Ndërlidhjet

Shteti ligjor në veri - ende jofunksional


Gjykata në Mitrovicë
Gjykata në Mitrovicë

Veriu duhet të jetë temë e bisedimeve me Serbinë, thonë përfaqësues të Kuvendit të Kosovës. Pengesat lidhur me sundimin e ligjit në veri, sipas EULEX-it, duhet të zgjidhen me pragmatizmin dhe fleksibilitetin e palëve.


Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve vendore e ndërkombëtare për të shtrirë ndikimin shtetëror në pjesën veriore të Kosovës, përveç KFOR-it dhe misionit EULEX, Policia e Kosovës mbetet i vetmi mekanizëm në kuadër të institucioneve të sundimit të ligjit në veri, ku janë të angazhuar sikurse përfaqësues të komunitetit serb, ashtu dhe ata të komunitetit shqiptar.

Jashtë zinxhirit të veprimit të institucioneve për sundimin e ligjit në veri janë gjykatat dhe doganat, në të cilat janë të angazhuar vetëm përfaqësues të misionit EULEX.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në këtë mision, Kristina Herodes, rithekson nevojën për kthimin e gjykatësve vendorë në gjykatat në veri, në mënyrë që në atë pjesë të vendit të mund të zbatohet drejtësia.

“Ka nevojë për përmirësimin e situatës atje, veçanërisht situatën e sundimit të ligjit në veri të Kosovës. EULEX-i po mbështet gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike në koordinim me Prishtinën dhe Beogradin”.

“Çështja e kthimit të gjykatësve e prokurorëve kosovarë në mënyrë që të mund të zbatohet drejtësia nga një sistem gjyqësor të vetëm e shumetnik, i pranuar nga të gjitha komunitetet, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne u kërkojmë të gjitha palëve të përfshira të tregojnë pragmatizëm dhe fleksibilitet”,
thotë Herodes.

Megjithatë, EULEX-i dhe KFOR-i ishin distancuar nga strategjia për integrimin e veriut të hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës, e cila shihet si një hap drejt funksionalizimit të shtetit ligjor në veri.

Autoritetet përgjegjëse vazhdojnë të hasin në telashe rreth zbatimit të këtij dokumenti, për shkak të, siç thuhet, ndikimit të vazhdueshëm të Beogradit zyrtar në veri.

Në fund të këtij muaji Serbia planifikon të mbajë zgjedhjet në veri të vendit, ndërsa paraqitja e përfaqësuesve politikë serbë në këtë pjesë të Kosovës tashmë ka filluar.

Kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Rrustem Mustafa, thotë se aktivitetet e shtetit serb në veri dëshmojnë mosfunksionimin e mekanizmave përgjegjës për sigurinë.

“Paraqitja e Tomisllav Nikoliqit dhe e shumë dukurive negative në vendin tonë, tregojnë qartë mosfunksionalizimin e mekanizmave ligjorë e institucionalë dhe të sigurisë në vendin tonë”, shprehet Mustafa.

Policia e Kosovës e quan politik problemin në veri dhe thekson se nuk mund të bëhet më shumë sesa mbajtja e sigurisë dhe rendit publik atje.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, sqaron:

“Problemet tashmë janë të njohura dhe normalisht që ndikojnë drejtpërdrejt në angazhimin ose motivimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të përkatësisë etnike serbe në luftimin e kriminalitetit”.

“Sidoqoftë, të gjitha këto kanë një emër të përbashkët dhe sigurisht që fshihen nën ombrellën e problemit politik, që në shumë situata edhe tejkalon kompetencat policore”.

Futja e veriut në agjendën e bisedimeve eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë për, siç thuhet, çështje praktike, sipas Mustafës, është një mundësi për zgjidhjen e problemeve lidhur me sundimin e ligjit atje.

“Veriu është pjesë e vendit tonë dhe unë i dëgjoj deklaratat e të gjithë politikanëve që thonë se nuk do të ketë bisedime - të kushtëzuara apo të pakushtëzuara”.

“Në vendin tonë dhe për vendin tonë, jemi ne që do të flasim. Do të bisedojmë për gjithçka që e mundon qytetarin e vendit tonë”,
theksoi Mustafa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG