Ndërlidhjet

Paraburgimi problematik


Gjykata në Prishtinë
Gjykata në Prishtinë

Krerët e prokurorisë publike dhe të Gjykatës Supreme në Kosovë thonë se këto institucione kanë dështuar në ofrimin e arsyetimeve të mjaftueshme për caktimin e paraburgimeve në Kosovë. Raporti i fundit i misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili analizon këtë problematikë, thekson se paraburgimi në Kosovë vazhdon të urdhërohet kur faktet e lëndës nuk lejojnë një masë të tillë restriktive - gjë që, siç thuhet, shkel të drejtën e të pandehurit për liri.


Pjesa dërmuese e vendimeve për caktimin e paraburgimit që nxjerrin gjykatat në Kosovë, ende përmbajnë arsyetime të pamjaftueshme, duke mos përmbushur në këtë mënyrë standardet ndërkombëtare dhe kërkesat ligjore, vlerëson raporti i fundit i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë.

Raporti vë në pah se problemet kryesore në marrjen e vendimeve për paraburgim kanë të bëjnë me mungesën e përgjithshme të referimit të fakteve, mungesën e vlerësimeve paraprake të pavarura për dyshimin e bazuar, mungesën e vërtetimit për rrezikun e ikjes, prishjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale.

Zëvendësdrejtori për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në OSBE, Volff-Michael Mors, shpjegon:

“Kemi monitoruar rreth 125 raste për së afërmi, për të ardhur deri në këtë raport. Kritika kryesore, të cilën e kemi, ka të bëjë me nivelin e arsyetimit të dhënë në mbështetje të një vendimi të marrë”.

“Disa vendime për paraburgim nuk japin arsye se a ekziston një, apo më shumë baza për paraburgim, por vetëm parafrazojnë ligjin. Kjo nuk është e mjaftueshme. Këtu duhet të merret parasysh individualiteti i rasteve”.


Sipas OSBE-së, tri të katërtat e vendimeve të shqyrtuara për paraburgim nuk përmbajnë arsyetim lidhur me atë se përse masat e tjera alternative ndaj paraburgimit nuk janë adekuate.

“Paraburgimi duhet të aplikohet vetëm kur është tejet e nevojshme, e jo vetëm kur ai mund t’i ndihmojë rrjedhës së procedurës penale”
, theksohet në raport.

Kryeprokurori i Kosovës dhe kreu i Gjykatës Supreme pohojnë se të dhënat që dalin nga dokumenti i OSBE-së flasin për realitetin në terren, por shprehin gatishmërinë për t’u angazhuar në drejtim të përmirësimit të situatës.

Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, thotë se numri i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe numri i madh i lëndëve për paraburgim që prokurorët duhet ta shqyrtojnë brenda ditës, janë ndër arsyet për mungesën e cilësisë së kërkesave për caktimin e paraburgimit dhe të vendimeve të gjyqësorit mbi këtë çështje.

“Sigurisht që raporti tregon se kemi dështuar, por nuk do të thotë se nuk kemi pasur suksese në këtë punë. Mirëpo, arsyeja kryesore qëndron në atë se prokurorët janë duke punuar në presion”.

“Sikur vendimet tona lidhur me paraburgimin të shkonin në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut, që edhe do të ndodhë një ditë, këto paraburgime do t’i kushtonin tepër Kosovës”,
thotë Kabashi.

Kjo problematikë, sipas kryetarit të Gjykatës Supreme në Kosovë, Fejzullah Hasani, theksohet edhe në mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet gjyqtarëve e prokurorëve.

Hasani thotë se në gjendjen e krijuar në sistemin e drejtësisë në lidhje me paraburgimet, ndikon dhe numri i lëndëve të grumbulluara në gjykata dhe presioni ndaj gjyqtarëve.

“Kjo po ngjet edhe për faktin se gjyqtarët po punojnë me nguti. Ju e dini se janë të stërngarkuar me lëndë, por shpesh herë edhe presioni i opinionit e luan atë rolin e vet”,
thekson Hasani.

OSBE-ja jep një varg rekomandimesh për Gjykatën Supreme të Kosovës, prokurorët publikë, gjyqtarët, Odën e Avokatëve të Kosovës, Institutin Gjyqësor të Kosovës dhe Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, për të përmirësuar problemet që kanë të bëjnë me vendimet për paraburgim.
XS
SM
MD
LG