Ndërlidhjet

Josipoviq nderoi viktimat boshnjake të krimeve kroate


Në përpjekjet e tij të fundit për uljen e tensioneve lidhur me trashëgiminë e luftës në Kroaci, presidenti i këtij vendi, Ivo Josipoviq, ka vizituar sot vendin e masakrës dhe ka nderuar boshnjakët myslimanë, të vrarë nga kroatët gjatë luftërave në Ballkan, në vitet e 90-ta. Ai ka vizituar edhe një fshat, ku janë vrarë kroatët nga ana e forcave myslimane të Bosnjës.



Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ka vizituar fshatin Ahmiqi, në pjesën qendrore të Bosnjës, për t’i nderuar 116 myslimanët e vrarë nga kroatët, në vitin 1993.

Me këtë rast, zoti Josipoviq është shoqëruar nga kreu i Kishës Katolike të Bosnjës, kardinal Vinko Puliq, dhe nga myftiu i madh i myslimanëve në Bosnjë, Mustafa Ceriq.

Pasi nga një fshatar ka marrë falënderime për këtë vizitë, megjithëqë asnjë kërkim-falje nuk i ngjall të vdekurit, presidenti Josipoviq, ka thënë:

“Ju falënderohem! Besoj sinqerisht se ngjarjet si kjo, kurrë më nuk do të ndodhin. Të gjithë popujt këtu kanë vuajtur tmerrësisht dhe meritojnë të ardhme më të mirë”, ka thënë Josipoviq.

Kjo vizitë ishte simboli më i fuqishëm deri tash i përpjekjeve të presidentit kroat, Josipoviq, që t’u afrohet shteteve fqinje të Ballkanit.

Gjatë viteve të 90-ta, Zagrebi i mbështeste liderët secesionistë kroatë të Bosnjës dhe drejtpërsëdrejti u involvua në luftën në Bosnjë.

Masakra në Ahmiqi, më 16 prill, 1993, ishte krimi më i madh i kryer nga forcat kroate të Bosnjës, që e kishin mbështetjen e Zagrebit.

Sulmi në këtë fshat me popullatë të përzier ishte planifikuar me kujdes, pasi paraprakisht banorët kroatë ishin evakuuar. Pastaj, forcat kroate sulmuan fshatin dhe afro 20 hapësira të tjera të afërta, me këmbësori, mortaja dhe artileri, duke i vrarë banorët myslimanë dhe duke i ndezur shtëpitë e tyre.

Liderët kroatë të Bosnjës, për vite, nuk e kanë pranuar masakrën ose janë përpjekur që për të t’i fajësojnë forcat serbe. Por, Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës për ish-Jugosllavinë në Hagë mori vendim se sulmi ishte krim kundër njerëzimit.

Njëri nga organizuesit e tij, Dario Kordiq, lider politik i kroatëve në Bosnjën qendrore, është dënuar me 25 vjet burgim.

Prejse është zgjedhur president, para dy muajsh, Ivo Josipoviq ka synuar ripërtëritjen e marrëdhënieve me të gjithë fqinjët ballkanikë të Kroacisë, si pjesë e fushatës së tij për kthimin e plotë të faqes në trashëgiminë e kohës së luftës së Kroacisë.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Zagreb, Enis Zebiq, ka thënë se njëri nga shkaqet e mundshme të udhëtimit të presidentit kroat, Ivo Josipoviq, në Bosnjë, mund të jetë edhe synimi për integrime evropiane.

“Kroacia dëshiron të jetë anëtare e Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundshme. Nga pikëpamja e Brukselit dhe e Zagrebit, Ballkani Perëndimor stabil është paketa më e mirë për Kroacinë kur ajo të hyjë në BE. Kroacia nuk dëshiron të jetë lider në rajon, por dëshiron ta bëjë maksimumin për stabilizimin e rajonit”, ka thënë Enis Zebiq.

Por, sfida më e madhe e vendosjes së marrëdhënieve me fqinjët, tash për tash, nuk është Bosnja, por Serbia. Raportet e Zagrebit me Serbinë mbeten thellësisht të tensionuara nga lufta e vetë Kroacisë me Serbinë në vitet e 90-ta, pastaj nga përzënia e minoritetit serb në Kroaci nga rajoni i Krajinës dhe, së fundi, për shkak se Zagrebi e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Të mërkurën, zoti Josipoviq, në Parlamentin e Bosnjës, ka shprehur kërkim-falje të paprecedentë.

“E kaluara nuk duhet të harrohet, por ne nuk duhet të jetojmë në të kaluarën. Për të qenë të aftë ta kapërcejmë këtë, kushdo që ka bërë krime, duhet të ballafaqohet me drejtësi dhe dënim. Sa u përket viktimave, për të gjitha ato duhet treguar respekt”, ka thënë Ivo Jopsipoviq.

Gjatë turneut në Bosnjë, zoti Josipoviq dhe nikoqirët e tij në Bosnjë po ashtu kanë bërë një vizitë të përbashkët në fshatin Grabovica, afër Mostarit, ku trupat e myslimanëve të Bosnjës kanë vrarë një numër të civilëve kroatë të Bosnjës, në vitin 1993. (f.b.)

Presidenti kroat nderon viktimat boshnjake
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:16 0:00
Shkarkoje

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG