Ndërlidhjet

EULEX-i nuk trembet nga sulmet


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

Zyrtarë të EULEX-it thonë se puna e tyre në veri nuk do të ndikohet nga sulmet ndaj këtij misioni, siç ishte ai i së shtunës. Prioritet i misionit të EULEX-it, sipas tyre, është kthimi i gjykatësve dhe prokurorëve në gjykatat në veri.


Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës vazhdojnë të shprehen kundër bashkëpunimit me misionin e Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit.

Ndonëse ishte distancuar nga strategjia e Qeverisë së Kosovës dhe e Zyrës Civile Ndërkombëtare për shtrirjen e autoritetit në veri, EULEX-i rithekson përkushtimin për forcimin e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës.

Sulmet e fundit ndaj këtij misioni në veri, sipas zyrtarëve të EULEX-it, nuk do të mund të shkaktojnë refuzimin e njerëzve për ekzistimin e sundimit të ligjit. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, shpjegon:

“Ne nuk do të lejojmë që akte të tilla të dhunshme të kenë sukses në refuzimin e njerëzve për të pasur qasje në sundimin e ligjit. EULEX-i po punon së bashku me institucionet e Kosovës për t’u mundësuar njerëzve t’i kenë të drejtat e tyre bazike”.

“Sulmet mbi veprimet tona në veri të Kosovës nuk i shohim si shprehje të përgjithshme të opinionit të përgjithshëm atje”
, thotë Limdal.

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, pas sulmit ndaj EULEX-it në pikën kufitare 31 në Zubin Potok, kishte kërkuar hetime të përshpejtuara për zbardhjen e rastit, mirëpo duke theksuar se “mosgatishmëria për t’u përballur me krimin e organizuar të EULEX-it në veri të Kosovës po e mban situatën e tensionuar”.

Ndërkohë, ekspertët për çështje të sigurisë në Prishtinë thonë se EULEX-i duhet të ndryshojë qasjen e vet ndaj veriut të vendit për të arritur sukses.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se problemet që dalin nga veprimi i strukturave në veri të Kosovës, mund të trajtohen nga EULEX-i vetëm nëse ky mision ndryshon qasjen e vet ndaj asaj pjese.

“Qasja e EULEX-it duhet të ndryshojë dhe ai të jetë më i vendosur në luftimin e, mos të them strukturave paralele, sepse ato janë struktura të Serbisë që veprojnë atje”.

“Nëse kjo nuk ndodh nga EULEX-i, atëherë vërtet ai nuk mund ta kryejë misionin e vet dhe do ta shpallë vetveten si të dështuar në territorin e Kosovës”
, thotë Qehaja, duke theksuar se, në rast se nuk zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me strukturat paralele, rritet mundësia për dështimin e EULEX-it si mision.

Por, zëdhënësja e EULEX-it, Limdal, flet për suksesin e EULEX-it në veri që, siç thotë ajo, mund të jetë i plotë vetëm me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore të sundimit të ligjit.

“Që nga vendosja jonë në vitin 2008 ka pasur shumë zëra, sipas të cilave, nuk do të kemi sukses të shtrihemi, për shkak se nuk kishte pasur fare sundim të ligjit në veri për nëntë muaj - pra, që nga shkurti deri në dhjetor të 2008-ës, kur EULEX-i arriti të vendoset në vend pa asnjë incident”.

“Që atëherë ne kemi hapur Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, kemi shqyrtuar 8 raste. Është e qartë se nuk mund ta kryejmë punën plotësisht pa gjykatësit e prokurorët vendorë dhe për ta bërë këtë, ne duhet t’i kthejmë gjykatësit dhe prokurorët serbë e shqiptarë
”, thotë ajo, për të shtuar se prioritet aktual i EULEX-it mbetet rifunksionalizimi i tërësishëm i gjykatave në veri.

Pengesa kryesore, e cila thuhet se ka pamundësuar këtë proces, është kundërshtimi i serbëve, por edhe i Beogradit zyrtar ndaj EULEX-it. Eksperti Qehaja nuk përjashton mundësinë që në veri të ketë sulme të vazhdueshme ndaj EULEX-it si shprehje pakënaqësie të serbëve ndaj tij.

Kërcënimet do të jenë të theksuara me sulme të ndryshme. Atje do të përdoret edhe forca, sepse, pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Kosovë, u pa se një numër mjaft i madh i serbëve doli në zgjedhjet lokale; tërë fuqia serbe, e Beogradit zyrtar është e përqendruar në pjesën veriore të Kosovës, që atë pjesë mos ta lëshojë nga ndikimi i vet”, thotë Qehaja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG