Ndërlidhjet

Limaj: I gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë


Fatmir Limaj (foto arkiv)
Fatmir Limaj (foto arkiv)

Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, konfirmoi se Policia e EULEX-it ka bastisur ministrinë e tij sikurse edhe shtëpinë ku banon. Ai tha se do ta vazhdojë punën si ministër, ndërkohë që do të jetë i hapur për hetimet.







Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka konfirmuar në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, se Policia e EULEX-it ka kontrolluar ministrinë që ai drejton, por edhe shtëpinë në të cilën banon.

“Kam qenë i informuar se ka pasur një lloj kontrolli dhe është kontrolluar Ministria e Transportit dhe shtëpia ku banoj. Normalisht, organet e rendit, organet hetimore kanë kryer punën e tyre. Sigurisht, ata kanë kërkuar diçka që do t’iu ndihmojë në proceset e tyre që iu duhen dhe kanë bërë punën e tyre”
, ka thënë Limaj.

Ministri Limaj ka thënë se ai vetë nuk është ftuar nga organet e rendit.

“Unë, personalisht, nuk kam qenë i ftuar nga organet dhe as që kam qenë i ftuar për ndonjë lloj sqarimi apo për të dhënë ndonjë përgjigje nga organet”, ka thënë Limaj.

EULEX-i ka bërë të ditur, pasditen e së mërkurës, se Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës në, siç është thënë, “vazhdën e hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë”.

Ministri Limaj është shprehur i hapur për hetimet e organeve të rendit, por ka nënvizuar se do të vazhdojë ta mbajë postin e ministrit.

“Ajo që mund të them është se unë do të vazhdoj t’i kryej detyrat e mia të përditshme, ashtu siç kam bërë deri më sot, edhe nesër, edhe në të ardhmen. Vazhdoj me projektin që kemi filluar, vazhdoj me angazhimin tonë dhe normalisht kjo është detyra jonë. Të tjerët le ta bëjnë detyrën e tyre. Unë e shoh si një proces krejt normal. Po mendoj zhvillim normal, për faktin se secili e kryen punën e tyre”, ka thënë Limaj në një konferencë për gazetarë.

Ndërsa EULEX-i nuk ka dhënë detaje mbi bastisjet që ka bërë gjatë ditës së mërkurë, duke theksuar se operacionet janë në vazhdim e sipër, policët e këtij misioni janë parë të bartin materiale nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Prishtinë, 28 prill 2010.
Pas njoftimit për bastisjet, në ndërtesën e Qeverisë kanë qëndruar për më shumë se dy orë edhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, dhe kreu i EULEX-it, Iv de Kermabo, për t’u larguar më pas pa dhënë asnjë prononcim. Kermabo është rikthyer sërish në orët e vona të mbrëmjes.

Ndërkohë, ministri Limaj ka potencuar se do të jetë i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë.

“Dua të deklaroj para jush që sot e gjithmonë jam në dispozicion të të gjithë atyre që ne mund t’u lehtësojmë realizimin e punëve të tyre profesionale, në këtë rast edhe të hetuesisë, edhe të gjithë mekanizmit hetimor, prokuroria, apo kushdo që të jetë aty. Njoftoj se jam në dispozicionin e tyre, me qëllim që t’ju shërbej dhe lehtësoj në mandatin e tyre. Pushtetet janë të ndara, ata e kryejnë punën e tyre, ne kryejmë punën tonë. Në çdo kohë duhet te jemi të gatshëm t’u përgjigjemi”
, ka thënë Limaj.

Ndryshe, i tërë operacioni, sipas autoriteteve kosovare, është kryer vetëm nga EULEX-i. Kjo është konfirmuar nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Vetë Misioni evropian për sundimin e ligjit nuk ka dhënë detaje për natyrën e hetimeve.


* * * * * * * * * *

Forcat e rendit të Bashkimit Evropian në Kosovë kanë bastisur Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit në Prishtinë si dhe disa lokalitete të tjera në Prishtinë.

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka njoftuar se sot "në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës".

Zyrtarë të EULEX-it thonë se operacioni i bastisjes është duke vazhduar ende.

Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Xhevdet Pozhari, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është bastisur kjo ministri, por nuk ka dhënë detaje.

“Atë që e kanë përcjellë edhe mediat, e kemi parë edhe ne. EULEX-i e ka bastisur ministrinë, por nuk e dimë për çka, pasi që ne kemi qenë në përfundim të orarit të punës. Për këtë, besoj se EULEX-i do të japë përgjigje më të saktë”, tha Pozhari.

Forca të shumta të Policisë së EULEX-it, pasditen e sotme, kanë qenë në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ndërkohë, në mbrëmje, pjesëtarë të policisë kanë bartur material nga ministria.

Zëdhënësja e EULEX-it për komponentin e drejtësisë, Kristina Herodes, nuk dha detaje për operacionin e sotëm, duke mos përmendur as emra.

“Operacioni është duke vazhduar ende dhe aktualisht nuk mund të themi asgjë”, tha Herodes.

Gjatë bastisjes...
Ndërsa, reagimi i parë që ka ardhur nga autoritetet e larta të Kosovës ka qenë ai i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se nuk ka marrë asnjë informatë të drejtpërdrejtë në lidhje me bastisjet, të cilat EULEX-i po u bën lokacioneve të ndryshme në Prishtinë.

“Nuk kemi direkt informata. Natyrisht se neve na informon shtylla e hetimeve aq sa duhet të na informoje që të mos dëmtohet. Mirëpo, edhe një herë e përmend, kemi insistuar që nëse kanë argumente, koha është për të vepruar, jo vetëm të mblidhen fakte, por të arrestohen”, ka thënë Rexhepi.

Ndryshe, në orët e vona të pasdites ka arritur në ndërtesën e Qeverisë vetë ministri Fatmir Limaj, dikasteri i të cilit është bastisur. Policia e EULEX-it ka bastisur edhe një apartament në afërsi të Kinemasë ABC, i cili, siç thonë mediat vendore, është pronë e familjes së ministrit Limaj.

Në ndërtesën e Qeverisë kanë qëndruar për më shumë se dy orë edhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, dhe kreu i EULEX-it, Iv de Kermabo, për t’u larguar më pas pa dhënë asnjë prononcim.

Ajo që EULEX-i e ka konfirmuar në një komunikatë, është se operacioni “ është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK)".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG