Ndërlidhjet

Nis ndërtimi i autostradës Morinë - Merdare



Ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare, e cila është cilësuar si projekt madhor nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri, do të nisë sot.

Në ceremoninë festive me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Morinë-Merdare pritet të marrin pjesë: kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, homologu i tij shqiptar, Sali Berisha, ministri i Transportit shqiptar, Sokol Olldashi, ai i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të komunave dhe ata të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare do ta ketë efektin e vet jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin dhe proceset integruese evropiane.

Duke e vlerësuar si shumë transparent procesin e ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, Thaçi ka thënë se ajo krijon mundësi të daljes në det për Kosovën.

Konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” do të jetë përgjegjës për ndërtimin e autostradës, e cila parashikohet të jetë e gjerë 28 metra, me 4 shirita qarkullues, me mundësi të kyçjes në çdo qendër.

Zbatimi i projektit për ndërtimin e autostradës thuhet se do të kushtojë rreth 700 milionë euro.

Gjatë tri vjetëve të ardhshëm, sa parashihet të zgjasë ndërtimi i autostradës, pritet të punësohet një numër i konsiderueshëm i kosovarëve.

Në një paragraf të kontratës për ndërtimin e autostradës, të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe kompania “Bechtel & Enka”, thuhet se rreth 40 për qind e punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës, do t’i kryejnë kompanitë vendore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG