Mediat dhe gazetarët në Kosovë po ballafaqohen me probleme të shumta, që nga ekzistenca e deri te pavarësia editoriale, u tha sot në një debat në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, që është organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dhe UNDP-ja.
Aty u tha se kishte 25 raste të paraqitura nga gazetarët si kërcënime apo shantazhe nga njerëzit e politikës.
Leonard Kërquki, anëtar i AGPK-së (gazetar i së përditshmes “Express”) tha se gjendja e lirisë së shtypit është mjaft e rëndë dhe se politika në vazhdimësi është në kërkim të rekrutimit të gazetarëve pro-qeveritarë në media të caktuara.
“Liria e shprehjes si dhe e mediave në Kosovë është mjaft e keqe dhe situata vetëm se po shënon përkeqësim dita - ditës. E kemi pushtetin mjaft të interesuar që të rekrutojë gazetarë dhe media të caktuara. Sot është mjaft e vështirë në media të Kosovës; qytetari i rëndomtë të informohet përmes mediave dhe mediumeve të caktuara”, tha Kërquki.
Ndërkohë, profesori i katedrës së gazetarisë, Milazim Krasniqi, tha se gjendja nuk është aq e rëndë sa paraqitet, por, sipas tij, janë edhe burimet e financiare të mediave ato që ndikojnë në nënshtrimin e tyre ndaj pushtetit.
“Normalisht, media në Kosovë, duke qenë me bazë të vogël materiale, nuk është imune ndaj ndikimit të grupeve të interesit, reklamuesve të burimeve të informimit apo organeve qeveritare, sepse duke qenë ekonomia e vogël, praktikisht kompanitë kryesore që janë reklamuese, janë agjencitë qeveritare. Në këtë aspekt pra ka ardhur deri te ndërlidhja e disa mediave me këto agjenci dhe në atë rast ato e deformojnë politikën editoriale në favor të këtyre agjencive”, tha Krasniqi.
Burimi kryesor i financave për mediat thuhet se janë pikërisht autoritetet qeveritare dhe agjencitë shtetërore. Një gjendje e tillë, besohet se domosdoshmërisht ndikon edhe në raportimet gazetareske, për shkak të lidhjeve që bëhen ndërmjet udhëheqësve të mediave dhe njerëzve të politikës.
Dukagjin Gorani, këshilltar për siguri i kryeministrit Hashim Thaçi, thotë se mediat në disa raste e perceptojnë punën dhe ekzistencën e tyre mediale me mbështetjen financiare që kërkojnë ta sigurojnë nga Qeveria.
“Meqenëse në vendet si Kosova distribuimi i fuqisë financiare të shumtën bëhet përmes institucioneve të pushtetit, në njërën apo tjetrën formë, mediat fillojnë t’i afrohen pushtetit, ashtu që prej këtyre institucioneve ta sigurojnë mbijetesën”, theksoi Gorani.
Nga përvoja e tij, gazetari Arben Ahmeti nga “Koha Ditore” tha se problem i vazhdueshëm mbetet edhe qasja në dokumente zyrtare. Sidoqoftë, ai tha se me gjithë problemet, në Kosovë ka ende media dhe gazetarë që përpiqen të raportojnë paanshëm dhe në mënyrë të pavarur nga politika ditore.
“Nuk e di se sa jemi të pasur në kualitetin e mediave, megjithatë, nuk mund të themi se nuk kemi gazetari të mirëfilltë, ka ende gazetarë që mundohen ta bëjnë punën e tyre, të raportojnë për atë që vërtet po ndodh. Mirëpo, pastaj varet gjithçka edhe nga transparenca e institucioneve dhe mundësia e qasjes së gazetarëve. Dhe, ai që është problem i pashmangshëm janë lidhjet media – Qeveri, pasi që Qeveria është gjeneratori më i madh i financimit të shumicës së mediave”, tha Ahmeti.
Përveç kërcënimeve dhe shantazheve me të cilat u tha se gazetarët kosovarë janë ballafaquar gjatë punës së tyre, marketingu tash e disa vjet shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave. Përkatësisht, qeveria dhe agjencitë shtetërore thuhet se përmes reklamave diktojnë edhe politikat redaktuese e editoriale të mediave kosovare, të cilat ende nuk kanë arritur të jenë të vetëqëndrueshme financiarisht.