Ndërlidhjet

Gjykatat në veri - me propozim, por pa zgjidhje


Gjykata në Mitrovicë
Gjykata në Mitrovicë

Zyrtarë të EULEX-it hezitojnë të japin hollësi rreth diskutimeve për rikthimin e gjykatësve në gjykatat në veri. Propozimi i EULEX-it për këtë çështje pritet të diskutohet në takimin me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.


Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, po vazhdon përpjekjet për rifunksionalizimin e tërësishëm të gjykatave në veri të Kosovës.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Lirije Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se propozimi i EULEX-it për rikthimin e disa gjykatësve vendorë në gjykatat në veri, do të jetë temë bosht në takimin e radhës, të cilin përfaqësuesit e këtij këshilli do ta kenë me zyrtarë të EULEX-it.

“Me datë 31 kryesuesi i ri, një që ka ardhur tani, i Gjykatës Supreme, ka paralajmëruar një mbledhje të Këshillit Gjyqësor, në të cilën do të marrë pjesë zoti Perduca që është shef i komponentës së drejtësisë dhe ai do të na prezantojë bisedat që janë bërë lidhur me funksionimin e gjykatës së Mitrovicës”
, bën të ditur Osmani.

Deri më tani thuhet se EULEX-i ka rënë në ujdi me palën serbe që në gjykatat në veri të kthehen fillimisht dy gjyqtarë shqiptarë, dy serbë dhe disa gjyqtarë evropianë, mirëpo vetë misioni EULEX nuk ka pranuar të japë detaje mbi propozimin, i cili tashmë thuhet se i është dorëzuar palës kosovare.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, thotë se EULEX-i e sheh si nevojë urgjente përmirësimin e situatës së sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe se mënyra më e mirë për këtë, siç thotë ai, është që të gjendet një zgjidhje pragmatike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Diskutimet janë duke vazhduar për kthimin e gjyqtarëve e prokurove serbë në gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që drejtësia të mund të zhvillohet nga një gjyqësor vendor, shumetnik dhe i unifikuar”,
thotë Krasniqi pa dhënë hollësi për gjendjen aktuale të bisedimeve në mes të Prishtinës, EULEX-it dhe Beogradit për gjykatat në veri.

Mirëpo, propozimi, i cili aktualisht gjendet në tryezën e diskutimeve, duket të jetë i papranueshëm për institucionet e drejtësisë kosovare.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Lirije Osmani, shprehet pesimiste për miratimin e kësaj ideje.

“Unë besoj se nuk do të pajtohemi me një gjë të tillë, por të shohim se si do të zhvillohet
”, thekson Osmani.

Prishtina zyrtare ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin e saj mbi propozimin aktual për rikthimin e një pjese të gjyqtarëve në gjykatat në veri, të cilat kishin ndërprerë punën pas protestave të dhunshme pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa ishin rifunksionalizuar pjesërisht në fillim të muajit mars të vitit të shkuar.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, Kapllan Baruti, vlerëson se rikthimi i vetëm një pjese të gjykatësve serbë e shqiptarë në veri është parcial dhe se nuk është në proporcion me banorët e qytetit të Mitrovicës.

“Ne konsiderojmë se fillimisht duhet të kthehet situata në gjendjen e mëparshme, do të thotë para datës 20 shkurt 2008, të kthehen të gjithë punëtorët, të gjithë prokurorët e të gjithë gjyqtarët duke i përfshirë ata nga komunitetet joshqiptar
e”, vlerëson Baruti.

Propozimi për rikthimin e një pjese të gjykatësve e prokurorëve vendorë në gjykatat në veri të Kosovës thuhet se është arritur në takimin e fundit që kreu i EULEX-it, Iv de Kermabo, ka zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë në Beograd para disa javësh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG