Pas pëlqimit të idesë për pjesëmarrjen në konferencën e Sarajevës, sipas të ashtuquajturit modelit të Gimnikut, pala kosovare, ajo serbe, por edhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë janë në pritje të ftesave zyrtare për konferencën rajonale.
Derisa në Zyrën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Prishtinë nuk u komentua kjo çështje për shkak të, siç thuhet, mungesës së një vendimi zyrtar mbi modelin e mbajtjes së konferencës, administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë u shprehur e gatshme që të marrë pjesë në takimin e organizuar nga BE-ja.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, tha se misioni i OKB-së në Kosovë do ta shqyrtojë ftesën eventuale të presidencës së BE-së, porse, në rast të pjesëmarrjes në këtë takim, përfaqësuesi i UNMIK-ut do të flasë në emër të misionit.
“Përfaqësuesit e UNMIK-ut, qoftë edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm apo dikush tjetër, do të flasin në emër të vetin. Ne do të flasim në emër të UNMIK-ut, ne nuk do të flasim në emër të institucioneve kosovare. Institucionet kosovare i kanë udhëheqësit e tyre që mund të flasin”, u shpreh Giki.
Ditë më parë, zyrtarë serbë deklaruan se Serbia do të marrë pjesë në takimin e qershorit në Sarajevë, nëse organizatorët do të sigurojnë, siç thuhet, elementët asimetrikë në pjesëmarrjen e Prishtinës, bazuar në Rezolutën 1244.
Drejtori politik në Ministrinë e Punëve te Jashtme të Serbisë, Borko Stefanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se delegacioni serb do të merrte pjesë në takimin e Sarajevës po qe se do të ishte i pranishëm edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i cili do të fliste para delegacionit të institucioneve vendore.
Mirëpo, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të insistojnë në pjesëmarrjen në këtë konferencë vetëm si palë e barabartë me të gjitha shtetet, përfshirë Serbinë. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, theksoi se në emër të institucioneve të Kosovës, mund të flasin vetëm përfaqësuesit e këtyre institucioneve.
“Nuk do të paragjykojmë tani se a do të jenë atje përfaqësuesit e UNMIK-ut apo të institucioneve të tjera ndërkombëtare që janë në Kosovë. Mirëpo, dihet botërisht se në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, flasin vetëm përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Beqiri.
Çështja e formatit, nivelit dhe modelit të konferencës së Sarajevës thuhet se po trajtohet me kujdes të veçantë në Bashkimin Evropian, për shkak të zhvillimeve që kujtojnë konferencën e Bërdos, ku, për shkak të paraqitjes së Kosovës si shtet, pjesëmarrjen e kishte anuluar delegacioni i Serbisë.
Analisti për çështje politike, Driton Lajçi, tha se pjesëmarrja eventuale e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier, në takimin e diplomatëve të rajonit në qershor, mund të jetë pjesë e kompromisit ndërmjet Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
“UNMIK-u ka marrë pjesë në takimin e Bërdos dhe ka mundësi të marrë pjesë edhe kësaj radhe, sepse përfaqëson organizatën më të fuqishme në botë - OKB-në. Mirëpo, kjo mund të jetë edhe si pjesë e kompromisit. Pavarësisht prej kësaj, UNMIK-u mund të marrë pjesë në kuadër të mandatit të tij edhe si kompromis që është bërë në mes të Moratinos, Fratinit, Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçi.