Bashkëpunimi rajonal përmendet si një nga kriteret themelore që duhet përmbushur nga vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Kërkesat e diplomacisë evropiane për zhvillimin e një bashkëpunimi të tillë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë në rritje sikurse janë dhe kërkesat për gjetjen e mënyrave se si mund të zhvillohet ky bashkëpunim.
Dialogu për tema të caktuara vlerësohet të jetë i domosdoshëm. Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë shprehin bindjen se përmes dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet të dyja palëve, do të mund të zgjidheshin çështjet e hapura ndërmjet të dy vendeve.
Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Endi Mekgafi, rithekson mbështetjen e këtij misioni për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mendoj se ka dicka veçanërisht të re mbi idenë që Prishtina e Beogradi të merren me shqetësimet e përbashkëta-përjashtuar natyrisht çështjen e statusit”, u shpreh Mekgafi.
Mundësinë që me Serbinë të bisedohet për statusin e Kosovës e kanë hedhur poshtë me vendosmëri autoritetet në Prishtinë, duke pranuar njëkohësisht se ka një presion të shtuar ndërkombëtar për zhvillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe shtetit serb, për zgjidhjen e të ashtuquajturave çështjeve praktike ndërmjet dy vendeve.
Çështjet të cilat, për shkak të mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Beogradit, kanë ngecur, e që duhet të përmbushen bazuar në planin e Marti Ahtisarit janë nga më të ndryshmet. Kthimi i artefakteve kosovare nga shteti serb dhe kthimi i arkivave janë dy çështje, përmbushja e të cilave, sipas këtij dokumenti, do të varet nga Serbia.
Mekgafi tha se Zyra Civile Ndërkombëtare mirëpret ndihmën e aktorëve dhe organizatave të ndryshme që mund të lehtësojnë procesin e zbatimit të pakos, por, siç theksoi ai, Zyra Civile Ndërkombëtare mbetet mekanizmi përgjegjës për këtë gjë.
“Këto organizata janë të përfshira në kuadër të mandatit të tyre, por nëse ka një qëllim të përbashkët për ne, Zyra Civile Ndërkombëtare do të ishte e gatshme për bashkëpunim. Mirëpo, nuk mendoj se mund të bëhet fjalë për transferim të përgjegjësive në masë. Më parë do të thoja se, po qe se ka mundësi për bashkëpunim dhe marrëveshje, do të ishim të kënaqur nëse ai mund të zhvillohej”, theksoi Mekgafi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas analistëve në Prishtinë, do t’ia hapte rrugën një bashkëpunimi ndërmjet palëve drejt Bashkimit Evropian. Hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, thotë se bisedimet për çështjet praktike ndërmjet të dyja vendeve pritet të jenë më të vështira se sa që ishin ato për statusin e Kosovës. Zgjidhja e këtyre problemeve, sipas tij, duhet të vijë në pako.
“Ky dialog mund të zhvillohet në faza të ndryshme, por zgjidhja duhet të jetë në pako. Prishtina do të duhej të gjente partnerë dhe do të duhej të negocionte diçka për rregullimin e gjendjes së statusit të veriut”.
“Çështje të tjera praktike- komunikacioni, telekomunikacioni, anëtarësimi në ITU i Kosovës, dakordimi i Serbisë për të lejuar Kosovën në bord...këto duhet të jenë gjithsesi çështje në mes të dy kryeqyteteve, dy qeverive”, tha ai.
Ditë më parë, Parlamenti Evropian i ka kërkuar Serbisë një qasje pragmatike karshi Kosovës duke theksuar se “marrëdhëniet e mira fqinjësore janë esenciale për aspiratat e Serbisë” dhe vendeve tjera të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.