit, apo kontesti për kufirin ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë.

Kuptohet, nga këndvështrimi i Brukselit, angazhimet e çdo vendi duhet vështruar veç e veç, por duke pasur parasysh problemet e lartpërmendura, është e domosdoshme edhe qasja rajonale.

Prandaj, zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor duhet të jetë ndryshe nga ai drejt Evropës Qendrore, ku nuk kishte probleme të kontestimit të shtetësisë apo kufijve.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se pranimi i Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet si tërësi, si një bllok?

ZHAK RUPNIK
Unë do të angazhohesha për të paktën qasje rajonale dhe fillimisht një lloj anëtarësimi politik, që pastaj të përpunohen modalitetet e integrimeve, të cilat nuk do ta kishin shpejtësinë e njëjtë për të gjitha vendet.

Serbia, për shembull, nuk është në situatë të njëjtë si Kosova. Mirëpo, nevojitet një lloj qasjeje rajonale që të mund të zgjidhen të gjitha çështjet kontestuese bilaterale.

Nuk dua ta teproj, këto probleme mund të zgjidhen, por gjithsesi mund t’i forcojnë edhe pozitat e nacionalistëve. Që të pengohet kjo, duhet që gjithë Ballkani Perëndimor të përqendrohet në perspektivën e vet evropiane.

Beogradi dhe Prishtina kanë mosmarrëveshje rreth pavarësisë së Kosovës, si dhe rreth kufijve. Mirëpo, nëse do të fokusoheshin drejt së ardhmes evropiane, atëherë ai kufi do të jetë i hapur dhe rëndësia e tij do të binte, ashtu si dhe tensionet ekzistuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Propozimi juaj sugjeron nivele të ndryshme të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian?

ZHAK RUPNIK
Po. Nuk ka zgjidhje me shkop magjik. Unë e di se ajo, për të cilën angazhohem, nuk është shumë popullore në Bruksel. Por, konsideroj se nevojitet një qasje e re.

Nga njëra anë, Evropa u duhet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa, nga ana tjetër, ato janë më pak të përgatitura për anëtarësim.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se zgjidhja mund të ishte një lloj samiti i ri ndërkombëtar për Ballkanin? Jo një Dejton i dytë, në të cilin do të shqyrtohej ndryshimi i kufijve, por do të gjendej zgjidhje kreative?

ZHAK RUPNIK
Së shpejti do të ketë një samit, në fillim të qershorit, në Sarajevë, por është i pasigurt rezultati i tij. Le të shpresojmë se ai do t’u japë shtysë integrimeve evropiane të Ballkanit dhe do të sigurojë angazhim më aktiv të BE-së në rajon.

Shpresoj se nuk do të ketë deklarata të përgjithësuara, por të shpallet diçka konkrete, si për shembull: liberalizimi i vizave për Bosnjë e Hercegovinën dhe Shqipërinë.

Tjetër do të ishte, edhe pse nuk do të thotë se do të ndodhë, premtimi për anëtarësim politik i vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke ua prezantuar kuadrin kohor.

Pas kësaj mund t’i caktohet çdo vendi veç e veç se çfarë duhet të bëjë deri në anëtarësimin e plotë. Por, druaj se BE-ja është tejet e bllokuar nga problemet e veta, siç është kriza e Greqisë dhe e euros në përgjithësi, kështu që këto çështje mund të kenë pasoja afatgjata.

Në këtë situatë, përveç lodhjes së BE-së nga zgjerimi, mund të rritet edhe lodhja në Ballkanin Perëndimor nga euro-integrimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, ka thënë se nuk e sheh se si mund të hyjë Serbia në BE pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. A do të thotë kjo se Serbia do të përballet me dilemën - ose ta njohë Kosovën që të mund të hyjë në BE, ose të mbetet jashtë BE-së, duke ruajtur qëndrimin aktual?

ZHAK RUPNIK
Kjo pyetje do të parashtrohet me kalimin e kohës. Për momentin, Serbia i kundërvihet pavarësisë së Kosovës, që është në kundërshtim me politikën e shumicës së vendeve të BE-së.

Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar nuk i minon përpjekjet e Brukselit për t’i forcuar institucionet e Kosovës dhe sundimin e ligjit në kuadër të mandatit të misionit EULEX. Ky është një lloj kompromisi i mirëseardhur.

Por, Filip Gordon ka të drejtë. Në fund, do të jetë e pamundur që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian dhe të mos e pranojë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim. Brukseli nuk do të lejojë përsëritjen e skenarit të Qipros.

Ky rast paraqet paralajmërim të madh dhe këmbanë alarmi që të mos përsëritet më. Bashkimi Evropian asnjëherë më nuk do ta pranojë një vend, i cili nuk i ka zgjidhur çështjet territoriale, respektivisht kufitare, me fqinjët.

Prandaj, të them sinqerisht, nuk shoh se si mund të hyjë Serbia në Bashkimin Evropian pa e zgjidhur paraprakisht çështjen e marrëdhënieve me Kosovën. (v.p.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG