Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet për kryetar komune në Istog.
Rezultatet e paraqitura nga përfaqësuesi i Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve e çojnë në balotazh kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, me 49.34 për qind të votave, dhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, me 21.81 për qind të votave të fituara.
Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve, Burim Ahmetaj, bëri të ditur se pas numërimit të 203 votave valide me kusht dhe atyre të rregullta, asnjëri nga kandidatët që garuan për postin e të parit të Istogut, nuk ka arritur të kalojë 50 përqindëshin e nevojshëm për fitore.
“Nga rezultatet përfundimtare të Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve, asnjëri nga kandidatët për kryetar komune nuk ka arritur ta kalojë pragun 50+1 për qind. Pra, në raundin e dytë shkojnë: kandidati Haki Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shasivar Haxhijaj nga Partia Demokratike e Kosovës”, tha Ahmetaj.
Kandidatët e partive të tjera politike që kanë garuar për kryetar komune në Istog, më datën 11 të këtij muaji, ishin: Muhamet Shatri, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili, sipas rezultateve, ka fituar 21.53 për qind të votave; Rifat Osmanaj, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, që ka fituar 3.93 për qind, dhe kandidati i Aleancës Kosova e Re, Ismet Mulaj, që ka fituar 3.40 për qind të votave.
Megjithatë, rezultatet e shpallura duhet të presin afatin ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave për parregullsi eventuale, para se të certifikohen nga KQZ-ja.
Procesi elektoral për zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat kishin nisur në nëntor të vitit të kaluar dhe ishin përshkuar me një varg parregullsish e paqartësish, nuk do të përfundojë me zgjedhjet për kryetar komune në Istog.
Më 20 qershor të këtij viti pritet të zhvillohen zgjedhjet lokale edhe në komunën e re të Parteshit.
Përgatitja e terrenit për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë të banuar me shumicë serbe ishte po ashtu pjesë e agjendës së diskutimeve në mbledhjen e fundit të KQZ-së.
Sekretariati i KQZ-së propozoi listën e përgatitur të emrave për Komisionin Komunal Zgjedhor për Parteshin, të përbërë nga 6 persona, që të gjithë të nacionalitetit serb.
Lista e paraqitur ngriti dyshimin e një pjese të anëtarëve të KQZ-së në lidhje me kriteret, mbi bazën e të cilave është formuar, procesin e vendimmarrjes dhe faktorët e përfshirë që përcaktuan procesin deri në formimin e listës. Sidoqoftë, Komisioni Komunal Zgjedhor për Parteshin u miratua me 8 vota pro dhe një abstenim.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, sqaroi se përse janë propozuar Aleksandar Stojkoviq, Ivan Petroviq, Daniela Mirkoviq, Aleksandra Stojanoviq, Dejan Angjellkoviq dhe Jovica Petroviq për anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor të Parteshit.
“Ne kemi konsideruar se këta i plotësojnë të gjitha kriteret për propozime dhe, në bashkëpunim me zyrtarë në ekzekutiv dhe një ekip që është dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kemi kontaktuar me këta persona dhe të gjithë kanë pranuar të jenë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor për Parteshin”, tha Peqani.