Ndërlidhjet

Për dhe kundër koncesionimit të ANP-së


Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të sjellë rezultate pozitive nëse konzorciumi fitues do t’i përmbushë kriteret e përcaktuara nga Qeveria, thonë ekspertë të ekonomisë. Por, ka dhe nga ata ekspertë që mendojnë se nuk ka qenë koha e duhur për koncesionimin e aeroportit, për shkak të gjendjes së mirë financiare të tij.



Ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme rreth koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, vlerëson se koncesionimi ka qenë i nevojshëm, në mënyrë që kompanitë e mëdha publike të mos menaxhohen më nga Qeveria.

Edhe pse thotë se ka pasur mungesë të informatave gjatë procesit të koncesionimit, Rukiqi shpreh bindjen se, nëse gjithçka shkon në rregull, dhënia me koncesion e aeroportit do të sjellë përfitime të mëdha për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas Rukiqit, nëse konzorciumi fitues përmbush kriteret e përcaktuara nga Qeveria, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do të jetë lider në rajon.

Nëse plotësohen kriteret, të cilat i ka vendosur Qeveria e Kosovës, pra modernizmi i terminalit, zgjerimi i terminalit, rritja e shërbimeve, rritja e konkurrencës brenda aeroportit dhe shumë aspekte të tjera, do të ketë përfitime, për shkak se pas 20 vjetësh do të kemi një vlerë të mbetur”, thotë Rukiqi.

Në fund të javës se kaluar, Qeveria e Kosovës ka shpallur konzorciumin franko-turk “Limak-Aeroport de Lyon” fitues të tenderit për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ky konzorcium do ta ketë për shfrytëzim aeroportin për 20 vjetët e ardhshëm dhe është zotuar se do të investojë 100 milionë euro; ndërsa, Qeverisë së Kosovës i ka ofruar një mesatare prej 39.42% të të hyrave bruto në këmbim të të drejtave të koncesionit.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Isa Mulaj, thotë se nuk ka qenë koha e duhur për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas tij, vendet e tjera të rajonit, koncesionimin e aeroporteve e kanë bërë në kohën kur këto kompani nuk kanë qenë në gjendje të mirë financiare, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, thotë ai, ka qenë mjaft profitabil.

“Nëse bazohemi në fitimet që i ka pasur aeroporti deri më tash, po e marrim vitin e kaluar, 2009, kur ka realizuar një fitim prej 11 milionë eurosh, atëherë rezulton se me këtë dinamikë, për periudhën 20-vjeçare, do të kishim 220 milionë euro fitim neto në dispozicion”.

“Do të thotë, gati dyfish më shumë se investimet e kontraktuara për t’u bërë në aeroport”,
thotë Mulaj.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është njëri nga aeroportet më të ngarkuara me punë në Ballkan. Vitin e kaluar, ky aeroport u ka shërbyer mbi 1.2 milion udhëtarëve.

Me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, eksperti Berat Rukiqi thotë se do të ulet niveli i korrupsionit në këtë kompani. Ai shton se nëse nuk paraqiten probleme pas konsecionimit, ky proces do të jetë model i mirë për investitorët e huaj.

“Përveç pjesës së koncesionimit është edhe pjesa e problemeve që janë pas koncesionimit. Nëse këto zgjidhen me procedura të shpejta dhe procedura transparente, pra ka qartësi, besoj se do të jetë një sinjal i mirë për investitorët e huaj. Por, nëse ndodh e kundërta, atëherë edhe ky do të jetë një ndër dështimet tona të radhës, sidomos në raport me tërheqjen e investitorëve të huaj”, vlerëson Rukiqi.

Sidoqoftë, problemet kanë filluar po të njëjtën ditë kur Qeveria e Kosovës shpalli fituesin e tenderit. Përfaqësues të një konzorciumi francezo-kosovar tashmë kanë konfirmuar se do të paraqesin ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për shkak të, siç thonë ata, parregullsive të shumta që kanë karakterizuar këtë projekt.

Ndërsa, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë e kanë vlerësuar si lajm të mirë koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Sipas tyre, ky proces ka qenë konkurrues, gjë që, kanë thënë ata, tregon se Kosova mund të jetë tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG