RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Walker, disa ditë më parë filloi të hetohet një varr masiv në Rashkë. Zyrtarët serbë kanë deklaruar se do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë lidhur me varrezat eventuale masive dhe lidhur me personat e pagjetur. A u besoni deklaratave të tilla?
WILLIAM WALKER
Nuk do të doja të them “po” apo “jo”. Dua të jem shumë i kujdesshëm në vlerësimin se bashkëpunimi serb do të jetë shumë përfitues. Kur isha këtu, pak para luftës, me OSBE-në, ne patëm një numër hetimesh lidhur me çështje të tilla dhe më duhet të them se bashkëpunimi që vinte nga pala serbe, ishe më pak se ideal.
Më kujtohet shumë mirë, për shembull, çështja e vrasjeve në Reçak, pastaj hapja e varreve në disa fshatra. Gjykatësja, e cila ishte emëruar atë kohë, ishte gjykatësja Marinkoviq, një grua nga Nishi. Ajo ishte jashtëzakonisht jobashkëpunuese.
Kam marrë vesh se ajo është ende gjykatëse në Serbi dhe se ende ka përgjegjësi për, siç e quajnë ata, provincën e tyre. Pra, nëse ajo është e përfshirë dhe njerëz të palës serbë, sikurse ajo, janë të përfshirë, atëherë do të isha shumë i kujdesshëm për të marrë seriozisht çfarëdo që thonë ata.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët punën e juaj këtu para më shumë se 11 vjetësh si udhëheqës i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ju, në fakt, ishit njëri nga dëshmitarët e parë ndërkombëtarë që pa se çka po ndodhte në Kosovë atë kohë. Mirëpo, më shumë se 1800 njerëz mbesin të pagjetur në Kosovë. Çfarë mendoni se duhet të bëhet, në mënyrë që të zgjidhet ky problem?
WILLIAM WALKER
Atë kohë, shumë familje dhe organizata më drejtoheshin mua në kërkim të shqiptarëve që ishin zhdukur pa lënë gjurmë, duke dashur të dinë se çka mund t’u kishte ndodhur.
Si reagim ndaj disa veprimeve që ne i bëmë për ta, përfaqësues të serbëve erdhën dhe thanë se edhe atyre u janë zhdukur njerëz, për të cilët ata pretendonin se ishin zënë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ose ishin zhdukur për këtë apo atë arsye.
Këto janë çështje me të cilat është shumë e vështirë të merresh. Gjatë një konflikti, gjatë një lufte, ka njerëz që zhduken dhe asnjëherë nuk e merr vesh se çfarë u ka ndodhur atyre.
Natyrisht se mendoj që bashkësia ndërkombëtare, përgjatë 10 vjetëve të fundit, do të duhej të merrej sa më seriozisht me këto çështje, për të parë se ka pasur fakte apo njerëz, të cilët kanë ditur se çfarë ka ndodhur.
Tani, pas 10 vjetësh, sipas të gjitha gjasave, do të jetë shumë e vështirë, por nuk mendoj se duhet të ndalen përpjekjet. Bashkësia ndërkombëtare, Tribunali i Hagës apo kushdo që ka të drejtën të hetojë dhe të merret me raste të tilla, do të duhej të vazhdonte ta bënte atë.
Por, nuk jam dhe aq optimist se do të gjejnë diçka.
RADIO EVROPA E LIRË
Me sa po kuptoj unë, paska nevojë për një presion ndërkombëtar mbi Beogradin?
WILLIAM WALKER
Absolutisht. Vetëm shikoni se çfarë presioni është vënë mbi ta lidhur me kriminelët e akuzuar, të cilët, për çfarëdo arsyeje, nuk po mund të gjenden në Serbi, edhe pse ka dalë se një apo dy nga ta jetonin aty. Unë nuk i marr shumë seriozisht ato që thuhen në Beograd lidhur me krimet e luftës.
RADIO EVROPA E LIRË
Duket se bashkësia ndërkombëtare është gjithashtu e interesuar që të ketë bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për të ashtuquajtura çështje praktike. Cilat mendoni se do të duhej të ishin temat dhe kush do të duhej t’i ndërmjetësonte këto bisedime?
WILLIAM WALKER
Gjëja e parë që duhet të dihet, është se po flasim për dy shtete sovrane, të cilat do të diskutojnë, e jo një shtet sovran dhe tjetrin që, në njëfarë mënyre, është i rrethuar me brishtësi apo paqartësi.
Mendoj se Serbia do të dëshironte t’i portretizonte bisedimet në këtë mënyrë. Po qe se të dyja palët do të uleshin si të barabarta në tryezë, mendoj se do të duhej të bisedonin për disa nga gjërat praktike, siç është çështja e kufijve.
Natyrisht se ka shumë gjëra. Ju jeni fqinj dhe keni pjesë të popullsisë në të dyja anët e kufirit - serbë që jetojnë këtu dhe shqiptarë që jetojnë në pjesë të Serbisë.
Pra, ka gjëra për të cilat duhet të diskutohet. Por, më duhet të ritheksoj sërish se kushti i parë është që ata të takohen si të barabartë e jo si diçka tjetër.
RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se veriu i Kosovës duhet të jetë njëra nga këto çështje?
WILLIAM WALKER
Mendoj se kjo çështje do të shtrohet gjatë bisedimeve. Çështja e veriut të Mitrovicës është një çështje e madhe. Duket se ka shqetësim në të dyja anët që kjo çështje të zgjidhet sipas kushteve të të dyja palëve.
Serbia gjithmonë është shprehur kundër ndryshimit të kufijve. Në këtë rast, çështja e veriut duhet të diskutohet. Nëse hyjnë në diskutime si palë të barabarta, do të mbizotëronte qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, sipas të cilit ‘veriu është çështje integrale e Kosovës’ dhe se ‘ne kemi shpallur pavarësinë’.
Po, ka një minoritet serb që jeton atje, por ata janë kosovarë që i takojnë etnisë serbe, sikurse që ka shqiptarë në Serbi që janë serbë, sepse janë qytetarë të Serbisë, por që janë të etnisë shqiptare.
Mirëpo, mendoj se gjëja e parë mbi të cilën duhet të vendoset, është se cilat do të jenë kushtet e çfarëdo negociatash. Po qe se nuk janë të barabartë në tryezën e bisedimeve, mendoj se Kosova do të duhej të thoshte se ‘nuk do të kthehet’ derisa nuk është e barabartë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ambasador, kur mendoni se do të duhej të nisnin këto bisedime, para apo pas vendimit të GJND-së?
WILLIAM WALKER
Kam dëgjuar shumë mendime lidhur me kohën e marrjes së vendimit dhe rëndësinë e tij sa i përket asaj që po ndodh këtu. Mendoj se Serbia dëshiron ta presë atë vendim, para se të pajtohet që të ulet në tryezë në cilësi të barabartë me Kosovën.
Mendoj se bisedimet do të duhej të fillonin pas këtij vendimi, por shumë do të varet nga ajo se çfarë vendimi do të jetë ai dhe a do të jetë detyrues apo sa mendojnë njerëzit se është detyrues.
Do të jetë një vendim interesant kur më në fund të jetë bërë publik. Por, nuk jam i sigurt nëse po i kuptoj saktësisht pritjet e njerëzve lidhur me seriozitetin, me të cilin duhet të merret ai vendim.