Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë duket se janë në pritje të hapave të ardhshëm, që do të ndërmerren nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, në lidhje me luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Edhe pse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë hezituar ta ndërlidhin procesin e riformatizimit të ekzekutivit të vendit me luftën kundër korrupsionit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Andrew Sparkes, shprehu bindjen se në kuadër të këtij procesi, me suspendimin e disa njerëzve nga agjencitë e caktuara, janë bërë disa përmirësime.
Megjithatë, Sparkes tha se diplomatët ndërkombëtarë duan të shohin më shumë ndryshime, që do ta forconin luftën kundër korrupsionit.
“Është një përparim i vazhdueshëm, por unë pres më shumë, ne presim më shumë. Ne jemi duke lëvizur në drejtim të duhur”, tha Sparkes.
Deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë në lidhje me nevojën për intensifikimin e punës së institucioneve përgjegjëse kosovare në luftën kundër korrupsionit, sa vijnë e shtohen.
Kështu, ditë më parë, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, njëherazi Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i kthejë fjalët në vepra sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivele të larta.
Në kuadër të përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Qeveria e Kosovës, në fund të muajit shkurt, kishte formuar një “task-forcë” speciale, në përbërje të së cilës janë pesë prokurorë kosovarë dhe tre të EULEX-it.
Drejtori për hulumtime në Institutin KIPRED, Krenar Gashi, tha se Kosovës nuk i duhet një ‘task-forcë’ për luftimin e korrupsionit, por, sipas tij, i duhet reformimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë. Gashi i quajti të pasuksesshme veprimet e deritanishme të ekzekutivit kosovar në luftën kundër korrupsionit.
“Unë mendoj se nuk ka pasur sukses në luftën kundër korrupsionit. Qeveria e Kosovës vjen me ide të reja të krijimit të një ‘task-force’ speciale për ta luftuar korrupsionin, që, në fakt, është një blerje kohe dhe një blerje e opinionit publik - një investim i gabuar”.
“Kosova ka nevojë që t’i forcojë institucionet e veta të sundimit të ligjit, e pikësëpari prokurorinë dhe gjykatat. Janë këto institucione, të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin në baza të përditshme“, tha Gashi, duke theksuar nevojën edhe për veprime të menjëhershme të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë në këtë drejtim.
Mirëpo, përfaqësues të këtij mekanizmi thonë se që nga nisja e aktiviteteve të “task-forcës” kundër korrupsionit e deri më tani, nuk ka mundur të arrihet ndonjë rezultat konkret, për shkak të, siç thuhet, ndjeshmërisë së rasteve të korrupsionit dhe kohëzgjatjes së hetimeve.
Zëdhënësja e komponentit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, tha se nuk është shqetësuese shkalla e korrupsionit vetëm në nivelin qendror, por edhe ajo në nivelin lokal.
“Zyra e prokurorit special në Kosovë merret vetëm me korrupsionin në shkallën e lartë. Duhet të kujtojmë se korrupsioni nuk është vetëm ai që trajtohet në zyrën e prokurorit special, pra i nivelit të lartë, por edhe ai në nivelin komunal. Ky duket të jetë minor, por, në fakt, pengon jetën e përditshme të qytetarëve”, u shpreh Herodes.