Greqia është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e cila ende nuk e ka njohur Kosovën.
Arsyet përse Athina zyrtare heziton ta hedhë hapin për njohjen e shtetësisë së Kosovës, ishin pjesë e një debati, të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, ku u diskutua mbi marrëdhëniet Kosovë – Greqi.
Ish-ambasadori i Greqisë në Tiranë dhe Shkup, tani këshilltar special në fondacionin Helenik për politika evropiane dhe të jashtme, Alexandros Mallias, tha se diplomacia greke tradicionalisht bazohet në të drejtën ndërkombëtare, rrjedhimisht në vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Greqia është një shtet, i cili ka bazuar politikat e tij në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, me një rëndësi të veçantë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mendoj se ka një shpjegim se, megjithatë, Kosova është një rast sui generis -gjë që është e qartë për të gjithë ne”.
“Mirëpo, shumë çështje, në të cilat Greqia është e përfshirë pak a shumë në mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë mbetur pezull për shkak të agjendës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Mallias.
Mallias theksoi se, përkundër mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, Greqia ka bërë përpjekje për të vendosur raporte në nivele të ndryshme me këtë vend.
Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës i vlerësuan si hapa pozitivë përpjekjet e deritanishme të Athinës zyrtare në drejtim të, siç thuhet, inkurajimit të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale, njohjes së pasaportave të Kosovës dhe të tjera.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, shprehu bindjen se njohja, siç e quajti ajo, formale e pavarësisë së Kosovës nga Greqia, do të ndodhë së shpejti. Ajo tha se institucionet kosovare kanë bërë punën e vet në këtë drejtim dhe se janë në pritje të vendimit për njohje nga Greqia.
“Greqia mund të shërbejë si një shembull për një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur formalisht Kosovën, porse kanë bërë gjithçka tjetër për t’i forcuar marrëdhëniet tona”.
“Ne, shumë shpesh e përdorim një metaforë - atë të fazës para diplomimit. Ne i kemi dhënë provimet, kemi kryer temën e diplomës dhe tani vetëm po presim miratimin”, u shpreh Çitaku.
Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, ndërkaq, theksuan nevojën për përmirësimin e komunikimit me autoritetet greke. Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se Prishtina duhet të bëjë përpjekje për ta përmirësuar gjendjen aktuale në këtë drejtim.
“Po qe se do ta rrisnim komunikimin në nivele të ndryshme sikurse ky, po qe se ne do të bënim më shumë përpjekje për të rritur komunikimin në nivele, platforma dhe mbi tema të ndryshme, mendoj se do t’i rrisnim shanset që Greqia dhe disa vende të tjera të lëviznin nga pyetja: ‘Pse do të duhej ta njihnim Kosovën?’ në pyetjen: ‘Pse nuk do të duhej ta njihnim Kosovën?’", tha Gjini.
Kosovën, deri më tani, e kanë njohur 66 vende nga arena ndërkombëtare. Përfaqësues të Ministrisë së Jashtme kanë thënë se presin një valë të re njohjesh së shtetësisë së vendit pas marrjes së vendimit mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Analistët, ndërkaq, vazhdojnë t’i kritikojnë institucionet përgjegjëse kosovare për mungesë të veprimeve për lobimin për njohje.