Ndërlidhjet

Almhofer: Gjyqësori të reformohet


Werner Almhofer
Werner Almhofer

“Ekziston një gamë e vështirësive në gjyqësor, të cilat duhet të preken. Ka zbrazëtira në legjislacion, të cilat do të mund të ndikonin në organizimin e gjykatave dhe në kryerjen e shërbimeve”, tha shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer.





RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Almhofer, çështja e integrimit të minoriteteve ka qenë në fokus të agjendave institucionale që nga përfundimi i luftës, e sidomos sot. Cila mendoni se është gjendja e minoriteteve në Kosovë për momentin?

WERNER ALMHOFER
Mendoj se për mbrojtjen e, siç themi ne, komuniteteve, ekziston një kornizë legale gjithëpërfshirëse, për t’i promovuar dhe për t’i mbrojtur të drejtat e të gjitha komuniteteve. Por, shumë shpesh mund të vërejmë se implementimi mbetet i pamjaftueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë sfidat në këtë drejtim, veçanërisht kur bëhet fjalë për serbët në veri?

WERNER ALMHOFER
Nëse flasim në aspektin e përgjithshëm, sfidat për të gjitha komunitetet, qofshin ata pjesëtarë të shumicës apo të pakicave, pavarësisht vendeve se ku jetojnë, janë të ndërlidhura me çështjet, si për shembull: edukimi, gjuha e mësimit, çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe lirinë e lëvizjes - çështje që janë relevante edhe për shumicën, e jo vetëm për komunitetet. Pra, çështjet e pronës, të monumenteve kulturore e fetare dhe gjëra të tilla.

Natyrisht se të gjitha këto ndërlidhen me komunitetin serb dhe ajo që është e rëndësishme në këtë rast, është se të gjitha komunitetet fitojnë përshtypjen se vështirësitë e përgjithshme do t’i prekin më shumë.

Kjo nuk është temë vetëm për Kosovën, por është një nocion i përgjithshëm. T’i marrim, për shembull, si faktorë evidentë vështirësitë në lidhje me punësimin në Kosovë. Pjesëtarët e komuniteteve me të drejtë mund ta kenë përshtypjen se janë më të prekur nga papunësia.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët implementimin. A ka pasur, në fakt, oferta serioze nga institucionet e Kosovës për t’i nxitur serbët që të flasin me institucionet, të marrin pjesë në projekte të ndryshme?

WERNER ALMHOFER
Mendoj se këtu po kërkoni një vlerësim politik, gjë që varet nga ajo se me kë flitet dhe si e perceptojnë njerëzit këtë. Me sa duket, në rajone të ndryshme të Kosovës përgjigjet do të mund të jenë të ndryshme.

Ajo që shumë njerëz e kanë vërejtur, ishte një shkallë e gatishmërisë për të marrë pjesë në zgjedhje, gjë që përfshiu vende të ndryshme të komunitetit serb në jug të lumit Ibër.

Ka pasur të tjerë që kanë thënë se ka ekzistuar një pjesëmarrje, por se kjo pjesëmarrje ka qenë e kufizuar. Sidoqoftë, kjo ka çuar në zgjedhjen e politikanëve në bazë të vullnetit të njerëzve, gjë që nuk ka ndodhur në zona të tjera të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është problemi në këtë drejtim? Përmendët zgjedhjet. Cili është dallimi në mes të serbëve që jetojnë në jug apo në pjesët qendrore të Kosovës dhe atyre që jetojnë në veri?

WERNER ALMHOFER
Zgjedhjet, me të vërtetë, treguan se nuk ka pasur një pjesëmarrje të serbëve në veri. Mirëpo, ka pasur një pjesëmarrje, deri në një shkallë, në zgjedhjet në jug, që ka çuar në emërimin e përfaqësuesve lokalë, që janë votuar nga serbët lokalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë problemet, të cilat duhet të adresohen në këtë fushë?

WERNER ALMHOFER
Shikuar nga aspekti i atyre që tani janë në detyrë, mendoj se ata duan të bëjnë diçka dhe për këtë ndoshta do ta kërkojnë mbështetjen e Prishtinës, në lidhje me politikat dhe qeverisjen e tyre lokale, e cila pastaj do të mund të ishte përfituese për të gjithë Kosovën, përfshirë ato pjesë, në të cilat pjesëmarrja, deri më tani, ka qenë afër zeros dhe e padobishme.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka pasur deri më tani një mbështetje të Prishtinës për komunat në Kosovë? A ka pasur një mbështetje nga Qeveria qendrore për qeverisjen lokale?

WERNER ALMHOFER
Mendoj se në aspektin më të gjerë të decentralizimit, që shumë shpesh përzihet me decentralizimin që favorizon komunitete të veçanta, ka pasur zhvillime të dukshme dhe OSBE-ja ka raportuar për to. Nëse kjo përfshin dhe transferet e efektshme financiare, nuk do të mund të komentoja, sepse do të ishte shumë herët për të gjykuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni se ka pasur zhvillime. Cili është në fakt vlerësimi juaj në lidhje me nivelin e demokracisë, sundimin e ligjit, punën e gjykatave dhe problemet në këto fusha?

WERNER ALMHOFER
Mendoj se vlen për të gjitha shoqëritë, se niveli i demokracisë mund të përmirësohet gjithmonë. Kosova ka përparuar dhe do të duhej të vazhdonte me më shumë përparim. Sidoqoftë, demokracia nuk është vetëm një proces institucional, por përfshin votuesit në periudhën në mes të zgjedhjeve.

Ne mendojmë se shoqëria civile ka një rëndësi kruciale për t’i mbajtur të përgjegjshme institucionet. Si mision, ne përpiqemi që t’i nxisim institucionet, qoftë në nivelin qendror apo në atë lokal, që t’i bëjnë më të përgjegjshëm dhe më llogaridhënës përfaqësuesit e tyre karshi elektoratit.

Por, ne, në vitet e shkuara, por po ashtu edhe tani përpiqemi që t’i mbështesim partitë politike, njerëz të tjerë të shoqërisë civile, le të themi organizatat joqeveritare, për t’iu mundësuar atyre që ta kërkojnë llogaridhënien nga ata që kanë zgjedhur.

Natyrisht se, si gjithkund tjetër, ekziston lidhja e vështirë ndërmjet institucioneve dhe asaj që bën shtylla ekzekutive, që bën shtylla legjislative. Linkolni e ka adresuar këtë shumë mirë me fjalinë: Qeveria e qytetarëve, nga qytetarët dhe për qytetarët. Kjo përfshin njerëzit që duan të marrin pjesë edhe nëse nuk janë në pushtet, edhe nëse nuk janë në pozitë, por, thjesht, njerëzit që janë në rrugë, dhe mendoj se këtu ka nevojë për më shumë.

Nëse përqendroheni tani në sundimin e ligjit dhe sistemin gjyqësor, në gjithë Kosovën ka vështirësi, të cilat i kemi ilustruar në raportet tona. Këtë e kemi bërë që nga viti 1999 dhe shumë shpesh jemi munduar që t’i diskutojmë rezultatet me njerëzit që punojnë nëpër gjykata. Mendoj se rekomandimet janë mirëpritur nga njerëzit që punojnë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Nëse flasim për mangësi tipike, mund të themi se është çështja e pagave në sistemin gjyqësor. A do të tërhiqej një staf me përvojë apo a do të ulej shkalla e korrupsionit me paga më të larta? Definitivisht ka zbrazëtira në legjislacion, të cilat do të mund të ndikonin në organizimin e gjykatave dhe në kryerjen e shërbimeve.

Pra, ata që shkojnë në gjykata, duan të kenë rezultate dhe shtrohet pyetja se a ka një gjykim, për të cilin duhet pritur për një kohë të gjatë e kështu me radhë. Logjikisht, një element i rëndësishëm i rasteve gjyqësore do të duhej të ishte edhe çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve, ku mund të ketë zbrazëtira në legjislacion dhe jo vetëm mungesë të resurseve. Pra, mendoj se ekziston një gamë e vështirësive në gjyqësor, të cilat duhet të preken.

RADIO EVROPA E LIRË

Përmendët raportet që keni pasur që nga viti 1999. Ka pasur gjithmonë rekomandime në këto raporte. A janë implementuar ato rekomandime dhe a janë marrë parasysh nga institucionet kosovare?

WERNER ALMHOFER
Kjo është një çështje interesante që nuk u referohet vetëm raporteve të OSBE-së dhe jo vetëm Kosovës. Ne përpiqemi t’i rishikojmë raportet që i kemi bërë në vitet e kaluara dhe kemi vënë re se nganjëherë rekomandimet janë marrë e nganjëherë ato janë marrë pjesërisht, por natyrisht se jo gjithmonë shohim rezultate.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fakt, a ka vullnet për të bërë ndryshime, sidomos në gjyqësor dhe në sistemin e drejtësisë në Kosovë?

WERNER ALMHOFER
Kemi parë këtë progres, por po ashtu kemi vërejtur disa mangësi që i përmenda.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë sfidat në këtë drejtim?

WERNER ALMHOFER
Vullneti politik, të hollat... Natyrisht se çdo politikan në botë do të thoshte se nuk i kemi të hollat, por mendoj se ekziston nevoja për reforma, që duhet të ndiqet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG