Ndërlidhjet

Sfidat për anëtarësim në OBT


Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë.
Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë.
Zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të kundërta rreth përgatitjes së Qeverisë së Kosovës për të aplikuar në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, thotë se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është një ndër prioritetet kryesore të ekzekutivit të vendit.

Me gjithë faktin se ky proces është i komplikuar dhe i vështirë, ministri Zharku konfirmon se Ministria e Tregtisë tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të aplikuar në Organizatën Botërore të Tregtisë.

“Ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet teknike, ku përfshihet ngritja e stafit, ngritja e infrastrukturës ligjore, anëtarësimi apo puna jonë që po e bëjmë në ngritjen e kapaciteteve në organizata rajonale, siç është edhe CEFTA”, shpjegon Zharku.

Ndryshe, Organizata Botërore e Tregtisë është organizatë ndërkombëtare, me qendër në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Çështja e, siç thuhet, moszbatimit të ligjeve në Kosovë mbetet shqetësim kryesor për njohës të çështjeve ekonomike.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, duke e quajtur sfidë për autoritetet kompetente anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë, thotë se Kosova ende s'i ka plotësuar parakushtet e nevojshme për aplikim.

Lidhur me këtë, Gërxhaliu thotë se Kosova ka probleme, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Në rrafshin ekonomik, Gërxhaliu thekson mospërgatitjen e duhur të institucioneve kompetente për përfshirjen e Kosovës në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa, në atë politik, ai e sheh si problem numrin e pamjaftueshëm të shteteve që deri më tash kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ekziston një paragraf në rregulloren e funksionimit të OBT-së, ku pika e parë është që një shtet, i cili dëshiron të jetë anëtar i OBT-së, duhet të ketë menaxhim të plotë, duhet të ketë shtrirje horizontale brenda kufijve administrativë. Pastaj, është aspekti politik, që sa më tepër vende ta njohin (Kosovën) dhe të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara”,
thotë Gërxhaliu.

Edhe pse numri i vendeve që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës nuk është ndonjë parakusht për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, ministri Zharku thotë se një gjë e tillë, megjithatë, mbetet sfidë për institucionet kosovare.

Sidoqoftë, Zharku thotë se Ministria e Tregtisë po pret një kohë më të përshtatshme për aplikim në këtë organizatë, në mënyrë që pranimi i Kosovës të jetë i sigurt.

“Grupi punues i merr vendimet e veta me konsensus. Kështu që, në rast se në grupin punues ekziston një shtet i caktuar, i cili është kundër pavarësisë së Kosovës, do të mund të paraqiten probleme për marrjen e rekomandimeve, të cilat duhet të shkojnë në asamblenë e përgjithshme të OBT-së, e cila i merr vendimet me 2/3 e votave”
, sqaron ministri Zharku.

Ndryshe, ekspertët e ekonomisë pohojnë se një ndër parakushtet që një vend duhet t’i plotësojë për të aplikuar, është që vendi të ketë tërësi unike doganore, por, duke pasur parasysh problemin e mosfunksionimit të plotë të doganave në disa pjesë të territorit, sipas tyre, Kosovës i vështirësohet aplikimi.

Aktualisht, në Organizatën Botërore të Tregtisë bëjnë pjesë 153 vende të botës, kurse 30 të tjera janë në proces të anëtarësimit, që përfaqësojnë mbi 97 për qind të shkëmbimeve tregtare botërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG